Shtëpia e Kongresit në 95 vjetor

Publikuar tek: analiza-komente, më 00:33 21-01-2015 Shtëpia e Kongresit në 95 vjetor

Nuk i harroj dot pasditet e mia në Shtëpinë e Pionierit, sa herë përgatisnim në vjetorë a përvjetorë festimet për Kongresin e Lushnjes. Për qytetarët lushnjarë, pse jo për të gjithë shqiptarët, ka qenë një prej aktiviteteve kryesore shtetformuese tonat. Një godinë symbol, mes tre të tillave që ka Shqipëria, mes Shtëpisë së Flamurit në Vlorë, shtëpisë së Flamurit në Korcë, që për fat të keq nuk ekziston më dhe Shtëpia e Kongresit në Lushnje.

Prej andej doli qeveria e Sulejman Delvinës dhe Tirana u shpall kryeqytet. Festimet atëkohë, bëheshin me pompozitet të madh, ndërsa ne nxënësit e shkollave, përgatiteshim me muaj e muaj për koncertin që do të jepnim m’u aty përballë, në shkallët e Shtëpisë së Kongresit.

Ndjenja e krenarisë që ne në Lushnje e kishim këtë shtëpi, dhe të tjerët nuk mund ta kishin, sigurisht ishte e papërshkruar.

Në 21 janar, pra sot, lushnjarët, por edhe gjithë Shqipëria do të përkujtojë një ngjarje jubilare, plot 95 vjet, nga mbajtja e punimeve të këtij kongresi. Për të rinjtë e sotëm, gjithçka identifikohet me filmin “Koncert në vitin ‘36”, por xhirimet e të cilit, nuk u bënë në këtë shtëpi, madje, as në qytetin e Lushnjes.

Forumi i Trashëgimnisë Kulturore, që prej dy vitesh kërkoi restaurimin e plotë të kësaj shtëpie, unike, për aspektin historik që përfaqëson. Ndoshta edhe për shkak të presionit, qoftë të shoqërisë civile, apo autoriteteve lokale, pak lekë u dhanë që kjo shtëpi, ditën e sotme, të ketë një pamje më të rregullt.

Por, një bojatisje jashtë e Brenda, nuk mund të zgjidhë përfundimisht problemin e shtëpisë së Kongresit. Akoma sot, në vizionin e kulturën e qeverisjes aktuale, nuk është diskutuar ende një project përfundimtar që kjo shtëpi muze, të jetë pronë e shtetit. Shteti, në mënyrë të përhershme, çdo vit, paguan qira të rregullt te pronarët e saj.

Për të festuar siç duhet 95 vjetorin e Kongresit, e mira do donte që kjo shtëpi t’i kthehej si pronë shtetit shqiptar, sepse aty e ka vendin, në objektet e rralla të këtij vendi. E mira do ishte që sërish edhe për këtë vit, në katin e dytë të saj, të mos hyjnë njerëzit e organizuar me grupe, në 8 apo 10 vjet sepse mund të ndodhë që dyshemeja do shembet. E mira do ishte, që pavarësisht fasadës jashtë e Brenda, të kishte punime të duhura për catinë e sidomos pjesët anësore e të pasme të kësaj shtëpie.

E shtëpia e Kongresit, të merrte vendin e vet që i takon, një vend pelegrinazhi nga shqiptarë që duan ta shohin e ta vizitojnë, jo vetëm nga Shqipëria, po nga mbarë trojet shqiptare.

Rregullimet e fundit në prag të 95 vjetorit, e kanë ndryshuar padyshim pamjen e saj, por kjo është shumë pak në raport me atë se çfarë do të duhet realisht të bënim më mirë për ti kthyer dinjitetin edhe qytetit të Lushnjes. Qeveria ndoshta duhet të shohë mundësinë dhe të kthejë në planet e saj kulturore vështrimin nga kjo godinë, për ta kthyer në pronë të shtetit shqiptar. 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.027909994125366
array(1) { ["section"]=> string(37) "shtepia-e-kongresit-ne-95-vjetor-1070" }