Shkencë në kohë kolere

Publikuar tek: analiza-komente, më 21:37 26-01-2019 Shkencë në kohë kolere Foto: Living

NGA ARTAN FUGA

Shkencë në kohë kolere

---------------------

Ajo që ndodhi atë ditë, këtu e ndofta nja njëzet vjet më parë, nuk më është shkulur ende nga kujtesa. Aq e vrullshme ishte rrjedha e ngjarjes që do të tregoj, saqë më ka lënë mbresa të tilla ku dallohen edhe detajet më të vogla të së kaluarës.

Ishte një situatë e tensionuar parazgjedhore. Nuk ishin nga ato zgjedhje që ndryshojnë qeveritë pa ndonjë lloj drame, si një rutinë e mërzitshme dhe si lojë e thjeshtë e demokracisë. Pak muaj para sesa të niste ajo fushatë zgjedhore, Shqipëria kishte qenë e tëra në zjarr e flakë, e tronditur në themele nga përplasjet masive midis pushtetit dhe turmave masive të zemëruara nga humbja e parave të vendosura në arkat e firmave piramidale. Sidomos e gjithë zona e Jugut vazhdonte të ishte akoma shumë e tensionuar. Në disa qytete fitorja në zgjedhje e krahut kundërshtar me qeverinë ishte bërë një çështje për jetë a vdekje.

Qarkullimi në këto zona mbetej ende i vështirë sepse rendi vazhdonte të ishte i brishtë.

E pikërisht në një nga ato ditë të trazuara dhe me një lloj ankthi që ndjell masakra, në atë klimë ku nuk merrej fort vesh nëse do të kishte zgjedhje të qeta - ku njeriu normal pasi ngrihet disi i përgjumur, ha bukë me reçel, pi kafen e mëngjesit, dhe duke hedhur hapat me përtaci në rrugë futet në dhomën e votimit dhe pasi shkarravit diçka zgjat dorën për ta futur copën e letrës në kosh – apo do të

kishin përballje rishtazi me armë, qysh në mëngjes herët më zgjoi zilja e telefonit.

Tringëllinte çuditshëm.

Nga ana tjetër dëgjova zërin e njohur, paksa tallës, kumbues, të një mikut tim të vjetër që e kisha edhe koleg. Të dy në fakt jepnim mësim në të njëjtën shkollë dhe ishim të pasionuar pas anketave sociologjike në terren.

«A do të vish të shkojmë sot në F.?» – më pyeti dhe si pa kuptuar, pa shkak e pa arsye, ia krisi të qeshurit.

«Ti tallesh si gjithmonë – ia ktheva. Ku shkohet atje në këtë kohë ? Atje s’e merr vesh më i pari të dytin. Apo do të na kapë ndonjë kokërr plumbi ashtu si pa dashje.» – shtova për t’ia ndërprerë të qeshurën e tij tallëse.

«Jo ore jo», u ndje përtej telit zëri kësaj radhe serioz i mikut tim. «Unë nisem për nja gjysmë ore. Do të shkoj të bëj një sondazh sociologjik për pritshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve. Të gjitha i kam rregulluar. Do të nisem tani për dhjetë minuta e do të kthehem në darkë. Edhe veturën që do të na shpjerë e kam siguruar vetë. Janë dy miq të mi që punojnë në kryqin e kuq shqiptar dhe që shkojnë atje sot me shërbim për punët e tyre. Kanë një Land Rover të madh në dispozicion. Më thuaj shpejt se nuk kam nge të sorollatem. A do të vish, apo nuk ta mban?»

Nuk e di sesi më erdhi ashtu papritmas dhe menjëherë thashë: «Mirë. Ja erdha, më prit sa të vishem.»

Edhe sot e kësaj dite nuk e di se ç’më shtyu të pranoja të shkoja me të në atë udhëtim të marrë. Për të keqen time. Ndofta veprova ashtu sepse e kam shumë të vështirë të them «Jo». Fjala më e turpshme dhe banale për mua është kur thua «Jo».

Mbase sepse nganjëherë më shkrep të them «mirë» pa u menduar gjatë, për t’i hyrë një aventure, duke shpresuar se prej saj, sido që të jetë puna, qoftë edhe në mes të rrugës, mund të ndalesh dhe të bësh kthesë. Për të mos hyrë diku është e thjeshtë fare, por edhe po kaq e mërzitshme, ndërsa të hysh për ta provuar një herë rrezikun dhe pastaj, po nuk të pëlqeu, të dalësh që andej, kjo është një gjë shumë eksituese.

Ndonjëherë kam edhe një përtaci të madhe për të menduar fjalët që them. Duken aq pa vlerë, si të gjitha fjalët e kota, jo si të gjitha tamam, por së paku, si shumica e fjalëve që thuhen ashtu si nëpër tym.

Mbase iu përgjigja pozitivisht ftesës së çmendur për të shkuar vajtje-ardhje brenda ditës në F. ngase do të udhëtoja me një makinë të Kryqit të Kuq. Më kishte mbetur ndër mend se edhe në luftime të ashpra që ishin zhvilluar pak kohë më parë andej nga Libani, a Iraku, palët ndërluftuese nuk i qëllonin ambulancat dhe veturat me shenjën e Kryqit të Kuq ndërkombëtar.

Por, kur mendohem hollë se përse e bëra atë hap të gabuar për të marrë udhët e rrezikut, dëshira ma do t’i them vetes se e ndërmora për hir të kërkimit shkencor, pra të shkencës, që në këtë rast nuk ishin veçse disa të flamosura anketa, fletë të bardha ku shënoheshin disa pyetje, shpesh herë tepër idiote, dhe që kërkonin që njerëzit t’iu përgjigjeshin me «po» ose me «jo».

«Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, për kë parti do të votonit?» Kisha dëshirë të shkruaja në vend të tyre: «Zgjedhjet nuk zhvillohen sot.»

Qeshnim e gajaseshim gjithmonë me këto pyetje prej budallai që përmbajnë kurdoherë anketat.

«Si ju duket qeverisja e tanishme lokale?». Miku im përgjigjej duke ia plasur gazit: «Ku ka qeverisje lokale tani?»

Sidoqoftë, pasi hipëm në veturën e stërmadhe të Kryqit të Kuq, e cila po gëlltiste me uri kilometrat që na ndanin nga qyteti F., nisa të ndjeja një pasiguri plot ankth. Dy nëpunësit e organizatës bamirëse më dukeshin shumë tipa të squllur. Shihnin nga dritaret sikur kërkonin të dinin se

nga ç’anë do të vinin plumbat me të cilat do të qëllohej makina ku udhëtonim. Nuk kishin fare pamjen e njerëzve vullnetarë e plot pasion që vrapojnë nëpër zjarr e flakë për të shpëtuar jetën e të tjerëve duke mos iu tutur rrezikut. Më shumë dukeshin si rrogëtarë të mjerë që iu kishte zënë rrota bishtin dhe shtrëngesa e urdhrit administrativ i kishte bërë të merrnin me pahir atë rrugë dreqi në ato kohë djajsh.

Tubi i tymrave të motorit dilte diku aty lart si tytë mitralozi sipër xhamit të përparmë të veturës. Ndjehej sikur vinte era luftë.

Nuk dija ç’të thosha prandaj si për ta prishur qetësinë nisa t’i drejtoj një si këshillë krejt të panevojshme mikut tim: «Shiko, ki kujdes, atje në F. hap sytë. Ku do ta bësh anketimin?»

«E ku ta bëj tjetër, m’u përgjigj ai fët e fët, mu në mes të sheshit kryesor të F. do ta bëj se aty kalojnë rastësisht njerëz, të cilët pastaj mund t’i pyes. Nuk dihet se si do të jenë, të majtë apo të djathtë, pra, është vendi më i mirë për t’i pyetur pa i njohur.»

«Ti nuk je në vete – s’ia përtova – do të na marrësh në qafë, si mund të ndalosh atje në mes të sheshit për të pyetur njerëz të panjohur për çështje politike. Do të të marrin si njeri të shikut dhe do të të venë drunë. Do ta pësoj edhe unë bashkë me ty. Palè këta miqtë e Kryqit të Kuq që do t’i shkojnë në hell fare kot. Por, së paku, bëj kujdes, shko pyet njerëz që të njohin, e dinë se kush je, dhe nuk ta marrin për keq që i pyet. Shko më mirë pyeti njerëzit nëpër shtëpitë e tyre, se e kanë zakon mikpritjen dhe janë të dashur, të hapin dyert e zemrën, por mos i pyet në shesh se është një vend që nxit agresivitetin dhe do kujtojnë se je duke i provokuar.»

«Mirë o mirë, ti, me gjithë këtë kujdes, këto rregulla mbase janë të nevojshme për në Francë, por jo për në F.

dhe më shkeli synë me djallëzi.»

Heshta.

E pashë se nuk ia bënte syri tërr. Ishte nisur me një kokëshkrepje të paparë.

Por, ndërhyri papritmas njëri prej dy nëpunësve që ishte me ne makinë : «Aman se mos na shtini në ngatërresë edhe neve. – Kishte një ironi të thellë vetëvrasëse në ato që thoshte. – Nuk është puna se do të na vrasin atje, por e kam hallin se pas vrasjes do të na presin edhe rrogën sepse shefat tanë do të mendojnë se e kemi përdorur veturën për qëllime politike, çka na ndalohet si Kryq i Kuq që jemi. Ne jemi njerëz neutralë, ne nuk na interesojnë veçse të plagosurit dhe të vdekurit. Aman na kuptoni!»

Nuk dija se çfarë të bëja.

Të zija duart me kokë dhe të ulërija?

Të thosha: Ndaleni veturën se do të zbres!

T’ia plasja gazit ?

Më e lehtë m’u duk atë çast të qeshja me të madhe. Miku im shkundej nga gulçimat e të qeshurës.

Hymë në F.

Për çudi sheshi i qytetit dukej i boshatisur dhe i qetë. Pak njerëz të rrallë ecnin si në majë të gishtave buzë trotuareve. Nxitonin për në punë të tyre. Asnjë makinë nuk qarkullonte. Gjithkush dukej se donte të binte sa më pak në sy ato ditë të rënda terrori psikologjik dhe ankthi shqetësues. Ai shesh i madh, i boshatisur, të kallte datën me boshësinë e vet. Dukej si një hapësirë ku do të kryhej një ekzekutim makabër. Pritej të vendosej trekëmbëshi dhe të silleshin aty dy mjeranë veshur me rroba me vija si pizhame që do të vareshin.

Pasi e këshillova edhe një herë mikun tim që të bënte kujdes e të hapte sytë, u ndava prej tij duke i thënë se po dilja të bëja një shëtitje nëpër qytet. Dy nëpunësit e Kryqit të Kuq u zhdukën me të shpejtë si hije pasi na lanë një orë

takimi për t’u kthyer.

Unë, më kujtohet si tani, u ngjita drejt një ure që të çonte në bregun përkarshi të përroit të vogël që ndante më dysh atë zonë të qytetit. Që andej, sado që bëja sikur shihja me interes grumbuj rrobash të një tregu gabi të pisët ku endeshin disa qen të lerosur si mos më keq e që përziheshin nëpër këmbët e blerësve të shumtë, një sy e mbaja atje poshtë në shesh ku miku im, me një letër mbështetur mbi një dosje të madhe kartoni në ngjyrë jeshile e një kalem në dorë ndalte kalimtarët që ecnin në punë të tyre dhe e përfytyroja tek i pyeste pa të keq: «Mirëdita. Jam duke bërë një sondazh. Ruaj konfidencialitetin e informacioneve që do të më jepni. Për kë parti politike do të votonit sikur zgjedhjet të bëheshin sot?»

Shihja njerëzit që zgjasnin qafën si për ta dëgjuar pakëz më mirë pyetjen dhe pastaj largoheshin me të shpejtë gjithë frikë. Gati sa nuk iknin me vrap, a thua se i largoheshin politikës si sëmundjes së lebrës. Miku im i ndiqte pas me dëshpërim siç ndjek një djalë vajzën që i ikën në rrugë, e braktis ose s’e pranon, duke i thënë: «Nuk dua të të shoh më». Ai bënte nja dy a tri hapa bashkë me ta, iu fliste me krahët hapur, dhe pastaj duke mbledhur supet, priste të tjerë kalimtarë, siç duket për t’u bërë edhe atyre të njëjtën pyetje të çuditshme. Buzëqesha me dashamirësi për pasionin dhe sinqeritetin në punë të kolegut tim të vjetër. Gjithmonë kështu e kisha mbajtur mend.

Ndërkohë nisa të mas me sy një palë pantallona të vjetra xhins që më dukej se kishin përmasa të përshtatshme për trupin tim. I vendosa puthitur mbi këmbët e mija si për të parë gjatësinë e tyre. Ndërkohë, duart m’u prenë, gjunjët m’u këputën dhe djersë të ftohta më mbuluan ballin kur rrëshqita përsëri vështrimin tim mbi shesh. Atje tej nja tridhjetë a më shumë djem të rinj kishin rrethuar mikun tim, i kishin rrëmbyer fletën mbi karton dhe kalemin dhe

po e shtynin me forcë drejt një cepi ku puqeshin në kënd të drejtë dy ndërtesa, një pallat banimi dhe ndërtesa e hotelit të vjetër të qytetit.

Zbrita me hap të shpejtë drejt grumbullit që gumëzhinte me të shara dhe thirrje kërcënuese. Sigurisht nuk mund të ndërhyja. E vetmja gjë që mund të më ndihmonte të shpëtoja kokën ishte të sillesha sikur të isha një qytetar i humbur që kalonte aty rastësisht dhe bëhej kurioz për atë që po ndodhte.

U shkriva edhe unë me turmën e irrituar. Të gjithë operacionin e linçimit po e drejtonin dy djem të fuqishëm, veshur me kanotiere me ngjyrë, dhe me krahë tepër muskulozë. Të tjerët thërrisnin duke e shtrënguar gjithnjë e më shumë rrethin kërcënues të ferrit. Nuk dija ç’të bëja. Ndruhesha sepse një fjalë e vetme e thënë për të mbrojtur mikun tim do të mjaftonte për të më përfshirë edhe mua në të njëjtën mengene ndëshkimi. As atë nuk do ta ndihmoja dot, edhe veten time do ta kisha futur në një belà të pashoqe.

Qen!

Provokator!

Spiun!

Kush të ka dërguar?

Shiku?

Fytyra e mikut tim ishte bërë flakë e kuqe. «Daleni – fliste si nëpër dhëmbë – nuk është kjo, ka ndodhur një ngatërresë, unë jam intelektual, kam ardhur për të bërë thjesht një sondazh për zgjedhjet e ardhshme.»

Nuk më rrihej pa folur.

«Po, po, e pashë edhe unë – bëra sikur isha një kalimtar i rastit – asgjë të keqe nuk po bënte, vetëm pyeste me mirësjellje kalimtarët.»

Askush nuk ma vuri veshin.

«I dimë ne ato sondazhet. Ato janë shantazhe dhe jo sondazhe» - bërtiste njeri nga dy djemtë që drejtoni

turmën. Thotë se është intelektual a gazetar! Një mut. Spiun i policisë je, ja se ç’je.

Qen!

Mi!

I shitur te Berisha!

Palè, ndalon edhe çupat tona në rrugë gjoja për sondazh.

Maskara!

Imoral! – dhe nisi t’i griste të gjitha fletët e t’ia hidhte në fytyrë mikut tim.

«Kujton se nuk ju pamë ne kur erdhët, kishit një makinë të maskuar me shenjat e Kryqit të Kuq. Spiun! Qen! Kurvë intelektuale!»

Miku im e kishte humbur krejt shpresën dhe nuk fliste më. Më shihte me ca sy të trishtë, por nuk tregoi se edhe unë isha me të.

«E mo lëreni tani, mjaft me kaq, ç’merreni me atë plehrë?!»- nisa të flas përsëri me një zë të fortë sikur të isha edhe unë pjesë e grupit të linçimit.

Në atë çast, dikush më ra me gisht në shpatull. Ktheva kokën dhe pashë një djalë të ri që më tha: «Hajde pak me mua se të kërkojnë.»

«Mbaroi edhe për mua,» – mendova.

E ndoqa djaloshin me gjunjët që më dridheshin. Turma i hapte rrugë. Pa folur me drejtoi te një kafene që ishte aty, jo më larg se njëzet metra nga vendi i ekzekutimit. Aty, në këmbë, po më priste një burrë i thyer në moshë, trupgjatë, i fuqishëm sikur të kishte qenë atlet. E njoha menjëherë sepse dikur e kisha parë kur kishte shoqëri me një të afërmin tim. Kishin studiuar të dy në Bullgari për art ushtarak.

Flokët e thinjura i kishte të shtrira lart mbi kokë dhe dukeshin si të kreshpëruara nga inati. Faqet e mbushura i kishin rënë pak nga të dy anët dhe ca rrudha i dukeshin mbi gushë. Kishte veshur një xhup nga ato të ushtrisë së dikurshme. Në fakt kishte qenë ushtarak. Mbante në atë

kohë një post të parëndësishëm diku në një degë ushtarake. Më duket se kishte qenë zëvendëskryetar i degës ushtarake të qytetit të tij. Nuk dihet se çfarë grade kishte pasur, sepse në atë kohë ushtria komuniste nuk kishte grada. Kjo bënte që të gjithë tani, në kohët e demokracisë, t‘a konsideronin veten «gjeneralë». Arsyetonin se po t’i kishin pasur gradat dhe ta kishin vazhduar karrierën normale të patrazuar do të ishin bërë ndofta gjeneralë.

Ndofta.

Si ata që kishin humbur lekët nëpër firmat financiare piramidale që kur qanin për paratë e humbura fusnin në to edhe interesat e majme që do të duhej të kishin marrë po qe se loja do të vazhdonte pa fund.

Veza kishte bërë pulën, pula vezë të tjera, këto kishin dhënë pula pafund dhe këto përsëri qindra e mijëra vezë. Askush nuk thoshte se mbaj një vezë në dorë, por disa qindra, mijëra, miliona.

Pastaj m’u soll vetëtimthi ndërmend se e kishin hequr për shkak të një lidhjeje familjare që kishte pasur me një ushtarak të lartë, i cili ishte dyshuar për pjesëmarrje në një puç shteti kundër shefit të diktaturës dhe ishte ekzekutuar pastaj barbarisht pas një hetuesie të gjatë. Hija e pjesëmarrjes në puç, pra në një grup ushtarak që kërkonte të kontrollonte pushtetin, kishte rënë edhe mbi ish-nën-kryetarin e degës ushtarake. E kishin çmobilizuar dhe që-ndronte pa punë duke jetuar me një pension të vogël.

Në fakt, e kishin dënuar për një puç me të cilin nuk kishte asnjë lidhje. Nuk dihej madje nëse bëhej fjalë vërtet për ndonjë puç apo nuk ishte veçse ndonjë inskenim makabër për të goditur ushtarakët.

«Nuk të ka hije kjo që bën,» - më tha burri me trup atleti, i shkuar në moshë.

Fliste me ton krejt ushtarak a thua se unë isha ndonjë vartës i tij, ndonjë kapter kazermash që kujdeset për pecet

e këmbëve të ushtarëve apo për gramët e marmelatës në racionin e mëngjesit.

«Hajde, ulu pak këtu. Ne njihemi bashkë. Unë e kuptoj shumë mirë se ju jeni duke bërë vërtet një sondazh. Ky është zanati juaj. Por, nuk keni zgjedhur çastin që duhet. Turma është e irrituar. Pastaj, ja këtu shihet si do të jetë rezultati i zgjedhjeve.»

«Ata po kërcënojnë jetën e kolegut tim, - ia prita. Nëse mundeni, bëni diçka për t’i ndaluar.»

«Atë e rregulloj unë,– mu përgjigj,-veçse duhet të më japësh fjalën se do të largoheni menjëherë që këtej. Ndryshe nuk mbaj asnjë përgjegjësi.»

Thirri një polic që rrinte aty rrotull. Tani e vura re. Ai erdhi menjëherë dhe u paraqit duke nderuar. Kjo më habiti.

«Thuaj atyre ta lëshojnë atë njeri, nuk është nga ata që kujtojnë.» - foli me vendosmëri ish ushtaraku.

E pashë i tronditur. Nuk kishte më asnjë nevojë për shpjegime të tjera. Bindja e policit ndaj fjalëve të sapo-shprehura ishte domethënëse.

Ai drejtonte gjithçka në atë shesh.

Pas shumë vitesh ai kishte marrë tanimë vërtet fuqinë mbi pushtetin civil.

E gjithë situata gati qytet-rrethuese drejtohej prej tij.

Ai, turma, grupet mbi bulevard, ruajtësit e rendit që përbënin në atë kohë një trup të vetëm, ishin vendosur nën një komandë të vetme.

Ishte një farë qytet-rrethimi se nuk bëhej fjalë për një shtet, një farë puçi lokal që kishte ndodhur pas shumë vitesh nga koha e atij puçi të dikurshëm të supozuar a të dyshuar sikurse plasnin me vonesë disa lloj predhash të telekomanduara.

Po bënte realisht atë për të cilin e kishin dënuar më kot dikur, ndërkohë që kishte qenë fare dorëjashtë ndaj asaj që kishte ndodhur.

Atëherë as bëhej fjalë që atij t’i shkonte ndërmend të ngrinte dorën kundër shefit.

E kishte përsëritur këtë me dhjetëra herë në mbledhje partie para se ta përjashtonin, por askush nuk e kishte besuar.

«Ah, kur s’e bëmë me të vërtetë!» - kishte thënë një ditë me shi kur e mundonte vetmia dhe braktisja prej të gjithëve. «Të paktën të ishim dënuar tamam.»

Historia po plotësohej pas shumë vitesh.

Pasi kishin ndryshuar krejt rendet shoqërore.

Kishte ndërruar edhe rendi i gjërave.

Ndëshkimi i kishte ardhur shumë kohë përpara veprimit. Atëherë ndëshkimi kishte qenë real, kurse puçi vetëm i imagjinuar. I shpikur. Por, atë e kishin ndëshkuar sikur të kishte qenë i vërtetë.

Ndërsa tani, po kryhej akti i fundit. Burri që kisha përpara po realizonte fatin që i kishin parathënë këtu e tridhjetë vjet përpara.

Edhe ai po i kthente shoqërisë kusurin e ndëshkimit të vet.

Dikur e kishin ndëshkuar për një akt të pabërë.

Tani po e bënte ai, pra, atë akt.

Së paku, drejtësia po vendosej në vend.

Vënie dorë ilegale mbi forcat e rendit publik.

Qytet-rrethim.

Marrje e hapësirës publike nën kontroll pa asnjë auto-rizim legal.

Me këto mendime në kokë e përshëndeta ftohtë dhe u largova drejt mikut tim që ashtu i vetmuar, i drobitur, ishte ulur i rraskapitur mbi bordurën e trotuarit.

«Hajde, – i thashë – nuk është koha për të bërë shkencë. A ka nevojë që për të njohur këtë gjendje të bëhet ndonjë sondazh?»

Ai më pa drejt e në sy, dhe nisi të ngrihet me përtesë.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Qeverisja ‘hidh gurin dhe fshih dorën’
»
Article Logic
Execution time: 0.0064899921417236
array(1) { ["section"]=> string(29) "shkence-ne-kohe-kolere-150466" }