Shkatërrimi i Osumit me HEC, si të jemi një popull impotent!

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:48 08-02-2018 Shkatërrimi i Osumit me HEC, si të jemi një popull impotent!

Çapajev Gjokutaj

Prej dy ditësh Top Chnnel po përcjell shqetësimin për dy hidrocentrale mbi kanionet e Osumit. Bëhet fjalë për ndërtime në një park të shpallur Monument Natyre. Shkelje e ligjit me dy këmbë! Bëhet fjalë gjithashtu për një nga pasuritë më të çmuara natyrore, shumë ngashënyese për turistët.

Po kush pyet për bukuritë e kanioneve dhe për turizmin? Rëndësi ka që një firmë të ndërtojë lehtë e të sigurojë fitime të mëdha. Po pati pare me shumicë, dalin e teprojnë që të lyhet dhe qerrja e pushtetarëve. Perspektiva turistike do gjallëronte rajonin dhe do inkrajonte dhjetra biznese të vogla. Po këto janë si punë pleshtash para biznesit të madh. Dhe pushtetarët e dinë mirë interesin e xhepit të tyre. Më sa del dhjamë nga pleshti, aq mund të marrin ryshfete të majme nga bizneset e vogla. Odiseja e aprovimit të lejeve për këto dy hidrocentrale është gjithë domethenie. I aprovoi qeveria demokrate në 2013-ën, shpejt e shpejt, vetëm një javë para ikjes.

Qeveria socialiste, sa erdhi në zyra, e quajti marrëzi e babëzi cenimin e kanioneve. Po muri s’luan, kurse burri luan, madje bën dhe pirueta kur e do interesi. Natyrisht jo interesi i vendit dhe i popullit. Në maj 2016, Ministria e Energjisë, pa çak pa bam, ka miratuar një kontratë të re. Jepet leja që dy hidrocentralet, jo vetëm të ndërtohen, por të rritet kapaciteti i tyre gati tre fish. Afër mendsh, po kaq, në mos më shumë do rritet edhe shkatërrimi i ambjentit. Lejet janë dhenë edhe pse brenda maxhorancës ka patur e ka zëra kundër. Dhe janë persona me peshë si ish kryetari i kuvendit, ministri aktual i mjedisit, kryetari i komisionit të ekonomisë në parlament etj.

Po topi bam e Muçua tutje! Leja e ndërtimit është dhenë pavarësisht kundërshtive. S’thoshte kot usta Spirua: paraja e rreh ujin jo në dybek, por në havan dhe ç’të rrahur, nxjerr edhe gjalpë. Që paraja e ryshfeti bëjnë çudira e kupton dhe bufi në këtë vend. Por unë s’kuptoj një gjë. Ambjentin, territorin, dheun e këtij vendi e kemi sublimuar e shenjtëruar në fjalë si ‘mëmëdhe, atdhe, trojet stërgjyshore’ etj. etj. Jo vetëm kaq, s’lemë rast pa glorifikuar gjakun e djersën e derdhur për këtë dhé.

Por në ketë çerek shekulli tranzicion kemi parë pyje të tëra të prera e të djegura, lumenj të gërryer për zhavorr, që kafshojnë tokat stërgjyshore dhe i shpien në det. Dhe dhjetra mynxyra të këtij lloji. Por shumë shumë kemi bërë gëk-mëk nëpër media e rjete sociale. Si të ishim popull memec e, larg qoftë, impotent. Po një gjë s’e luan topi, kur është fjala për dheun e të parëve, ne të marrim gjak në vetull!

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « ‘Mos u merrni me fatkeqët, por me barkdreqët’
»
Article Logic
Execution time: 0.0039980411529541
array(1) { ["section"]=> string(65) "shkaterrimi-i-osumit-me-hec-si-te-jemi-nje-popull-impotent-109549" }