Shpresëvrarë

Publikuar tek: analiza-komente, më 11:58 07-09-2016 Shpresëvrarë

Nga Edmond Arizaj

Të fundit që kishin mbetur ishin të rinjtë. U vra edhe shpresa e tyre. Se mund të jepnin diçka për këtë vend, duke i dhënë vetes mundësi studimi. Disa kalkulime të errëta, që shkojnë përtej publikes, i bënë të rinjtë e shkëlqyer shqiptarë, batalione shtëpiakesh të dëshpëruara, apo kamarierësh verorë. Këta ishin të fundit.

Fillimisht u vra shpresa e më të dobtëve. Atyre që veç nga shteti presin ndihmë. Atyre që veç shtetin shohin si mburojë ndaj fuqisë së “të fortit”, të grabitësit, të të pangopurit, të rrjepësit dhe hajdutit. Dhe nuk po flas për ata në rrugë, por për ata me kollare dhe me livando në surrat, pasi kanë hequr zhulin e mitingjeve partiake, apo pluhurin e zvarritjes pas bythës së udhëheqësit.

Më pas u vra shpresa e të arsimuarve, përvojës, dijes. Gjithçka fiktive. Gjithçka falso. Gjithçka nën zë, nën dorë, me listë e me firmë. Kontribute që hidheshin në rrugë si mollë të kalbura. Njerëz të arsimuar e me përvojë që flakeshin si kashtë në erë, sepse nuk i ka buzëqeshur njëherë m… të këpucës së udhëheqësit. Dhe shtohen me shpejtësi aplikimet në llotarinë amerikane, nga 50 mijë, në 100 mijë dhe së fundi në 200 mijë. Shumica në kulmin e moshës, të arsimuar dhe me përvojë. Duan të ikin. Janë pa shpresë.

Të mbajtur fort, megjithëse dyshonin shumë, ndoshta nuk u është vrarë, por socialistëve u është plagosur rëndë shpresa. Jo ata që shpresonin të bëheshin të pasur, ata ja kanë arritur, por nuk janë socialistë. Ata që shpresonin se vendi do të gjente një monopat për të dalë në rrugën e gjerë dhe nuk do të vazhdonte të bridhte në pyllin e madh të asgjësë mes banditëve, hajdutëve dhe grabitësve. Socialistët, ata të vërtetët, rënkojnë sa herë TV lajmëron emërimin e një drejtori të partisë çame. Nuk qahen më nga LSI…

Në qershor të 2013, ditën e dytë a tretë të fitores së koalicionit të majtë, shkruajta për triumfuesit: 1 milionë votat janë shpresë. Mos e vrisni. Nuk shoh askund, asnjë përbetim, asnjë premtim të mbajtur. Shëndetësia=zero. Arsimi=0. Infrastruktura=Ça la Berisha. Drejtësia=Tmerr. Korrupsioni=I rritur vertikalisht dhe horizontalisht. Rendi=Deri diku. Bujqësia=Nëpër male. Energjitika=Çka. Kultura=Ibret. Financa=Me shpirt ndër dhëmbë. Ekonomia=Përtokë. Për të gjitha këto, nëse hapni arkivat, janë bërë premtime. Të bujshme. Nëse qoftë edhe për njërin nga këta sektorë më jepni jo tre, por dy gjëra pozitive, tërheq gjithçka dhe kërkoj ndjesë.

Shpresëvrarë duken edhe të djathtët. Nuk flas për ata që bëhen të djathtë, pasi nuk çajnë dot majtas (mgjth këtu e majta dhe e djathta janë bërë aq lëmsh sa zor të zgjidhet). Rezistenca e tyre duket si e një mize përballë furisë së buallit. Nuk motivojnë dot. Nuk ngjallin as ata shpresë. Një shkëndijë që mund të ndizet kudo për pak rezistencë, shuhet shpejt. Opozita ka mbetur veç me emër e tillë, që kur ëndërron të rivijë në pushtet duke pritur që maxhoranca të çahet mes vedit. Jemi disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme; tashmë një opozitë serioze, e kolauduar, e gatshme për të qeverisur, duhet të dilte me alternativat e saj, me zgjidhjet, me propozimet, me platformë, madje edhe me ekip. Kjo nuk ka ndodhur. Opozita thjesht bën konferenca shtypi. Epo me zukatje, nuk e ndal dot vrullin e buallit.

Fjala e lirë. Në fakt ka kohë që është burgosur. Ndoshta është e shqyer, e pistë, e turpshme, rrugaçe, e paskurpullt, tinzare, halabake, hileqare, përfituese, makute, e çoroditura, rrogante, e paaftë, por nuk është e lirë. Tërësisht e lirë. Nuk dua të them se është vrarë edhe shpresa për fjalën e lirë. Sepse nuk dua të them që diktaturën nuk e kemi rrëzuar asnjëherë. E vetmja që sot mund të kthejë sadopak shpresën tek shqiptarët, është liria e fjalës.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.017912864685059
array(1) { ["section"]=> string(18) "shpresevrare-52169" }