Shqiptarët shpenzojnë më pak se 1 milion euro në vit për kinema

Publikuar tek: ekonomi, më 21:10 27-06-2015 Shqiptarët shpenzojnë më pak se 1 milion euro në vit për kinema

Kinemaja, apo ekrani i madh siç njihet në të gjithë botën, ka joshur për vite njerëzit, të cilët nën efektin e marketimit të mirë të gjigantëve të prodhimit të filmave, kanë shkuar të ndjekin historinë dhe jetuar eksperiencën.

Por Shqipëria duket ende paksa mbrapa krahasuar me fqinjët e saj ballkanas në frekuentimin e kinemave, ndonëse çmimi mesatar i biletave nuk konsiderohet i lartë, por i listuar i treti në rajon për shtrenjtësi, sipas agjencisë Numbeo, transmeton Monitor.

Sa i përket sezonit më të pëlqyer nga shqiptarët, vera vijon në trendet e tre viteve më parë, për shikueshmëri më të ulët. Dimri, sidomos fundviti, mbetet më i frekuentuar, ku sipas aktorëve të tregut, edhe filmat janë shumë të mirë.

Shqiptarët shpenzojnë vetëm rreth 800-850 mijë euro në vit për kinema

Të ardhurat nga shitjet e biletave të tre operatorëve kryesorë në vend, Imperial, Millenium dhe Cineplexx ishin rreth 110 milionë lekë në 2013-n, apo rreth 800 mijë euro, ndërsa të ardhurat në total, përfshirë dhe nga reklamat arritën në 145 milionë lekë, me një rritje minimale prej 3% në raport me një vit më parë. Të dhënat janë marrë nga bilancet e kompanive.

Operatorët e tregut pohojnë se dhe 2014-a ka qenë e dobët, duke e çuar tregun maksimumi në rreth 850 mijë euro.

Nga përpunimi i të dhënave, sipas të ardhurave të kompanive nga shitjet e biletave, rezulton se shpenzimi për frymë për bileta kinemaje në një vit në Shqipëri është rreth 0.5 euro, shumë më i ulët se shtetet e tjera. Në Britani psh, sipas të dhënave të statista.com, shpenzimi mesatar për frymë për kinema është 17 paund, apo rreth 23 euro.

Sipas të dhënave të Eurostat, banorët e BE-së mesatarisht shkojnë në kinema 2.4 herë në vit, përkundrejt 5.4 herë që shkojnë banorët e SHBA-ve. Popullsia e BE-së shpenzon mesatarisht 13.7 euro në vit për bileta kinemaje, ndërsa mesatarja e shpenzimeve në SHBA është tre herë më e lartë, rreth 33.8 euro.

Krahas frekuentimit të ulët të kinemave nga shqiptarët, që pranohet dhe nga vetë aktorët e tregut, çmimet shumë të ulëta të biletave tek ne janë një tjetër faktor që ndikojnë në diferencën e lartë të shpenzimeve për frymë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.018752098083496
array(1) { ["section"]=> string(69) "shqiptaret-shpenzojne-me-pak-se-1-milion-euro-ne-vit-per-kinema-14787" }