Rritet konkurrenca, nga Rinasi për në Itali bileta vajtje-ardhje me 70 euro

Publikuar tek: ekonomi, më 19:03 23-12-2016 Rritet konkurrenca, nga Rinasi për në Itali bileta vajtje-ardhje me 70 euro

Ndryshe nga një vit më parë, kur biletat vajtje-ardhje me Italinë u shtrenjtuan ndjeshëm, duke arritur mesatarisht mbi 200 euro, tashmë të fluturosh drejt shtetit fqinjë është më lirë, madje nëse prenoton herët, mund të fluturosh edhe me më pak se 100 euro.

Rritja e konkurrencës mes operatorëve ekzistuese AlItalia dhe Blu Panorama dhe hyrja e një kompanie të re low cost, Fly Ernest, ka ndikuar në shtimin e alternativave për udhëtarët. Italia është destinacioni kryesor i fluturimeve, nga dhe drejt Rinasit, me 50% të udhëtarëve, që shkojnë tek të afërmit e tyre në qytetet italiane, ose udhëtojnë për punë e turizëm, apo emigrantët shqiptarë që kthehen te të afërmit.

Me AlItalia, nëse prenoton sot për në prill, drejt Romës, bileta vajtje-ardhje mund të gjesh duke filluar nga 132 euro; për në Milano me 154 euro; për në Venecia rreth 155 euro etj.

Me Blue Panorama, biletat vajtje-ardhje në Romë, po në muajin prill mund t’i gjesh duke filluar nga 120 euro (për një qëndrim rreth 4 ditë). Për në Milano (Bergamo), bileta kushton 72 euro. Drejt Barit, bileta kushton 72 euro.

Operatori më i ri low cost, Fly Ernest, nga muaji prill fillon fluturimet direkte drejt Romës dhe çmimet e biletave janë sa gjysma e konkurrentëve. Një biletë vajtje-ardhje në kryeqytetin italian kushton 82.4 euro. Drejt Milanos-Malpensa (vajtje-ardhje) një biletë mund ta blesh me rreth 70 euro. Sërish në Milano, por nga Aeroporti i Bergamos, biletën mund ta gjesh edhe më lirë, për 60.4 euro. Në prill fillojnë fluturimet edhe drejt Venecias, për 77 euro vajtje-ardhje. Për në Bari, nëse prenotoni për në mars, një biletë vajtje-ardhje e gjen për gati 70 euro.

Këto çmime, për të gjithë operatorët, janë vetëm nëse prenotoni të paktën tre muaj përpara. Nëse prenotoni sot për nesër, siç e kanë zakon një pjesë e madhe e udhëtarëve shqiptarë, atëherë biletat janë shumë më të shtrenjta.

Sidomos përfitimi është i lartë, nëse prenotohet sot për në verë (gusht apo korrik), kur fluksi i udhëtimeve mes Italisë arrin kulmin dhe biletat, sa më shumë të afrohet vera, shtrenjtohen ndjeshëm.

Gjithsesi, drejt Barit, edhe nëse prenoton sot, për të udhëtuar në gusht, çmimi i biletës është mesatarisht mbi 100 euro, nga të gjithë operatorët. Për në Milano (Bergamo) me Fly Ernest edhe në gusht mund të gjesh bileta me 60 euro; me Blu Panorama 96 euro; me AlItalia (Malpensa) 153 euro. Për në Romë, po në gusht, me Blu Panorama çmimi është rreth 150 euro, me AlItalia 167 euro dhe me Fly Ernest 83 euro. (Monitor)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0068409442901611
array(1) { ["section"]=> string(80) "rritet-konkurrenca-nga-rinasi-per-ne-itali-bileta-vajtje-ardhje-me-70-euro-63564" }