Seriali i famshëm përfundoi por “Albanian Game of Thrones”, sapo ka nisur…

Publikuar tek: fcb-bomb, më 13:16 20-05-2019 Seriali i famshëm përfundoi por “Albanian Game of Thrones”, sapo ka nisur…

Nga Alfred Peza

Duke zbardhur dita e sotme miliona e miliona njerëz në mbarë globin, kanë ndjekur me një audiencë rekord, episodin e fundit të sagës epike “Game of Thrones”. Në përfundim të saj, pas 8 sezonesh dhe 73 episodesh është zbardhur më në fund, enigma që ka mbajtur pezull kuriozitetin e serialit më të famshëm të viteve të fundit.

“Shtatë Mbretëritë e Westeros” kanë tashmë një Mbret të ri. Dragon e shkriu “Fronin e Shpatave”. Ndryshe nga të gjitha parashikimet e fansave, Mbreti nuk është as Jon Snow, as Daenerys Targaryen. Triumfuesi nuk është as Tyrion Lannister e as Sansa Stark, siç mund të kenë menduar ata që ende besojnë se demokracia është një lojë ku në fund, gjithmonë triumfon meritokracia, logjika, e mira dhe arsyeja.

Mbreti i ri është Bran Stark, i mbetur i paralizuar që në fëmijëri, kur ra pre e pafajësisë së tij pasi u bë dëshmitar i një incesti Mbretëror. Mesazhi i këtij triumfi për shumëkënd ishte i paarsyeshëm. Por, filozofia fituese është; sakrifica shpërblehet. Familja Stark tregoi aftësi të jashtëzakonshme rimëkëmbjeje, nëpërmjet mbijetesës afatgjatë. Kur rikujton se edhe Night’s King u vra përpara tij, kurorëzimi i Bran Stark në fund, nis e mer edhe më tepër kuptim.

Tre prej fëmijëve të Starkëve mbijetuan dhe ishin ende gjallë në fund të filmit. Edhe Jon Snow një nga më të parapëlqyerit për të qenë Mbreti në fund, është me gjak Starkësh për shkak të nënës së tij, Lyanna. “Game of Thrones” nisi si historia e familjes Stark, që u kundërvihej familjeve të tjera mbretërore të Shtatë Mbretërive, të cilët në fund u shkatërruan pothuajse të gjitha. Mbretërit e tjerë nuk arritën të triumfonin. Ndaj, siç është zakon tashmë nga historia: Mbretërit vdiqën. Rroftë Mbreti… i ri!

Seriali që sapo përfundoi, prej shumë vitesh është konsideruar si një shkollë politike, për gjithkënd që është edhe vetë pjesë e lojës së vogël apo të madhe të saj. Pak rëndësi ka se në cilin vend të globit sot jeton, se në çregjim, se çpozicion ka në hierarkitë politike, qeveritare apo shtetërore. “Game of Thrones” ka qenë një abetare për tu orientuar në të gjitha labirinthet e intrigës së pushtetit. Jo vetëm për aktorët e kësaj loje në shekullin e XXI, por edhe për spektatorët e saj të panumërt, në të gjithë globin.

Edhe në Shqipëri, prej 30 vjetësh po luhet sipas të gjitha rregullave universale por edhe me specifikat e veta; “Albanian Game of Thrones”. Finalja e saj, për të mësuar se kush do ta dominojë “Fronin e hekurt” shqiptar, duket se po përkon me zgjedhjet e përgjithshme lokale të 30 qershorit. Mazhoranca dhe opozita kanë hyrë në një luftë për jetë a vdekje politike, e cila sipas Sali Berishës do të ketë vetëm një fund: Ose do të iki Edi Rama, ose do të shkrihet opozita!

Intriga bëhet më e plotë, po të kemi parasysh se brenda vendit në lojë ka nisur të hyjë drejtësia e re me SPAK e BKH. Ndërshkimi për të gjitha krimet dhe korrupsionin e 30 viteve të shkuara të postkomunizmit, duket se ka trokitur. Ndërsa për 30 vitet e ardhshme, është në lojë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, i cili nëse arrihet përshpejton nëpërmjet ritmeve të reja largimin më të shpejtë nga skena të elitës së vjetër të korruptuar e kriminalizuar të vendit.

Kush do triumfojë në këtë përplasje ku për analogji të serialit, “7 Mbretëritë shqiptare” personifikohen në serinë e shkrimeve të përditshme të “Albanian Game of Thrones”, me “7 Mbretërit” pretendentë për fronin e politikës shqiptare në Ballkan që lidhet me drejtimin e qeverisë në Tiranë. Ata janë: Edi Rama e Hashim Thaçi nga njëra anë. Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Ramush Haradinaj në anën tjetër dhe Ali Ahmeti mes tyre. Kush do të triumfojë në fund?

Ky cikël shkrimesh me titullin “Albanian Game of Thrones”, ka nisur nga 1 maji. Ne do ta vazhdojmë ta përshkruajmë sagën shqiptare të luftës për pushtet, deri pas 30 Qershorit kur gjithçka të sqarohet. E sigurtë është se njëra nga të dyja “vezët”, që po përplasen më fort se kurrë më parë, do të thyhet.

Kush do të triumfojë në Shqipëri: Mazhoranca e Edi Ramës apo opozita jashtparlamentare dhe antisistem e Sali Berishës, Ilir Metës, Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit?

Kjo është çështja!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0071659088134766
array(1) { ["section"]=> string(77) "seriali-i-famshem-perfundoi-por-albanian-game-of-thrones-sapo-ka-nisur-164980" }