SELAMANI QË BËN DYJARE, mjeshtri vranishiot i gurit

Publikuar tek: kulture-art, më 08:43 08-09-2018 SELAMANI QË BËN DYJARE, mjeshtri vranishiot i gurit Selman Pazaj

Shkruan Sejmen Gjokoli

 

-me Selman Pazaj, mjeshtrin vranishiot të gurit-

Të dytë nuk mund të gjesh askund ndër gdhendës e përpunues guri. Në trojet shqiptare jo, por me sa kam parë as më tutje.
Se nuk gjëndet tjetër njeri që të bëjë gurin të “këndojë”. Të nxjerrë nota, tinguj e melodi. Kjo histori ka vetëm një emër : Selman Pazaj: lindur, rritur e banues aty ku i ka rënë koka tetë dekada të shkuara, aty në Vranisht të Vlorës.
Mund të kesh dëgjuar diçka më parë rreth këtij njeriu, mund edhe të të këtë folë dikush për poritë që nxjerr nga dora. Por tjetër gjë kur e takon nga afër, kur bisedon, të spjegon e shikon me sy prodhimtarinë e tij. Të gjithë të gurtë. 
Të gurtë, nga copa shkëmbinjsh e radhonj të Bogonicës, malit në faqen e të cilit, den babaden, mbështetet edhe banesa e tij si në shkëmb. 
Së pari duhet të fërkosh sytë, pastaj duhet ti prekësh me dorë gjithshka të sendërtuar që ke rastin ti shikosh, aty ku i ka vendosur në dhomën “muze”.
Cyla dyjare,shqiponja “me krahë e pëndë”, tabaka me filxhane kafeje e me filxhane çaji, kabashë uji, enë të ndryshme, lugë me bilbila, çibuqe lloi-lloi e deri nepërka shullëri.
Një botë e tërë guri e kthyer në art. Gati i pabesueshëm ky transformim guri. Me kaq shumë art, finesë, përsosmëri. Punuar vetëm me duar, me skrapello, çekan, ca si tyrjela prej hekuri e ca si punto dore për bira. Një trashëgimi e tërë që të le me gojë hapur. E denjë për expozita kryeqytetesh europiane apo muze botërore epokash guri.
Dhe mes kësaj gurërie produktesh, realizimi i cylës dyjare përbën një rast që duhet ti referohen studiuesit ata që modelojnë e trajtojnë shkencërisht marrdhënie të njeriut me natyrën, me mjedisin. Se, nuk bëhët fjalë thjesht për ca punime dekorative qoftë edhe në gur. Jo. Nga copa shkëmbi formësohen sende si të punohej mbi dru a plastelinë.Prej tyre dalin tinguj e melodi si të jenë akorduar në laboratore veglash muzikore. Dhe për këtë Mjeshtri s’të le të hamendësosh apo të ngresh dyshime. I merr një nga një, i vë në buzë dhe plot mjeshtëri luan gishtat mbi brima. Mbi brimat nota pentagrami. Ndjen keqardhje që tani se ka më Arapin, Arap Çeloleskën, këngëtarin, valltarin dhe instrumentistin e madh të Vranishtit e Labërisë. Ay i ulte mbi syprinë zogjtë e bilbilat e malit kur provonte e u binte dyjareve që nxirrte nga duart Selmani. 
E pyes nga se e prej kur i ka lindur ky pasion, kjo marrdhënie e dashuri me gurin.
Duhet të këm qenë 15 apo 16 vjeç – më thotë. Shikoja Remzi Maton nga Fterra, at’here i moshuar që bëntë zare me gurë. Zare që luhet shesh-besh. I fërkonte në dysheme, u jepte formën dhe pastaj me një gjirpërë, avash-avash u bëntë birat, aq sa duheshin. Aty kam parë që edhe guri me durim mund të “zbutet”.
Unë gurin e zgjedh nga mali, përdor një madem që kur i godet me varre lëshon një zhurmë si zile.
Pastaj me skrapello e me çekan i bëj në kallëpe sipas madhësisë që më duhet dyjarja e filloj tu jap formën.
Duhet punë me durim të madh se është delikat guri. Pesë apo gjashtë muaj më ha një dyjare, varet nga madhësia. Me një tyrjelë, gëxh-gëxh me dorë, i hap birat. Birat e vogla, ato që u thonë nota, me një punto të vogël, prapë me dorë. Në fillim u bëj shënjën me majën e biçakut. 
Bilbilat prap me gurë e me të lëmuar, avash-avash, si xha Remziu në ato kohë. Se dyjarja duhet e lëmuar, si e hekurosur, si ato prej druri që ergasen në gjalp.
Pastaj më tregon se e ka një merak. Një dyjare e ka bërë nga një gur i veçantë, e bardhë borë. E ka bërë për ta dërguar si dhuratë në Shtëpinë e Bardhë, në Amerikë. Prej kullave binjake që u shkatërruan i ka lindur idea. Se për Selman Pazaj dy cylat e dyjares i ngjajnë me dy kulla por që këto nxjerrin vetëm tinguj të magjishëm folku.
Është i brengosur që asnjë s’ja ka marrë përsipër t’ja çojë deri te Ambasada në Tiranë.
Edhe pse nëpër kohë ua ka kërkuar këtë disa “të mëdhenjve” të pushtetit.
Dhe dyjaren e bardhë për Shtëpinë e bardhë e ka aty në një sepete më vehte...
Selman Pazaj sapo ka nisur “udhën” drejt dekadës së nëntë po gurin se ka ndarë.
Tani edhe më avash, ndonjëherë edhe e tradhëtojnë duart, edhe frymën kur ja nis dyjares ti bjerë se mban dot si më parë.
Por prapë duart i punojnë e notat e gurta i binden paqësisht për të nxjerrë e përhapur melodi.
Ky mjeshtër i madh pa diploma e dekorata që rron e përcjell trashëgimi si të jetë akademi kulture.
Të paçim sa guri, Selman i gurit!
............................................
*ky portret si të tjerë më parë e të tjerë në vijim publikohen në faqen time në Fb në kuadër të 29 shtatorit, “ Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” si inisiativë e DRTK-Vlorë.

41382360_10211783065952877_6615671489058308096_n.jpg

40889470_10211783102353787_3845076137533243392_n.jpg

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Grupi i njohur ‘Elita 5’ performon sot te Amfiteatri, Veliaj i jep ‘Çelësin e Qytetit’
»
Article Logic
Execution time: 0.033324003219604
array(1) { ["section"]=> string(57) "selamani-qe-ben-dyjare-mjeshtri-vranishiot-i-gurit-133599" }