Sejko: Marrëveshja me FMN-në i ka arritur objektivat e saj, rritja ekonomike në përmirësim gjatë viteve të fundit

Publikuar tek: ekonomi, më 18:58 24-01-2017 Sejko: Marrëveshja me FMN-në i ka arritur objektivat e saj, rritja ekonomike në përmirësim gjatë viteve të fundit

Në konferencën e përbashkët me Misionin e FMN-së dhe Ministrin e Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi rëndësinë e marrëveshjes me FMN-në, realizimin e objektivave madhorë të saj dhe rritjen ekonomike e cila ka qenë në përmirësim gjatë viteve të fundit.

Sejko theksoi se  Banka e Shqipërisë ka bërë progres të dukshëm në forcimin e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë. Po ashtu rreziku i kreditit është ulur dhe kreditë me probleme janë reduktuar, ndonëse niveli i tyre mbetet ende i lartë.

Më pas guvernatori theksoi se borxhi publik i vendit duket se është vendosur në një trajektore rënëse.

FJALA E PLOTË E GUVERNATORIT GENT SEJKO:

Fillimi i vitit 2017 korrespondon me përmbylljen e Marrëveshjes që kemi patur me FMN-në. Kjo marrëveshje ka orientuar politikat tona të zhvillimit gjatë tre viteve të shkuara, si dhe ka ofruar një udhërrëfyes afatgjatë për axhendën e reformave strukturore. Në këtë kontekst, gjykoj se rishikimi i fundit i Marrëveshjes na mundëson jo vetëm një vlerësim tërësor të përmbushjes së objektivave të saj, por ai i hap gjithashtu rrugë identifikimit të sfidave të zhvillimit të vendit dhe diskutimit mbi politikat që duhen ndërmarrë për mbështetjen e këtij zhvillimi.

Më lejoni t’ju paraqes në mënyrë të përmbledhur opinionin e Bankës së Shqipërisë mbi rishikimin e radhës.

Marrëveshja me FMN u nënshkrua në prani të një ambienti të huaj ekonomik dhe financiar të pasigurt, si dhe në përgjigje të thellimit të sfidave të brendshme të zhvillimit. Rritja ekonomike ishte në ngadalësim, borxhi publik dhe kreditë me probleme kishin tendenca rritëse, ndërsa pasiguria në ekonomi dhe në tregjet financiare shqiptare ishte relativisht e lartë. Nëpërmjet mbështetjes me ekspertizë dhe fonde, programi i dakorduar me FMN ka synuar hartimin e një miksi të duhur politikash monetare e fiskale, korrektimin strukturor të zhbalancimeve fiskale, përmirësimin e bilanceve të agjentëve ekonomikë, si dhe zbatimin e një programi ambicioz reformash strukturore, në funksion të mbështetjes së zhvillimit afatgjatë të vendit.

Banka e Shqipërisë konstaton se Marrëveshja i ka arritur objektivat madhorë të saj: korrektimin e zhbalancimeve strukturore, dhe vendosjen e vendit në një plan më të qëndrueshëm të rritjes afatgjatë.

Rritja ekonomike ka ardhur në përmirësim gjatë viteve të fundit, e mbështetur – ndër të tjera – nga kombinimi i stimulit monetar me konsolidimin fiskal, nga reduktimi i primeve të rrezikut në ekonomi, si dhe nga përmirësimi i bilanceve të sektorit real. Në një perspektivë më afatgjatë, reformat strukturore dhe përmirësimi i klimës së biznesit duhet t’i hapin rrugë një rritjeje më të shpejtë, më të balancuar dhe më të qëndrueshme.

Gjithashtu, duke përjashtuar efektin e goditjeve të ofertës, inflacioni ka regjistruar një trend rritës së fundmi. Përmirësimi i aktivitetit ekonomik, ndjekja e një politike të kujdesshme monetare dhe një ankorim më i mirë i pritjeve inflacioniste, na bëjnë konfident në kthimin e qëndrueshëm të inflacionit pranë objektivit tonë prej 3%.

Së fundi, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në forcimin e ekuilibrave të tjerë ekonomikë dhe financiarë. Rrjetet e sigurisë në sistemin financiar janë forcuar. Kuadri institucional që formaton koordinimin, hartimin dhe zbatimin e masave për ruajtjen e stabilitetit financiar është përmirësuar. Kuadri ligjor e nënligjor që disiplinon respektimin e kontratave është përmirësuar. Rreziku i kreditit është ulur dhe kreditë me probleme janë reduktuar, ndonëse niveli i tyre mbetet ende i lartë. Pasi kulmoi në vitin 2015, borxhi publik i vendit duket se është vendosur në një trajektore rënëse. Gjithashtu, pozicioni i jashtëm i vendit mbetet i qëndrueshëm dhe deficitet e llogarisë korrente janë financuar nga nivele të larta të investimeve të huaja direkte.

Duke u kthyer te zhvillimet më të fundit, Banka e Shqipërisë gjykon se treguesit e fundit ekonomikë dhe financiarë kanë qenë në përputhje me parashikimet tona.

Kjo ecuri rikonfirmon edhe një herë skenarin tonë të pritjeve për të ardhmen. Banka e Shqipërisë pret një aktivitet ekonomik në përmirësim gjatë horizontit kohor afatmesëm. Ky përmirësim do të mundësojë kthimin e ekonomisë në ekuilibër, përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të tregut të punës, si dhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Perspektiva e zhvillimit të vendit mbetet pozitive, por garantimi i saj do të vazhdojë të kërkojë ndjekjen e politikave të kujdesshme ekonomike dhe ndërmarrjen e reformave të mëtejshme strukturore. Këto politika dhe reforma duhet të jenë, në thelb, një vazhdim i filozofisë që ka udhëhequr nismat dhe hapat që kemi ndërmarrë gjatë viteve të fundit.

Në mënyrë të përmbledhur, Banka e Shqipërisë gjykon se:

Kombinimi aktual i politikave ekonomike, i bazuar në një politikë monetare stimuluese, dhe në një politikë fiskale të orientuar drejt reduktimit të borxhit publik, duhet të ruhet. Politika monetare do të vazhdojë të mbetet stimuluese përgjatë horizontit kohor afatmesëm, ndërsa intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me nevojat e zhvillimit të vendit.

Klima e biznesit në vend duhet të përmirësohet më tej. Banka e Shqipërisë gjykon se tërheqja e investimeve të huaja, por edhe mbështetja e stimulimi i atyre vendase, duhet të jenë në fokusin e punës të vendimmarrësve.

Reformat strukturore duhet të përshpejtohen dhe avantazhet konkurruese të vendit duhet të fuqizohen më tej.

Në mbyllje, dëshiroj edhe një herë të falënderoj Misionin e FMN-së për bisedimet e dobishme dhe konstruktive që kemi pasur.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.03108811378479
array(1) { ["section"]=> string(117) "sejko-marreveshja-me-fmn-ne-i-ka-arritur-objektivat-e-saj-rritja-ekonomike-ne-permiresim-gjate-viteve-te-fundit-66531" }