Rrëfimi

Publikuar tek: analiza-komente, më 11:05 13-01-2016 Rrëfimi

Dritan Shano

Zotërinj të trupit gjykues

Nuk e di si ndodhi kjo. Si u prishën punët. Se i kishim terezitur aq mirë. Ndoshta ishte për shkak të insistimit të madh të Amerikanëve. Por sa para bën. Tani jam këtu. Dhe më duhet të zbraz barkun. Çfarë thuhet vazhdimisht për mua është e vërtetë. Nuk kam ndërmend të debatoj apo diskutoj faktet e thjeshta. Sepse nuk do mjaftonte për të mbuluar përmasën e zullumit tim. Nderi kërkon më shumë se thjesht ta pranoj atë, prandaj po ofroj rrëfimin e të gjithë të vërtetës.

Për, më shumë kohë se ç’duhet nuk kam qenë në gjëndje të pranoj hipokrizinë time. Kam injoruar paburrërinë time, duke u fshehur volitshëm pas pozitës, e prezencës time, sa në qeverisje e aq në parlament apo kund tjetër, prezencë e cila herë ka qenë realisht dhe herë e kam bërë të duket si kompromis politik, duke e shitur këte sikur ishte për të mirën tuaj.

Dhe për çfarë? Për të grumbulluar pasuri dhe mbajtur pozitat pas të cilave shumica e njerëzve kapen me thonj. Në fakt, deri sot nuk më kishte shkuar mëndja të bëja ndonjë hap, le më dy a tre mbrapa. Vetëm përpara. Gjithmonë jam larë e shpëlarë në hallin e njerëzve. Me qetësi. Më shumë për të ruajtur paprekshmërinë personale dhe të pasurisë, dhe pse jo edhe për ta shtuar atë. Pra, sot qëndroj përpara jush i dënuar nga padrejtësitë e mija.

Për çfarë po flas? Për kancerin e korrupsionit dhe padrejtësisë, që vetëm rritet, shtrihet kudo. Ju të gjithë e dini për çfarë e kam fjalën. Çdonjëri prej jush i ka parasysh paratë nën dorë për kontrata shtetërore, ato 10 apo 20 përqindsha, që depozitohen në banka off-shore. Do i tregoj të gjitha këto llogari. Bankë për bankë. Për ata që se dinë kontratat shtetërore për rrugë, ilaçe, apo ristrukturim godine dhe palma janë para që dalin nga xhepat e çdo shqiptari në formë taksash dhe borxhi publik. Po ato para që kanë blerë makinat luksoze që përdorim pafytyrësisht; me të cilat mbajmë fëmijet jashtë Shqipërisë dhe del ndonjë gjë dhe për dashnoret, ose anasjelltas; me të cilat kemi ndërtuar vila dhe shtëpi të dyta e të treta sa në Shqipëri aq dhe në Europë. Dhe këto do ua them. Adresë për adresë. Për ato para që si ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, kryetarë bashkish, drejtorë të mëdhenj e të vegjël i marrim kujtdo që na kërkon t’i zgjidhim një hall, që nga ndonjë tender e deri tek marrja në punë – edhe kur heqim ndonjë nga puna për t’i bërë vend militantit tonë; ku në tatime dhe dogana shikimet dhe gjuha e trupit mjaftojnë për ta thyer biznesin në dysh dhe devijuar paratë ku duam; kur japim konçesione majtas-djathtas siç qerasim miqtë gjithnjë e më të pakët kur vijnë vizitë; që si mjekë ia marrim nën dorë atij të sëmurit që do të operohet apo kurohet dhe themi se ai na i dha vetë; që si polic mezi ç’presim të kapim ndonjë në faj që ta rrjepim mirë; apo dhe si mësues a pedagog tek i bëjmë mësim pasdite në shtëpi të njëjtit nxënës që dështojmë me vetëdije ta mësojmë paradite në klasë, apo fare thjesht kur ia shesim diplomën univesitare ndokujt që nuk ka mbaruar gjimnazin. Për këto para që pastaj i përdorim për të blerë votat. Se ju ndoshta nuk e dini atë ndodhinë kur një hallexhi i kërkonte deputetit të vet ndihmë dhe i tha: më ndihmo se të kam dhënë voten. Deputeti iu kthye, dhe i tha: jo o burr, ç’a thu o burr, votën nuk ma ke dhënë, por ta kam blerë. Kështu mbahemi në pushtet. Gjoja bëjmë reforma. Miratojmë ligje. Të mira. Si për vete. Që na bëjnë të paprekshëm në mos të pavdekshëm. Me fis e me farë.

Ne i quajmë këto 25 si vite zhvillimi dhe prosperiteti. Shitemi sikur mbajmë rendin dhe ndalojmë kaosin, sikur sjellim paqen në konfliktet që ju keni. Ne ju kemi mbushur mëndjen se çdo veprim i yni bëhet për të mirën e përgjithshme. Të familjes tuaj. Të fëmijëve tuaj. Nuk ka gënjeshtra më të mëdha se këto.

Të varfërit sot po shtohen, por nuk është ekonomia e tregut që e ka ekstremizuar shoqërinë. As kapitalizmi që nuk ekziston në Shqipëri. Ne e kemi bërë. Ne e kemi krijuar pabarazinë. Atë më të tmerrshmen. Atë te mundësive. Që hyn tek të drejtat e njeriut. Ne e kemi marrë peng Shqipërine, dhe ajo deri dje bënte sikur nuk e dinte.

Ne kemi ndryshuar ligjin e gravitetit. Paraja tanimë lëviz nga poshtë lart. Nga xhepat tuaj në duart tona. Këtë ia kemi ngulitur mirë në kokë shqiptarëve. Të mëdhenj e të vegjël. Të gjithëe ua kemi mësuar Rrugën e Parasë, ku ecën ajo në Shqipëri. Ne e prekim atë, e numërojmë, i gëzohemi dhe duam akoma më shumë. Ndërkaq, kemi hequr fare nga fjalori koncepte dhe fjalë si turpi, krimi, e drejta, e mira, e keqja, ndërsa kemi modifikuar kuptimin e fjalës vjedhje. Ajo është e tillë vetëm kur nuk e bëjmë ne. Ndryshe është zotësi.

Mbi të gjitha, ju nuk keni prone me titull të sigurte. Edhe atë që keni nuk e gëzoni. Ju del gjumi natën nga sherret. Dhe dilni e kontrolloni se mos e ka zënë njeri. Dhe ne nuk mbarojmë as legalizmin dhe as regjistrimin e pronës. Ndryshe, tani që mund të lëvizni lirisht pa viza ku t’ju kapim? Që t’ju shkulim të gjitha pendët. Si kujtoni ju se bëhen për 2-3 vjet qindra miliona euro?

Turpi dhe keqardhja ime është se po i them këto gjëra kur muret dhe gardhi i shtëpisë sime nuk janë më në gjëndje të as të fshehin zullumet e mija dhe kur as pozita, as pasuria e vënë deri tani nuk ma sigurojnë më paprekshmerinë.

Krimi im është se jo vetëm iu dorëzova korrupsionit. Kurrë nuk protestova kundër tij. Përkundrazi u bëra mbartës dhe personifikim i tij. Rroja me shpresën se gjethja e fikut do më mbulonte gjithnjë. Se dhe më dukej sikur ju të gjithë më donit dhe bëheshit copë për mua. Apo e kam gabim?!

Por ajo qe dua te pranoj, të rrëfej është se krimi ynë nuk është ai që duket. Vilat, orët e shtrenjta, makinat, shkollat private, luksi i shfrenuar etj. Këto nuk janë asgjë. Këto rregullohen. Krimi ynë i madh është se kemi korruptuar sistemin, shoqërinë. I kemi mbajtur me të gjitha format dhe mënyrat shqiptarët larg nga koncepti perëndimor se është institucioni abstrakt ai që garanton drejtësinë dhe mirëqënien e individit dhe jo lidhja e drejpërdrejtë telefonike apo familjare me titullarin e institucionit.

Keshtu kemi realizuar shpërfytyrimin moral të shoqërise. Kemi krijuar dhe perfeksionuar në vite atë që shoqëria jonë konsideron sot si modelin e suksesit. Të kapesh duke vjedhur para kamerave, dhe jo vetëm të dalësh i pafajshëm, por edhe të bësh ligje në parlament. Ky është modeli i suksesit sot. Çdo nënë do suksesin për fëmijën e vet. Këte urim i këndon ajo fëmijëve. Që të kenë sukses në jetë. Atyre që po rrit, dhe atyre që i ka në bark.

Ne këtu në Shqipëri, kemi arritur kështu të korruptojmë këngën e nënës me modelin tonë të suksesit, kemi helmuar përfundimisht ninullën, urimin dhe shpresën engjëllore të nënës për foshnjën e palindur në barkun e saj për të pasur një jetë të mirë. Këto janë vargonjtë e vërtetë me të cilët kemi lidhur shoqërinë shqiptare. Jo vetëm foshnjat por edhe ata që nuk kanë lindur akoma. Ky është krimi i vërtetë që kam kryer. Për të cilin pranoj çdo dënim”

***

Ky rrëfim nuk është bërë akoma. Nga askush prej qindra apo mijëra të pushtetshmve shqiptarë, të zgjedhur apo emëruar, të këtyre 25 vjetëve. A do kemi një të tillë për shkak të reformës në drejtësi? A do jetë reforma në drejtësi një lojë pushteti ku njëra palë kërkon ta dominojë drejtësinë me numra deputetësh dhe tjetra palë thjesht përpiqet që kjo mos të ndodhë. Apo reforma në drejtësi do merret realisht me vjedhjen dhe korrupsionin strukturor në çdo qelizë të administratës, të pushtetve të varuara e të pavarura dhe do na japë mundësinë të dëgjojmë realisht rrëfime të tilla si ky më lart?

Shpërfytyrimi moral i shoqërisë sonë ka arritur në fund edhe pse ende shumëkujt gjëndja e sotme i duket normale. Më kujtohet një nënë e indinjuar se po i përflitej fëmija si kriminel kur sipas saj vetëm një person kishte vrarë. Pse sa duhet të vriste? Nga shumë pikëpamje, sidomos nga ajo e institucionit të drejtësisë vendi i ngjan Sodomës dhe Gomorrës. Ne kemi nevojë urgjente për një gjykim hyjnor! A po vjen ky gjykim hyjnor përmes gojës dhe xhesteve të Ambasadorit Donald Lu, apo vjen si vullnet i brëndshëm i yni? Reforma në drejtësi më shumë se çdo gjë tjetër është një nevoje morale e shoqërisë sonë. E cila, moralisht duhet të lindë nga e para. Por a mund të vijë kjo si akti i fundit në paqe i të pamoralshmëve?

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.24193811416626
array(1) { ["section"]=> string(13) "rrefimi-29869" }