Rrëfimet e ruajtura të Artan Santos, një vit e gjysmë pas vdekjes së pazbardhur

Publikuar tek: kulture-art, më 09:37 15-12-2015 Rrëfimet e ruajtura të Artan Santos, një vit e gjysmë pas vdekjes së pazbardhur

Nuk mbaj mend si linda dhe ku linda. Më thanë kur përftova paksa vetëdijen time, që jam lindur në maternitetin e Tiranës, rreth orës 9 të mëngjesit, më 7 shtator të vitit 1956. Qëlloi që isha mashkull. Nuk pata rast të konvertohem gjatë rrugës, kështu që kam mbetur i tillë”. Këto janë disa nga rradhët e shënimeve të ish-bankieri Artan Santo.

Siç i mbante mend ai, 10 vite më parë. Sot, pothuaj 10 vite më pas, ato i gjen mes kapakëve të një libri botuar në vitin 2006, “Individ”, që në ballinë ka një burrë, koka e të cilit nuk shihet. Libri përmbledh copëza ditari, rrëfime a kujtime, e 1 vit e gjysmë pas vdekjes së tij ende të pazbardhur, kopertina të tremb, ndërsa brendia të prezanton me përmasën njerëzore e artistike të një bankieri të suksesshëm. Botimi i titulluar “Individ”, përmbledh kujtimet e para, kohët e shkollës, mandej fakultetit, zborin, punët e para, njohjen me bashkëshorten dhe ardhjen në jetë të fëmijëve;por më mirë anormalët, që nuk e kuptojnë se sa të ‘çmendur’ jemi NE, ‘normalët’” janë fjalët hyrëse, që të ftojnë të ikësh nga kjo botë e çmendur. Mandej, përmes një stili të thjeshtë, ku nuk mungon ironia e as ku nuk fshihet natyra hokatare, Santo pati prezantuar kur ishte ende në jetë, botën që mbante brenda vetes. Përmes radhëve, në fraza, në pauza, në trepikësha, në fjali të nisura që herë ndjekin rrjedhën e tyre, e herë fshihen në udhë të tjera, në vargje të ndjera, hedhur në letër mes nxitimesh e turravrapit të rutinës, në copëza fjalësh të shkruara rëndë, është një pjesë e asaj që la pas, para se të shuhej në fundqershorin e 2014-ës në moshën 58-vjeçare.

Sot, kur ai është në mungesë, “Individi” i tij vihet në skenën e Teatrit të Metropolit në datat 15, 16 dhe 17 dhjetor, në orën 20:00, futur në kuadratet e teatrit të rrëfimit poetik. Shfaqja është realizuar me regji të Armand Borës, interpretimin e aktorëve Ndriçim Xhepa, Suela Konjari e Rozi Kostani dhe skenografinë e Hysni Lokës. Si skenë ka shërbyer imazhi i zyrës së Santos, vendi nga ku ndoshta kanë buruar shënimet dhe nga ku ka marrë formën përfundimtare ky libër.

Mbamendjet e vegjëlisë dhe Rinisë

Rreth moshës 3-4 vjeç më kanë çuar në kopsht. Mbaj mend edukatore Buqen, shokët e shoqet e mi të grupit, me disa prej të cilëve kam qenë deri në vitin e fundit të shkollës së mesme. Kopshti ka pasur edhe një roje plak, emri i të cilit nuk më kujtohet, por e kam ende në sy flokun e tij të bardhë dhe një kapele, kasketë prej cohe. Luanim shpesh me kukulla në një teatër hijesh, futeshim mbrapa një pëlhure të bardhë dhe sajonim ngjarje të ndryshme”. Rinia e tij rrëfehet përmes ndodhive.

Ankthi i degës që do dilte në fakultet, kryerja e praktikave të ndryshme “stërvitore” dhe fillimi i Ekonomikut, ku ditën e dytë të shkollës, shtrohet në spital, për ulçer në duoden. “Në mes të vitit të parë, e lë fakultetin për dy javë, pasi s’më pëlqente. Isha në një grup me Çim Canin, shokun tim të gjimnazit, dhe shpesh vendimet për të tilla ngjarje i merrnim së bashku. Më pas, e pamë që s’kishte rrugë tjetër, vijova rregullisht mësimet, me të mirat dhe të këqijat që gjykoja në atë kohë”. Përtej karrierës që ndoqi, ai kujtonte për disa provime, që s’kuptonte përse i duheshin, se ka bërë edhe kopje. “Tani them që kam bërë fort mirë, pasi tani jo e jo, por as atëherë dhe asnjëherë ato nuk kanë qenë praktikuar, veçse në kokën e atyre profesorëve tanë të dashur dhe të kohës që jetonin”.

E si për këdo të lindur në vitet e “njeriut” të ri, as Santo nuk i shpëtoi zborit ushtarak të pas fakultetit, ku shkoi për rreth 5 muaj në Golem, ku kokët e qethura, impenjimi me grupin e piktorëve, e bëri ta kalonte qetë atë periudhë. “Mbaj mend që një herë një pedagog i Akademisë së Arteve, erdhi në repart dhe komisari ynë i thotë që ‘kemi këtu tre djem piktorë shumë të talentuar’”, shkruan ai. “Me të drejtë ai i pyet se kush janë këta dhe komisari i sjell në dhomën tonëShokët e mi të mirë ndërhynë përnjëherë duke i thënë që unë kisha përfunduar për skenografi, e kështu ia hodha, ndonëse vërtet pikturoja dhe kisha një shkrim që ia vlente të isha pjesëtar i atij grupi” kujtonte Santo. Mandej, kur qe burrë i pjekur dhe në kulmin e karrierës, kur shihte fotografitë e asaj kohe me Gim Bajkon e Çim Xhepën, kur kujtonte revoltat për të mos qethur kokën, ditët e ftohta të nëntorit dhe “pozdravin” që e dëgjonin duke perënduar dielli, i “krijohej një ligështim i brendshëm për vitet që s’kthehen më, sikur çfarëdo çmimi të vësh”. Më 1984-ën, ai filloi punë në Institutin e Studimeve Ekonomike, në Sektorin e Ekonomisë Botërore. Prej aty kujtonte Aristotel Panon, që i mësoi artin e të studiuarit duke e ngulitur fort në punë, ndërsa Hasan Banja, logjikën e të shkruarit dhe të gjithë së bashku, punën e mirëfilltë shkencore.

Familja

Santo kujton në libër martesën dhe lindjen e dy fëmijëve, pa kursyer shakanë. Në atë vit martohem me Arjanën, me origjinë kosovare. Qeshja asokohe me shoqërinë time se u thosha ‘Dëgjoja fjalën e Partisë që ta konsiderojmë Kosovën si çështje tonën’ dhe unë i mora njërën prej ‘cucave’ të saj, ndonëse ajo dhe prindërit e saj kishin lindur në Tiranë”. Ndërsa lindjen e vajzës e mban mend ndryshe; mbase prej emocionit që u bë baba, mbase edhe prej lidhjes së mëvonshme: Në 1985-ën, në nëntor, një makinë policie me sirenë e drita të ndezura nxiton drejt maternitetit. Brenda saj, ime shoqe dhe në bark të saj ishte ime bijë, Emi. Një tigër i butë dhe i ëmbël”. I biri, Egi lindi tri vite më vonë, më 1988-ën. Santo kujton se e ka “çmendur” deri në moshën 7 vjeçe me kapriçot, ulërimat, kërkesat dhe laringitin e tij. “Sot është tjetërsoj. Ndoshta sepse edhe është rritur, por është konvertuar në njeriun e mirë e të urtë, në një kohë të keqe” shkruante ai.

Shfaqja

Regjisori Armand Bora kujtoi dje në konferencën para mediave se “kur Santo më dhuroi librin, bashkë me shënimin e tij, ndjeva një lloj detyrimi, që në një farë mënyre më bënte të gjeja një formë për ta vënë në skenë. Pas leximit të librit, detyrimi u dyfishua edhe më shumë për këtë shfaqje. Pa dyshim, më vjen keq që nuk gjeta mundësinë për ta realizuar gjatë kohës që Santo ishte gjallë”. Sipas tij, shfaqja nis në mënyrë kronologjike. Duke nisur me kujtimet e fëmijërisë, prindërit, shokët e shkollës dhe mësuesit e parë. Më pas vazhdon me pushimet në qytetin e Durrësit, dhe kryesisht Elbasanin, vendin ku kishte gjyshin dhe gjyshen e tij, personat që e kanë afruar Santon me librin.

Mandej, fjalën e mori aktori Ndriçim Xhepa, i cili rrëfeu njohjen e hershme në moshën e gjimnazit. “Kam qenë mik i afërt. E kam njohur kur kemi qenë në gjimnaz, por takoheshim edhe kur ishim në fakultet. Jeta në atë kohë nuk ka qenë kaq e zhurmshme sa sot. Jo kaq e shpërndarë, e jo me këtë zgjerim e shqepje të qytetit në gjëra pozitive ose jo. Njerëzit njiheshin e prekeshin me njëri-tjetrin.

Na lidhnin aksionet e punëve prodhuese dhe zboret. Unë dhe Santo zborin pesëmujor pas universitetit e kemi bërë në Durrës, në kodrat e arabëve, në aksionet e drurëve, me armikun majtas e armikun djathtas, por armiq nuk kishte fare”. Xhepa tha se Artan Santo, ishte njeri i ekonomisë që e donte artin, e jo pse kur ishte fëmijë kishte interpretuar te “Guximtarët”. “Ai i donte letërsinë, finesën,elegancën. Ka qenë në bordin e Teatrit Kombëtar, e frekuentonte dhe e ndiqte. Takoheshim pas premierash në teatro ose në kinema”.

Ndërkaq, ish-drejtoresha e Metropolit, Suela Konjari, tha se ky ka qenë një projekt që nisi herët. “Kam pasur bashkëpunim artistik me Santon dhe e përqafova menjëherë këtë shfaqje. Shpesh kemi nevojë të themi që na mungon neve miqve e artistëve. Le ta kujtojmë siç i ka shkruar poezitë e tij”.

santo.jpg

Gazeta Shqiptare

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Agim Krajka: Sherif Merdani nuk u dënua për këngën, Parashqevia kishte të dashur një sigurims
Britanikët i japin shqiptares Mirela Sula çmimin ‘’Gruaja Frymëzuese 2015’’ »
Article Logic
Execution time: 0.024850130081177
array(1) { ["section"]=> string(84) "rrefimet-e-ruajtura-te-artan-santos-nje-vit-e-gjysme-pas-vdekjes-se-pazbardhur-27804" }