Si u rrit me 2.5 herë kostoja e aksit Milot-Balldren? Gostia për firmën e afërt me ish-deputetin e PS

Publikuar tek: ekonomi, më 16:00 23-05-2019 Si u rrit me 2.5 herë kostoja e aksit Milot-Balldren? Gostia për firmën e afërt me ish-deputetin e PS Klodian Tomorri

Nga Klodian Tomorri

Kur qeveria programoi për herë të parë ndërtimin me koncesion të rrugës Milot-Balldren, kostoja zyrtare e përcaktuar në buxhet ishte 14 miliardë lekë ose rreth 110 milionë euro.

Tenderi u bë në tetor të vitit të kaluar dhe u fitua nga kompania ANK. Por kostoja nga 14 miliardë lekë që ishte programuar në buxhet, kërceu ne 20.1 miliardë lekë. Qeveria e justifikoi rritjen me rreth 50 për qind të faturës me faktin se projekti kishte ndryshuar dhe rrugës i ishin shtuar kalimet dytësore plus ndërtimi i hyrje-daljeve për fshatrat përreth.

Por nuk mbaroi me kaq. Kjo ishte vetëm vala e parë e çmendurisë. Pas rritjes me 50 për qind nga programimi buxhetor deri në tender, kostoja e rrugës Milot Balldren është rritur edhe me 60 për qind të tjera pas tenderit.

Një javë më parë Këshilli i Ministrave miratoi kontratën e konçesionit për Milot -Balldren. Edhe pse tenderi për këtë rrugë u fitua 20.1 miliardë lekë, në total taksapaguesit shqiptarë do t'i paguajnë kompanisë konçesionare plot 32 miliardë lekë. Pra 11.9 miliardë lekë shtesë ose 90 milionë euro më shumë se sa çmimi i tenderit. Këtu nis historia tjetër.

Shtesa prej 90 milionë eurosh është ajo që teknikisht quhet kosto e kapitalit. E thënë më thjesht, ky është interesi që qeveria do i paguajë kompanisë koncesionare, meqënëse ajo do e ndërtoje rrugën me paratë e veta, ndërsa buxheti do e shlyejë me këste për 13 vjet. Dhe fatura për qytetarët rritet.

Pra në dhjetor të vitit 2017 kostoja e koncesionit të rrugës Milot-Balldren u programua nga vete qeveria 110 milionë euro. Por ne vetëm 1 vit e gjysmë, fatura totale e saj kërceu në 256 milionë euro. Gati dy herë e gjysmë më shumë.

Kjo rritje drastike, është arsyeja se pse FMN i kërkon qeverisë të bllokojë ofertat e pakërkuara. Mekanizmi i ofertës së pakërkuar e bën tenderin thuajse fiktiv dhe pa garë, jo vetëm në aspektin praktik, por edhe atë ligjor. Për dy arsye. Se pari bonusi prej 10 për qind të pikëve që qeveria i jep ofertuesit të pakërkuar para tenderit, praktikisht e bën atë fitues të paracaktuar në tender.

Së dyti, edhe në këtë garë të kufizuar, kompanitë qëë marrin pjesë në tender garojnë vetëm për çmimin e ndërtimit. Pasi shpallet fituesi, Ministria e Infrastrukturës negocion koston e interesit kokë më kokë me kompaninë private. Pra kostoja e interesit, e cila është sa 40 për qind faturës totale, nuk bëhet me gare, por me negocim të drejtëpërdrejtë, në një tavoline zyre apo ndoshta edhe private mes drejtuesve të ministrise dhe kompanisë private.

Si mund të lihet nje institucion të negocioje kokë më kokë pa asnjë garë, 90 milionë euro prokurim? Kjo është e paligjshme. Është njesoj sikur një institucion publik të shpenzoje 90 milionë euro nga paratë e qytetarëve pa asnjë tender, por me negociata të drejtëpërdrejta.

Ligjërisht do duhej që gara e konçesioneve të bëhej për të gjithë vlerën e faturës, pra jo vetëm koston e ndërtimit të rrugës, por koston e ndërtimit plus koston e kapitalit. Në të kundërt, ndodh kjo që ndodhi. Një rrugë që u nis me 100 milionë euro, do ta paguajmë 256 milione euro. Dy herë e gjysmë më shumë, gosti për firmen e afërt me një ish deputet të Partise Socialiste, shumë i afërt me kryeministrin Edi Rama.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0072078704833984
array(1) { ["section"]=> string(107) "si-u-rrit-me-2-5-here-kostoja-e-aksit-milot-balldren-gostia-per-firmen-e-afert-me-ish-deputetin-e-ps-165446" }