Si lindi konflikti GFI-qeveri për markimin e naftës bruto, që po cënon interesat kombëtare të vendit

Publikuar tek: ekonomi, më 21:35 10-12-2015 Si lindi konflikti GFI-qeveri për markimin e naftës bruto, që po cënon interesat kombëtare të vendit

Greva e kompanisë së markimit të karburanteve GFI, e nisur ditën e sotme, rrezikon të fusë gjithë vendin në kaos, nëse do të vazhdojë bllokimi i daljes së karburanteve nga zonat e lira doganore në tregun e pakicës.

Por, si arrin një koncesionar, që ka nisur aktivitetin në 2013-n, të arrijë të cënojë interesat kombëtare të një vendi. Mësohet se konflikti ka nisur, pasi kompania ka kërkuar markimin e naftës bruto. Në mënyrë të ngjashme me kontratën e skanimit të Rapiscan (që parashikon që për skanimin të paguhet për çdo deklaratë doganore, pavarësisht faktit nëse e kryen apo jo skanimin, përndryshe kontrata del pa leverdi), edhe në kontratën me GFI parashikohet markimi i naftës bruto. Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, që përcakton procedurat e shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës, i datës 30.5.2013, “Çmimi i shërbimit të shënjimit”, tarifa kombëtare e shërbimit të shënjimit, që do t’i paguhet koncesionarit nga subjektet e detyruara dhe do të jetë në shumën prej 614 (gjashtëqind e katërmbëdhjetë) lekë plus TVSH-në, për 1000 (një mijë) litra të markuara. Po në kontratë parashikohet që “Produktet e shënjimit” janë produktet e bardha (gazoil dhe benzen), produktet e zeza (solar dhe mazut), nafta bruto, lëndët djegëse dhe produktet e ndërmjetme e specifikisht produktet me emërtimet dhe kodet si vijon: naftë D1 (kodi doganor 27101943), naftë D2 (kodi doganor 27101946 dhe 29101948), benzinë pa plumb (kodi doganor 27101245, 27101241), solar/mazut (kodi doganor 27101962, 27101964, 27101968), naftë bruto (kodi doganor 27090090), për të cilat është e detyrueshme pagesa e akcizës apo e rentës minerare në rastin e naftës bruto.

Në total, nafta bruto e prodhuar në vend është rreth 1.4 milionë ton, rreth 90% e të cilës prodhohet nga Bankers Petroleum. Vetëm nga ky shërbim, GFI llogarit që duhet të arkëtojë rreth 10 milionë dollarë.

Por, aktorët e tregut, pohojnë se pavarësisht se markimi i naftës bruto është i parashikuar në kontratë, praktikisht dhe teknikisht është e pamundur që ai të zbatohet, për disa arsye. Së pari, ky markues është i vlefshëm deri në 45 gradë, ndërsa prodhuesit e naftës e përpunojnë atë deri në 95 gradë, çka e bën të pamundur markimin nga ana teknike. Drejtues të Bankers Petroleum pohojnë për Monitor, se prej dy vitesh ata i kërkojnë kompanisë që të vijë të realizojë në vend markimin, por ata nuk janë paraqitur. Ata shtojnë se nuk mund të paguajnë për një shërbim që nuk kryhet, ndërsa nuk kanë qenë asnjëherë kundër realizimit të shërbimit dhe GF nuk është penguar asnjëherë të realizojë këtë proces.

Së dyti, një pjesë e madhe e naftës bruto shkon për eksport dhe rafineritë që e marrin për përpunim nuk pranojnë naftë me elementë të shtuar kimikatë, pasi, ndryshe nga nafta për automjetet që digjet në motor, nafta bruto nuk digjet, por përpunohet.

Edhe në markimin e naftës së përpunuar, aktorët e tregut kanë pohuar se markimi nuk ka funksionuar, pasi ai bëhet mekanikisht dhe jo i automatizuar.

Pikëpyetjet e koncesionit

Koncesioni për markimin e karkubanteve ka shumë njolla të errëta. Ai u miratua nga qeveria e djathtë në vitin 2011 me një ofertë të pakërkuara nga kompania ndërkombëtare Global Fluid International, me justifikimin se GFI ishte e specializuar në prodhimin e kimikateve dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2013. Qëllimi i koncesionit ishte të garantonte cilësinë e produktit (mospërzierjen e tij) dhe mosndërrimin e destinacionit të karburantit (psh që nafta që përdoret për peshkimin të mos hidhej në treg).

Por, në shtator të këtij viti, GFI ka shitur 75% të aksioneve te aksioneri i dytë, Petroleum Consulting Partners (që më parë kishte rreth 25% të aksioneve dhe pjesën tjetër prej 75% e kishte GFI). Aktualisht GFI ka vetëm 0.7% të aksioneve dhe Petroleum Consulting Partners ka 99.3%, sipas të dhenave në QKR.

Nuk ka pasur asnjë lloj transparence lidhur me këtë lëvizje të aksioneve, nga një kompani e specializuar tek një e panjohur. Duke qenë se ekspertiza e GFI ishte kyçe në miratimin e ofertës së pakërkuar, a duhet të pyetej ministri i financave për këtë lëvizje aksionesh dhe të bëhej transparente se cilët janë aksionerët e tjerë?!

Nga të dhënat e bilancit, GFI Albania e ka mbyllur vitin 2014 me një pozitë jo të mirë financiare. Humbjet u thelluan me 84% në vitin 2014, me 183 milionë lekë nga 99 milionë lekë që raportuan në bilancet e 2013 të dorëzuara në QKR.

Pasojat e koncesioneve

Sa vijnë e po dalin në dritë fakte që dhënia e shumë shërbimeve me koncesion, më shumë sesa përmirësimin e shërbimit për qytetarët dhe vlerë e shtuar për ekonominë, është bërë mbi baza klienteliste dhe ajo që është më e rëndësishme, barra e tyre po rëndon mbi qytetarët dhe taksapaguesit e vendit. Dhe më e keqja është se koncesionet e qeverisjes së kaluar, jo vetëm nuk u anuluan, por rishikimi i tyre rezultoi me pasoja edhe më të rënda, ndërsa është kthyer në modë dhënia e tyre dhe në sektorë të tjerë, si psh në shëndetësi.

(Monitor.al)

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.079828977584839
array(1) { ["section"]=> string(105) "si-lindi-konflikti-gfi-qeveri-per-markimin-e-naftes-bruto-qe-po-cenon-interesat-kombetare-te-vendit-27467" }