Sejko në SHBA: Rritja ekonomike është në trajektoren e duhur, angazhim kryesor trajtimi i kredive me probleme

Publikuar tek: ekonomi, më 13:59 11-10-2016 Sejko në SHBA: Rritja ekonomike është në trajektoren e duhur, angazhim kryesor trajtimi i kredive me probleme

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në SHBA.

Gjatë pjesëmarrjes në këto mbledhje, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilat veçojmë: nga FMN-ja me Tao Zhang, Zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së, Carlo Cottarelli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë, z. Poul Thomsen, Drejtor i Departamentit Evropian, etj.

Gjatë këtyre mbledhjeve, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së u shprehën pozitivisht lidhur me bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm me autoritetet shqiptare, vlerësuan progresin e arritur me reformat dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të mëtejshëm të tyre.

Në këto takime, Guvernatori Sejko prezantoi panoramën ekonomike të vendit ku theksoi se rritja ekonomike është në një trajektore pozitive zhvillimi.

Guvernatori Sejko gjithashtu u shpreh se rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Më tej, ai bëri një ekspoze të sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, si dhe paraqiti kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit.

Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte nxitja e nivelit të kreditimit dhe ulja e kredive me probleme. Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë i ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë, në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend dhe në rritjen e kreditimit të ekonomisë, megjithëse kjo ecuri vlerësohet ende e brishtë.

Lidhur me çështjen e kredive me probleme dhe masave të marra nga ana e Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore.

Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e Fondit ndanë të njëjtin mendim se zgjidhja e çështjes së kredive me probleme ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm për sistemin bankar, por për të gjithë ekonominë. Në përfundim, u theksua se sistemi bankar shqiptar vlerësohet financiarisht i shëndetshëm, me një nivel të lartë kapitalizimi dhe likuiditeti.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.047228097915649
array(1) { ["section"]=> string(113) "sejko-ne-shba-rritja-ekonomike-eshte-ne-trajektoren-e-duhur-angazhim-kryesor-trajtimi-i-kredive-me-probleme-55809" }