Si të protestosh

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:40 25-08-2015 Si të protestosh

Nga Ardian Vehbiu

Këto ditë, kush ka pasur oreks, do të ketë ndjekur sherret në “Panorama” dhe gjetiu, që nisën kur një kantautor, Gjergj Leka, dha një intervistë me karakterizime të diskutueshme për disa kolege të tijat.

Ja si e prezantoi “Panorama” këtë material.

Sherri vazhdoi më pas, duke infektuar edhe media të tjera; një argument sa i pahijshëm aq edhe banal, të cilin as edhe tabloidi më i vdekur urie nuk duhej ta kish vënë në faqe të parë.

Nuk e njoh Gjergj Lekën dhe muzikën e tij, nuk e kam vrarë ndonjëherë mendjen për qëndrimin “moral” të këngëtarëve pop, të cilët zakonisht i vlerësoj për zërin e bukur, mjeshtërinë skenike dhe shijen.

Nuk them dot asgjë për vërtetësinë e çfarë ka thënë ai zotëri në intervistë, as më intereson të merrem me thashetheme.

Por më vjen keq që shtypi shqiptar është katandisur në këtë nivel dhe i flet publikut me gjuhën e vulgut; teksa asnjë nga kolegët dhe miqtë e mi nuk proteston.

Edhe ata që ndërhynë këto ditë, më tepër e bënë për të vënë në vend “nderin” e këngëtareve të përgojuara nga Leka, dhe shumë më pak për kontekstin ku i detyron të bëjnë debat “Panorama.”

Mu ngjitur me muhabetet për kurvat dhe kurvllëqet e tridhjetë vjetëve të shkuara, botonte sot kolegu im dhe albanologu i njohur Matteo Mandalà një opinion për Nilo Catalano-n dhe Kishën e Shën Thanasit.

Dje dhe pardje, sërish përbri lapërdhive për këngëtaret, kishin botuar opinione dhe artikuj Fatos Lubonja dhe Preç Zogaj dhe kushedi kush tjetër.

“Panorama” ka arritur të tërheqë në faqe protagonistë të rëndësishëm të diskursit publik në Shqipëri – të cilët, mes të tjerash, kanë shprehur jo rrallë shqetësimin e tyre për degradimin e mediave dhe, në veçanti, të shtypit të shkruar.

Nuk besoj t’u duket normale, këtyre kolegëve dhe miqve të mi, që fjala e tyre të infektohet nga kontakti me sherrin rreth kurvave, në vitrinën e faqes së gazetës “Panorama”.

Di që ka në Shqipëri edhe një organ a këshill që mbikëqyr etikën e mediave; por e kam dëgjuar të ndërhyjë vetëm për të mbrojtur këtë apo atë gazetar nga ndonjë sulm a akuzë; jo për të mbrojtur publikun.

Sikurse di që ka edhe institucione të posaçme të shoqërisë civile, të cilat duhej të kujdeseshin për etikën e mediave para se përdhosja e gjithkujt dhe gjithçkaje dhe shkelja e çdo lloj kriteri të privatësisë dhe të mbrojtjes së individit nga përgojimi të jenë normalizuar.

Mirëpo alibitë e këtyre institucioneve dhe forumeve që kanë dështuar në misionin e tyre nuk duhet t’i bëjmë tonat; sepse këtu nuk është fjala për të gjetur fajtorë dhe për t’i ndëshkuar, por për të shpëtuar një pasuri publike aq të vyer, sa ç’është komunikimi nëpërmjet mediave.

Shpresoj që kolegët e mi, që botojnë rregullisht në “Panorama”, t’i lexojnë këto radhë dhe të protestojnë ndaj faqes së cilën e nderojnë me shkrimet e tyre; madje edhe duke u tërhequr përkohësisht nga bashkëpunimi, derisa kjo gazetë të ndryshojë politikën e vet editoriale.

Shqetësimi im nuk ka të bëjë vetëm me “Panoramën”, por edhe me media të tjera, që nuk mbeten mbrapa, kur është fjala për të mbuluar me të pëgëra njerëz që nuk kanë mundësi të mbrohen; ose për t’u shkatërruar reputacionin personave publikë, të cilët ai reputacion i mban gjallë.

Pak ditë më parë, e njëjta gjuhë kutërbuese u përdor edhe ndaj dy motrave të përfshira në një ngjarje të kronikës së zezë.

Nuk kam më shpresë se kjo këllirë mund të pastrohet me rrugë institucionale dhe autoritare; vetëm distancimi, protesta dhe bojkotimi nga të gjithë ata autorë, që i ushqejnë këto faqe dhe lexuesit e tyre me shkrime, do të mund të ndryshojnë diçka.

Përballë situatës të krijuar, çdo kundërargument që citon “lirinë e të shprehurit” do të skualifikohej vetvetiu: nuk mund të ketë liri të të shprehurit, pa siguruar një mjedis ku subjektet e komunikimit të ndihen të lira dhe të tuteluara në dinjitetin e tyre.

*Marrë nga "Peisazhe"

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0071189403533936
array(1) { ["section"]=> string(22) "si-te-protestosh-19165" }