Sadna dhe 4 vjeçari

Publikuar tek: analiza-komente, më 19:44 03-02-2016 Sadna dhe 4 vjeçari

Nga Arian Galdini

Mbrëmë e vërteta na përzhiti ndërgjegjet tona. Shumëkush u tall, e plot të tjerë me të vërtetë, shprehën pikëllimin e tyre për vdekjen e Sadnës, në një telefilm indian mediokër.

Dhe pak, shumë pak shkruan për 4 vjeçarin që u përcëllua i gjallë këtu në mes të Tiranës.

Brenda pak ditëve, patëm disa aksidente me të plagosur për shkak të shpërthimeve të bombolave të gazit. Mbrëmë patëm një viktimë të pafajshme.

E ky na duket normalitet.

E lejojmë, e pranojmë të keqen si të jetë diçka që na kalon përkarshi, e ne pothuajse nuk e vëmë re fare.

Ndërkohë jetojmë e përthithemi nga telenovela mediokre e personazhe të tyre, a thua se ai është realiteti ku jetojmë, ndonëse jemi në gjendjen psiqike: ah sikur...

Na dhemb Sadna, Zhadja, Paloma, Shahu babai i Ertugrulit, e ku di unë kush tjetër.

Por djaloshi 4 vjeçar, që nuk është në telenovelë, por në jetën prej vërteti, që nuk është në ‘ah sikur’, por ne ç’ka jemi, nuk na e cek fare ndjeshmërinë.

Dhe a e dini pse?

Sepse atij nuk i ndodhi ndonjë gjë e jashtëzakonshme nga ndonjë armik që ne mund ta stigmatizojmë.

Atij i ndodhi një tmerr i zakonshëm, nga një armik me të cilin ne çdo ditë jetojmë.

Atë e përcëlloi antijeta, mos-siguria e jetës me të cilën ne kemi bërë ujdi të bashkëudhëtojmë.

Ne ngrohemi e gatuajmë me gaz të pasigurtë e të ndotur, ne ushqehemi me ushqime të skaduara e falcifikuara, ne përdorim ilaçe të skaduara e të falcifikuara, ne jetojmë në apartamente të ndërtuara me materiale të ndaluara e për faqe të zezë, ne ecim në rrugë të rrezikshme, ne blejmë ujë për të pirë, kur uji që na vjen në rubineta është i ndotur, ne..., ne...., ne....,... etj, etj, etj...

Ne humbëm një artist si Dr. Flori, pse Ambulanca nuk i shkoi në kohë. Edhe mbrëmë djaloshi 4 vjeçar shkoi në amëshim i pafajshëm mes tmerrit, sepse as Ambulanca, as Zjarrëfikësja, e as Policia nuk i shkuan në kohë. E megjithatë ne pranojmë që Urgjenca të mbyllet e aty të na ndërtojnë një tjetër Pallat.

Dhe në fund, ne nuk kërkojmë llogari ndaj askujt për asgjë prej këtyre.

Në fund dorëzohemi.

Ose ulim kokën e për një vend pune, shkojmë e bëhemi dele partie.

Ose ulim kokën, hamë turpin me bukë dhe e shesim voten 20 mijë lekë të vjetra.

Dhe kur bashkëjetuesi ynë armik, pra antijeta, na përzhit një djalosh 4 vjeçar, ne heshtim dhe vazhdojmë ditën të qetë.

Nuk pyesim, si ndodhi, pse ndodhi, e a mund të ndalet?

Nuk pyesim fare, sepse e dimë që sot ne do të vazhdojmë të bashkëjetojmë me antijetën. Sot ne nuk do të marim të gjithë bombolat e gazit e ti dorëzojmë para Kryeministrisë.

Jo.

Ne sot do të vazhdojmë të ngrohemi me to, do të gatuajmë me to.

Kur them të dalim me bombola për ti dorëzuar para Kryeministrisë, nuk kam parasysh fare politizimin e kësaj historie.

Jo jo, aspak.

Por qytetarët reagojnë, guxojnë, veprojnë.

Qytetarët refuzojnë të bashkëjetojnë me antijetën.

Prandaj duhet ti kërkojnë Qeverisë tu sjellë në shtëpi shpresën dhe sigurinë për jetën.

Nëse nuk e bëjmë dot këtë, atëherë bëhuni gati se Sadnës do ti vdesë edhe Kunati....

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.006782054901123
array(1) { ["section"]=> string(25) "sadna-dhe-4-vjecari-31668" }