Shqiptarët tragjikë

Publikuar tek: analiza-komente, më 11:47 31-08-2016 Shqiptarët tragjikë

Nga Edmond Arizaj

Këtë muaj do ta quaja tragjik. Përveç gjithë pabesive, sulmeve, kafshimeve që u janë bërë dhe u bëhen sot shqiptarëve para e pas shpine, duhej të dilte në skenë edhe hungërima epike mes qenve të një krahine dhe asaj të një tjetre. Madje këtë rradhë më e rëndë: nuk ishin qentë e krahinave që i lehnin njëri-tjetrit, por të dy shteteve, dy shteteve shqiptarë.

Nëse shqiptarët nuk kanë me kë të përplasen, do përplasen mes tyre. Ky mit i lashtë, më vinte këtë muaj në mendje, teksa lexoja se si shqiptarët e Shqipërisë hidhnin gjyle mbi shqiptarët e Kosovës, e se si këta të fundit, ua kthenin me predha. Nuk e di se sa burrave të vdekur e të varrosur me flamurin me shqiponjë, u janë kthyer eshtrat përmbys, por di se askujt prej “luftëtarëve” nuk i dridhej dora teksa shkruante herë si Çubrilloviçi, e herë si Zerva. Dhe askund nuk shihje ndonjë shenjë paqeje. Nga askush. Secili mbronte “krahinën” e tij, duke thënë çdo gjë të mundshme e të pamundshme për “krahinën” tjetër. Një situatë abstrakte që veç shqiptarët mund ta realizojnë.

Duket se atë që na ka bërë historia dhe shkruesit e saj, duam ta çimentojmë. Të dështuar në politikë, të dështuar në ekonomi, të dështuar në kulturë, vetëm sporti kishte arritur të mbante gjallë kujtesën se shqiptarët kanë qenë bashkë. Si mundet vallë, që futbolli, I cili na lidhi, të na ndante kaq ashpër? Dyshoj se ka qenë futbolli, apo ndonjë sportist i ri, vendimet e të cilit as duhet t’i paragjykojë njeri. Do desha shumë që gjithë sa është shkruar e zeza mbi të bardhë në këtë muaj, të kishte të bënte vetëm me sportin. Por aty ka pasur më shumë. Dhe që sporti nuk hynte fare. Ka pasur krahasime, akuza, sarkazma, pështyma, fshikullima, përbuzje…Kjo është tragjike. Sepse këto nuk vijnë nga një inat i çastit.

Gjithsesi. A do të ecë Kosova në rrugën e vet? Dhe si do të sillet Shqipëria? Si do të jetë e ardhmja? A do të bashkohemi? A duhet të bashkohemi? Dhe me qindra pyetje të tjera… Ku janë elitat shqiptare në të dy shtetet. Pse nuk mblidhen e të diskutojnë si do jetë e ardhmja e shqiptarëve. Pse nuk mblidhen elitat politike e të vendosin piketat se si do të veprojnë e mbrojnë njëri-tjetrin. Pse nuk mblidhen elitat ekonomike të përcaktojnë si do të zhvillohen të dy vendet si të jenë një. E kështu me rradhë. Këto nuk bëhen. Dhe patjetër në këtë boshllëk, në këtë humnerë idesh, vizioni, dashurie e dashamirësie, do të dalin vetëm krahinarët dallkaukë që do thonë se meqë mali i krahinës tjetër nuk bën hije në fshatin e tyre, ata matanë janë njerëz të poshtër. Dhe po na duket krejt e natyrshme; të flasim edhe si armiq mes njeri-tjetrit. Po arrijmë në kulmin e tragjedisë…

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021151065826416
array(1) { ["section"]=> string(25) "shqiptaret-tragjike-51415" }