Rrëzimi i murit në Butrint, Autoritetet: 4 muaj për restaurimin

Publikuar tek: kulture-art, më 15:06 18-01-2015 Rrëzimi i murit në Butrint, Autoritetet: 4 muaj për restaurimin

Që prej disa ditësh në rrjetet sociale po qarkullojnë disa foto të shkatërrimit të një pjese të murit rrethues të Parkut Kombëtar të Butrintit. Lajmi i bujshëm u shoqërua edhe me komente negative për mungesën e vëmendjes së strukturave dhe institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e trashëgimnisë. Por drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit Gjergji Mano ka një tjetër këndvështrim. Ai është në dijeni të faktit, por thotë se nuk mund të bëjë asgjë për momentin, për shkak të procedurave tenderuese që kërkohen në rastin konkret.

Megjithatë një lloj sigurie që strukturat shtetërore do të veprojnë shpejt na jep drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani. E pyetur nga Newsbomb.al, ajo thotë se vendimi për ndërhyrje do të merret menjëherë. ‘’Këtë të hënë do të mblidhet Këshilli Shkencor që do të marrë vendimin e tij lidhur me këtë rast. Ky vendim do t’i përcillet drejtorit të Parkut të Butrintit për të blerë materialet për ndërhyrjen mbi mur’’, u shpreh Dollani.

Sipas parashikimeve duhen rreth 4 muaj që muri i Shekullit të II-të pas Krishtit të restaurohet, duke shpresuar që degradimi mos të vazhdojë më tej.

Z.Mano si ka ndodhur rënia e murit 1800-vjeçar në Parkun Kombëtar të Butrinit, a ka ardhur si shkak i ndërhyrjes mbi bimësinë që ndodhet mbi të?

Dua t’u sqaroj se si kanë ndodhur ngjarjet. Që në muajin shtator, 1 muaj pasi jam emëruar në këtë pozicion kam drejtuar specialisten e mjedisit për të bërë një evidentim të të gjithë parkut por njëkohëësisht për të gjithë sektorët. Për këtë mur kemi parashikuar që në shtator që duhej ndërhyrë dhe ua kemi përcjellë parashikimet institucioneve përkatëse.

Muri në fjalë ka rënë për shkak të kohës së keqe dhe rreshjeve në datat 25-30 dhjetor të vitit të kaluar, rreshje që kanë ndikuar edhe tek pemët dhe bimësia në afërsi të murit. Fatmirëisisht, në datën 29 kur ndodhi ngjarja, ne kemi bërë menjëherë procesverbalin me fotot aktuale të rënies së murit por njëkohësisht edhe me foto të mëparshme, të cilat i kishim nga inspektimet.

Për t’ju sqaruar juve dhe gjithë publikun, muri nuk ka rënë për shkak të ndërhyrjes sonë mbi vegjetacionin mbi mur.  Vetëm një gjë është e vërtetë: se rreshjet kanë ndikuar në dobësimin e rrënjëve dhe trungjeve duke bërë që të ndikojë erozioni në rrëzimin e tij. Ne me punonjësit tanë kemi ndërhyrë poshtë tij dhe rreth e rrotull për rregullimin e bimësisë, jo mbi mur. Ne nuk na lejohet të ndërhyjmë mbi të. E përsëris, në bazë të planit të punëve, ne kemi ndërhyrë vetëm poshtë dhe rreth e rrotull murit.

Si do të veprohet për t’u restauruar apo do të mbetet kështu?

Më 29 dhjetor ne i kemi dërguar shkresën tonë Institutit të Monumentit të Kulturës, Ministrisë së Kulturës dhe DRKK-së në Vlorë. Drejtoria brenda javës dërgoi specialistët e saj, të cilët bënë parashikimin për suportin prej druri dhe tani është në dorën e Këshillit Shkencor të Institutit të Monumeteve të Kulturës, të cilët do të marrin vendimin e tyre se çfarë do të bëhet. Presim që këtë të hënë ata të marrin një vendim që të nisë prokurimi  nëpërmjet Agjencisë së Prokurimeve Publike për të afruar një kompani që do të merret vetëm me suportin e murit.

Po restaurimi final kur pritet të mbarojë sipas këtij procesi, a ka rrezik që muri të rrëzohet më shumë?

Sërish për restaurimin do të merret një vendimi i dytë, por jo nga ne. Sipas parashikimeve që kemi ne mendojmë që suporti  i drurit për murin, po u mor vendimi nga IMK-ja, kërkon 10 deri 15 ditë që të kryhet nga kompania fituese e prokurimit. Kurse për restaurimin final të murit duhen edhe 3-4 muaj të tjerë. Ne na ndalon ligji që të marrim kompani për të restauruar murin, pa respektuar procesin që ju shpjegova më lart.

Parku kombëtar i Butrintit u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, edhe zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall Monument Kulture. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore". Parku Kombëtar i Butrintit përbëhet nga 29 kilometër katrorë.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Vepra e dy artistëve shqiptarë prezantohet në galerinë e njohur të Londrës
“ Refleksione nga Shqipëria” në Kuvajt »
Article Logic
Execution time: 0.24937582015991
array(1) { ["section"]=> string(74) "rrezohet-muri-i-parkut-te-butrintit-autoritetet-4-muaj-per-restaurimin-798" }