Rritet numri i të punësuarve, ulen pagat në disa biznese

Publikuar tek: ekonomi, më 12:54 08-07-2016 Rritet numri i të punësuarve, ulen pagat në disa biznese

Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të parë të 2016 ka  patur një numër më të lartë të të punësuarve  në disa sektorë, por pagat e tyre janë ulur ndjeshëm.

Ndër sektorët që kanë patur një numër të lartë punësimi, por më rënie page përmendim sektorin e industrisë. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i numrit i të të punësuarve me pagesë në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Industri” (Industri nxjerrëse dhe përpunuese), gjatë tremujorit të parë 2016 paraqet rritje 8,0 % krahasuar me tremujorin e parë 2015.

Rritje ka patur dhe sektori “Energji elektrike, gaz, avull” me 8,8 % dhe “Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” me 8,7 %.

Gjatë tremujorit të parë 2016, ndryshimi vjetor i nivelit të fondit të pagave shënoi një rënie prej 0,1 % në “Industri”, ndryshim i cili vjen kryesisht nga rënia e këtij treguesi në aktivitetin “Industri nxjerrëse” me 19,3 %.

Ndryshimi tremujor i fondit të pagave shënoi rënie me 2,4 % në aktivitetin “Industri”, rënie e cila vjen kryesisht nga ndikimi i aktivitetit “Industri nxjerrëse” me 4,5 %.

Shërbimet dhe tregtia kanë shënuar rritje të të punësuarve dhe pagave.

 Shërbime

Ndryshimi tremujor në ndërmarrjet që operojnë në “Shërbime”, në tremujorin e parë 2016, paraqet rritje të numrit të të punësuarve me pagesë me 7,5 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2015. Në këtë rritje kanë ndikuar kryesisht aktivitetet “Agjenci udhëtimi” me 7,8 % dhe “Transport dhe magazinim” me 6,7 %.

Në aktivitetin “Shërbime”, ndryshimi vjetor, në tremujorin e parë 2016, paraqet një rritje të fondit të pagave me 10,4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht aktiviteti “Agjenci udhëtimi” me 38,0 %.

Ndryshimi tremujor i fondit të pagave në këtë aktivitet paraqitet me rritje 5,8 % në tremujorin e parë 2016 krahasuar me tremujorin e katërt 2015. Në këtë rritje kanë ndikuar kryesisht aktivitetet “Agjenci udhëtimi” me 19,5 % dhe “Tregti me shumicë” me 9,5 %.

Tregtia

Në tremujorin e parë 2016, në ndërmarrjet që operojnë në aktivitetin “Tregti me shumicë”, ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë paraqet rritje 5,8 % krahasuar me tremujorin e parë 2015.

Ndryshimi tremujor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Tregti me shumicë” paraqet një rritje me 3,4 %.

Në aktivitetin “Tregti me shumicë”, ndryshimi vjetor, në tremujorin e parë 2016 paraqet një rritje të fondit të pagave me 13,0 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkaq në aktivitetin “Tregti me pakicë dhe shumicë e automjeteve dhe riparimi i automjeteve” rritje me 14,2 %.

Në ndryshim tremujor, ky tregues paraqet rritje 9,5 % në aktivitetin “Tregti me shumicë”, ndërkaq në aktivitetin “Tregti me pakicë dhe shumicë e automjeteve dhe riparimi i automjeteve” ka patur rritje me 5,5 % krahasuar me tremujorin e katërt 2015.

 Transport dhe magazinim

Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Transport dhe magazinim” paraqet një rritje me 10,7 % krahasuar me tremujorin e parë 2015.

Ndryshimi tremujor i këtij treguesi në aktivitetin “Transport dhe magazinim” shënoi një rritje me 6,7 % krahasuar me tremujorin e katërt 2015.

Referuar të njëjtit aktivitet, ndryshimi vjetor i indeksit të fondit të pagave paraqet një rritje me 4,9 %.

Krahasuar me tremujorin e katërt 2015, indeksi i fondit të pagave në aktivitetin “Transport dhe magazinim” paraqitet me ulje 2,2 %.

 Hotele

Ndryshimi vjetor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë në tremujorin e parë 2016 paraqet rritje 11,7 %, ndërsa ndryshimi tremujor, krahasuar me tremujorin e katërt 2015, i këtij treguesi paraqet rënie 1,7 %.

Ndryshimi vjetor i fondit të pagave në ndërmarrjet e aktivitetit “Hotele” paraqet rritje 13,9 % krahasuar me tremujorin e parë 2015, ndërsa ndryshimi tremujor i këtij treguesi, krahasuar me tremujorin e katërt 2015, paraqet rritje 4,2 %.

 Informacioni dhe Komunikacioni

Në tremujorin e parë 2016 krahasuar me tremujorin e parë 2015, indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë, në aktivitetin “Informacioni dhe Komunikacioni”, paraqitet me rritje 10,6 %.

Ndryshimi tremujor i indeksit të numrit të të punësuarve me pagesë referuar të njejtit aktivitet paraqet rritje 0,9 %.

Fondi i pagave në aktivitetin “Informacioni dhe komunikacioni” paraqitet me rënie 1,3 % në tremujorin parë 2016 krahasuar me tremujorin e parë 2015, ndërsa ndryshimi tremujor i indeksit të fondit të pagave paraqet rritje 1,9 % në krahasim me tremujorin e katërt 2015.

Ndërtimi ka qenë i vetmi sektor që ka raportuar ulje të pagave dhe numrit të të punësuarve. Indeksi i numrit të të punësuarve me pagesë në aktivitetin “Ndërtim” në tremujorin e parë 2016 krahasuar me tremujorin e katërt 2015, shënoi rënie prej 2,9 %, ndërkaq fondi i pagave shënoi rënie prej 1,1 %.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.036133050918579
array(1) { ["section"]=> string(62) "rritet-numiri-i-te-punesuarve-ulen-pagat-ne-disa-biznese-45938" }