Shkëlqim Cani: Ja ku shkuan 15,5 miliardë lekë që i mungojnë buxhetit

Publikuar tek: politike, më 06:36 09-09-2015 Shkëlqim Cani: Ja ku shkuan 15,5 miliardë lekë që i mungojnë buxhetit

Në buxhetin e shtetit në shtatë muajt e parë të vitit mungojnë jo pak por, 15.5 miliardë lekë. Ministri i Financave argumenton se kjo mungesë vjen për shkak të ndryshimit të modelit ekonomik, i cili tashmë është bazuar në prodhim dhe jo në import.

Por ky argument nuk duket bindës për ish-ministrin e Financave Ridvan Bode, i cili e cilëson të dështuar politikën ekonomike të qeverisë. Kreu i Financave Shkëlqim Cani ishte dje në Komisionin e Ekonomisë ku deklaroi se mosrealizimi i të ardhurave nuk ka ardhur nga evazioni, por është rezultat i zhvillimeve pozitive në ekonominë e brendshme.

Sipas tij, të ardhurat kanë rënë për shkak të rritjes së prodhimit të brendshëm në sektorin bujqësor dhe atë energjetik, si dhe nga rënia e interesave në tregun bankar.

“2,3 miliardë lekë nga këto 15,5 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe atij të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. 1,3 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së importit të energjisë elektrike; 1,2 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së normës së interesit. Në qoftë se do t’i mblidhnim të gjitha argumentet që parashtrova, të ardhurat e munguara janë 15,5 mld lekë dhe të argumentuara jashtë mundësive e kapacitetit të menaxhimit të qeverisë janë mbi 15,5 mld lekë”, u shpreh ministri Cani, transmeton “Gazeta Shqiptare”.

Ish-ministri i Financave Ridvan Bode e cilësoi argumentin e ministrit të Financave si qesharak dhe jo serioz. Sipas tij, shkurtimi i buxhetit ka vetëm një shkak: Dështimin e politikave të qeverisë.

“Qeveria nuk e sheh të vërtetën në sy, nuk sulmon thelbin e çështjes së problemit, që është platforma e rritjes progresive të taksave, akti normativ i së cilës dëshmon funeralin e asaj që u pohua si zgjidhje e madhe për ekonominë e vendit, por reket të gjejë justifikime shpesh herë qesharake, siç dëgjuam edhe sot këtu”, tha ish-ministri i Financave, Bode.

Kjo deklaratë shkaktoi debate të forta, teksa socialistët i kujtuan ish-kryefinancierit të djathtë se, gjatë kohës që ishte në pushtet, e ka shkurtuar planin e të ardhurave me 1.5 miliardë dollarë. Në fund, akti normativ i buxhetit, i cili shkurton me 22.4 miliardë lekë planin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër.

Ndryshimet e parashikuara në buxhetin e 2015 do të bëjnë të mundur, sipas relatorit, krijimin e kushteve optimale, me kuadër ligjor adekuat dhe fonde të nevojshme buxhetore për funksionimin e pushtetit vendor dhe fillimin e zbatimit të reformës së re administrativo-territoriale, si dhe rialokimin e burimeve të financimit të investimeve, nga financim i huaj në financim të brendshëm, duke garantuar që investimet të realizohen efektivisht dhe njëkohësisht ekonomisë t’i sigurohen incentivat e nevojshme për performim të mirë.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ledi Shamku për herë të parë lavdëron tekstet shkollore
Ja cili është “ish-kryeministri i proceduar më parë për korrupsion” i skandalit CEZ-DIA »
Article Logic
Execution time: 0.004551887512207
array(1) { ["section"]=> string(74) "shkelqim-cani-ja-ku-shkuan-15-5-miliarde-leke-qe-i-mungojne-buxhetit-20306" }