Shqipëria në “gjurmët” e Lituanisë, 250 mijë euro për ndërgjegjësimin e konsumatorëve

Publikuar tek: ekonomi, më 12:51 30-03-2017 Shqipëria në “gjurmët” e Lituanisë, 250 mijë euro për ndërgjegjësimin e konsumatorëve

Në ambientet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, u zhvilluar sot takimi i hapjes së projektit të binjakëzimit “Forcimi i Kapaciteteve të Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Sekretariatit Teknik”, i cili financohet nga Bashkimi Europian.

Projekti sjell praktikat më të mira të Lituanisë dhe do të mbështesë zbatimin e legjislacionit të mbrojtjes së konsumatorit, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian, në mënyrë që të kontribuojë në mirë-funksionimin e ekonomisë shqiptare të tregut dhe të nxisë konkurrencën, me konsumatorë të fuqizuar dhe me vetëbesim.

Projekti me një buxhet prej  250,000 euro, gjatë një periudhe gjashtë mujore, synon të përforcojë dhe të rrisë kapacitetet institucionale të strukturave shqiptare për zbatimin e legjislacionit të mbrojtjes së konsumatorit, përmes harmonizimit të praktikave përkatëse me praktikat më të mira të BE-së. Ky projekt, gjithashtu, do të zhvillojë më tej kapacitetet e institucioneve shqiptare dhe do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi të drejtat e konsumatorëve. Veprimtaritë mbi rritjen e ndërgjegjësimit do të kontribuojnë për një nivel më të lartë të ndërgjegjësimit të konsumatorit i cili, nga ana tjetër, nxit konkurrencën, meqenëse konsumatorët duke qenë të mirë-informuar dhe të fuqizuar, kthehen në shtysat kryesore të konkurrencës së ndershme.

Projekti do të zbatohet bashkërisht nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Financës dhe partnerët nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Lituanisë, Autoriteti Shtetëror i Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit dhe Agjencia Qendrore e Menaxhimit të Projektit e Republikës së Lituanisë.

E pranishme në takim, zv. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Adela Karapici, përshëndeti projektin dhe u shpreh se Shqipëria është e angazhuar në vijueshmëri për t’i dhënë konsumatorit shqiptar të njëjtat të drejta dhe mbrojtje që ka një konsumator i vendeve të Bashkimit Europian. Në këtë drejtim, sipas saj, sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve është ndër prioritetet e qeverisë shqiptare.

Enzo Damiani, menaxher projektesh pranë delegacionit të BE-së në Tiran​ë u shpreh se Bashkimi Europian vazhdon të mbështesë reformat për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe projekti në fjalë e dëshmon këtë gjë. Ai theksoi rëndësinë e fushatave të ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë për të drejtat e konsumatorit dhe tha se kërkohet angazhimi i të gjitha palëve, përfshirë edhe biznesin.

Drejtoresha e Tregut të Brendshëm në MZHETTS, Klotilda Neziri, theksoi se përfituesit nga zbatimi i këtij projekti do të jenë 3 milionë konsumatorët shqiptarë, pasi impakti do të jetë direkt te ta.

Ajo shpjegoi se projekti mbështetet në tre shtylla kryesore që janë fushatat e ndërgjegjësimit; forcimi i kapaciteteve; studimet e tregut, ndërkohë që theksoi se synohet të merret më e mira zbatimi i tij.

Nga ana e tij, Paulius Griciūnas, Lideri i Projektit dhe njëherësh zv. Ministër i Drejtësisë së Lituanisë, bëri një prezantim të qëllimit të projektit, aktiviteteve që do të zhvillohen dhe rezultatet e pritshme. Ai u shpreh se, mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me ekonominë e secilit vend dhe me bizneset, pasi nga praktikat e padrejta të bizneseve vuajnë konsumatorët. Ai tha se qëllimi i projektit ka të bëjë me forcimin e rritjen e institucioneve shtetërore, harmonizimin e praktikave dhe ndërgjegjësimin e publikut.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.023497819900513
array(1) { ["section"]=> string(88) "shqiperia-ne-gjurmet-e-lituanise-250-mije-euro-per-ndergjegjesimin-e-konsumatoreve-73584" }