Skandalet e një Komisioni Skandalesh

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:19 12-05-2016 Skandalet e një Komisioni Skandalesh

Nga Adriatik Dosti

Për të shmangur çdo lloj keqkuptimi e çdo lloj interpretimi dashakeq që në fillim, për të mos thënë dikushi se “po ky zotëria pse po na i del në mbrojtje akteve të dënueshme sportive e dhunës apo politizimit në sport e në futboll në veçanti”, apo meqënese njihet si dashamirës e përkrahës i Tiranës po e bëj të qartë, të saktë e publik qëndrimin tim ndaj tyre.

Jam kundër dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe çfaredo lloj akti dhune, vandalizmi e rrugaçërie nga cilido që të vije ajo, e që bie ndesh me parimet e qëllimin fisnik të sportit e që cënon rëndë ligjet, rregullat e rregulloret e tij.

Nuk kam ndermend që përmes këtij shkrimi të bëj rolin e Avokatit Mbrojtës të KF Tirana, pasi nuk paguhem prej atij klubi e as prej Presidentit të tij R. Halili.

Po kështu nuk kam ndërmend të bëj edhe rolin e Prokurorit ndaj ekipeve të Korabit e të Pogradecit pasi atë që ndodhi në stadiumet e tyre e që një ditë më pas u pasua me barbarinë ndaj një gazetari sportiv nuk do të mund ta justifikonte e jo më ta mbronte edhe me i zoti specialist i fushës juridiko - ligjore e jo më unë a dikush tjetër si puna ime.

Që në fillim dua të them se në atë të famshmin Komision të Disiplines ka kohë që po veprohet me dy standarte gjykimi e dënimi, duke bërë as më shumë e as më pak, hedhjen e më shumë benzine në zjarrin e ndezur e duke rritur akoma edhe më shumë pakënaqësitë, mllefet e meritat e shumta mes ekipeve, drejtuesve të tyre, Presidentë, trajnerë, lojtarë e pa dyshim edhe pjesës më sensitive të këtij problemi, tifozerive përkatëse.

Ka kohe që për të njëjtat veprime e shkelje rregulloresh, për të njëjtat akte dhune dikush gjykohet e dënohet si i Nënës e tjetri si i Njerkës. Dhe jo rastesisht dhe jo nga padija, por qëllimisht e me skenarë të paracaktuar mirë e qartë e me synime konkrete.

Duke lexuar vendimet e djeshme të Disiplinës nuk e di pse m’u kujtua batuta e Xha Beqos tek i thotë Xha Sulos, në filmin “Kapedani”: More po a e pe mirë atë ti??? Me kë sy e pe, me atë me xham, apo me atë pa xham...

Prej kohesh ne atë Federatë futbolli punojnë njerëz të lidhur ngushte me politikën korruptive shqiptare e me politikanët e saj të mbrapshtë, të cilët kur nuk duan vendin e tyre nuk mund të duan kurrësesi sportin e atij vendi.

Dhe jo rastesisht prej vitesh e vitesh në krye vazhdon të qëndrojë Duka, pikërisht njeriu më ''i saktë'' e që ju duhet tamam atyre që komandojnë sot realisht futbollin shqiptar e që mbushin tribunat e stadiumeve të tij si Persona VIP.

Por ky Duka që e rivotoi me këmbëngulje rizgjedhjen e Platinoviçit në krye te UEFA edhe pas qëndrimit skandaloz antishqiptar të francezit  ndaj nesh, duket se i ka rrënjet thellë si në politikën e politikanëve shqiptarë, qejfli të sportit po aq edhe në ish-kupolen e UEFA ku deri dje drejtonte e komandonte miku i tij i ngushtë.

Edhe në tre tentativa që u bene për largimin e tij nga kreu i FSHF, Platini, si në asnjë rast tjetër të ngjashëm me asnjë lloj federate tjeter anëtare të UEFA, nxitoi dhe erdhi vetë personalisht po tre herë ne Tiranë duke i bërë presion qeverisë shqiptare dhe duke mbrojtur përtej çdo hamendesie mikun e tij besnik. Më qartë se sa te mendosh se lepuri fle gjetiu, nuk ka.

Por le të vijmë tek Disiplina

Me nje kryetar te quajtur Eno Bushi, e dy anëtarë me emrat Ardian Haçi dhe Arben Shkëmbi  që sinqerisht nuk e di se çfarë përfaqësojnë këta persona ne futbollin shqiptar, çfarë kulture sportive, juridike, civile e qytetare kanë, kjo e fundit na doli pas ngjarjeve vërtet të dhunshme e krejtësisht të dënueshme e të papranueshme me një komunikatë zyrtare ku shpallte dënimet e dhëna prej saj ndaj tyre.

Që në fillim bie në sy vazhdimi i hershëm i Gjuetisë së Shtrigave ndaj Tiranës si klub e ndaj tifozerisë së saj si ''forcë zakoni''e trashegimie nga e kaluara e djeshme, për të cilen aty në FSHF, Duka e të besuarit e tij kanë aq shumë nostalgji.

E nisur shumë vite më parë, duke kulmuar me dënimin drastik e absurd të Tiranës me heqjen e Titullit Kampion më 1967/68, vendim të cilin UEFA kurrë nuk e njohu; E vazhduar me burgosjen e Yllit të futbollit shqiptar Skënder Halili, më pas me ndalimin e dënimet e rrepta ndaj nje numri jo të vogël të tifozëve bardhë e blu që protestuan përpara shtëpisë ku mblidheshin Gjeneralët e kuq komuniste të kohës, dënimet e ndëshkimet ndaj klubit të vetëm autokton te Kryeytetit u shtrinë edhe më tej. Lojtarët kyç të saj: Hyka, Frashëri, Mema, Kasmi, Xhaçka etj, vetëm pse nuk pranuan të veshin fanellat e ekipeve - elitare të qeverisë komuniste Partizani e Dinamo u degdisën me shërbime te jashteligjeshme e te detyruara ushtarake sa ne Skrapar e Shkodër po aq edhe ne Durrës e Gjirokastër.

Dhe duket se historia edhe sot 25 vjet pas rënies se komunizmit por fatkeqësisht me komuniste të po atij lloji në pushtet vazhdon të përsëritet me te njëjtet regjizorë, bijtë e nipërit e tyre e po të njëjtat skenare, si të djeshmit, t’i biem kokës klubit plangprishës e që nuk na do e nuk na honeps dot, në të sotmit besnikë të së djeshmes skëterrë.

Si mund të dënosh një tifozeri të tërë , në rastin në fjalë , në ndeshjen me Partizanin, kur të paktën këtë rradhë ishte me korrekte se kurre. Akoma do vazhdojmë me dënime kolektive si në kohën e qoftëlargut e si në Korenë e sotme Diktatoriale e komuniste të Veriut.

Në fushë janë zënë e gjakosur individë të caktuar të cilet kanë emra konkrete, ata kanë abuzuar me detyrën e tyre, kanë shkelur ligjet, normat e rregullat sportive e civile. Merruni me ta e denojini siç e meritojnë, por jo me tifozerinë se i bie që “s' ke ç’i bën gomarit e vete e i bie samarit”.

Ok, sipas jush dhe në një pikë të rregullores është shumë e dëneushme dhe e pa pranueshme ajo ç’ka bëri futbollisti G. Muça pas ndeshjes duke drejtuar thirrje që ju i klasifikoni si nxitje dhune, racizmi e urrejtje e të cilat dënohen ashpër nga rregullorja e garave të UEFA.

Po kryesimi i dhunshëm i tifozerisë së Partizanit nga Drejtori i këtij klubi D. Dervishi për të qëlluar me gurë e sende të forta autobuzin e ekipit të Tiranës, i cili sillte në ndeshje futbollistët, trajnerët e stafin e tij drejtues në cilën pikë të rregullores klasifikohet sipas jush? A nuk përbën nxitje të dhunës e të urrejtjes?

Po deklaratat tejet provokuese të po këtij personi sistematikisht që shajnë, fyejnë, ofendojnë e provokojnë shumë rëndë ekipet, klubet e tifozeritë kundërshtare, në cilën pikë i klasifikoni ju ''të ndershmit e të drejtët'' e Disiplinës? Dhe pse asnjeherë nuk keni marrë asnjë lloj masa parandaluese ndaj tij?

Po deklaratën e Presidentit të po këtij klubi Gaz Demit, se Tirana është një klub banditësh e rrugaçësh, pasuar nga Drejtori i tij Dervishi se na dhunuan barbarët e një klubi barbar, si do ti komentonit ju more qumështorë të drejtësisë së futbollit të sotëm shqiptar...

Po tundja e banderolës me portretin e nje gjenerali komunist famëkeq në 70 vjetorin e KS Partizani ku ishit prezent JU të gjithë drejtuesit e punonjësit e sotëm të FSHF, a nuk përbën një provokim të rëndë për të gjithë ne shqiptarët që aq shume vuajtëm nga diktatura e Dumes me shokë? A nuk përbën thirrje e nxitje për urrejtje e përçarje kombëtare ky rast skandaloz? E pra aty ishit dhe askush prej jush nuk reagoi as ate çast as edhe sot e kësaj dite të paktën duke e dënuar ate lloj provokimi të ndyrë e duke u distancuar prej tij si institucion sportiv e i depolitiuzuar. Por ju nuk mund ta bëni dot këtë pasi të gjithë po nga ajo shkollë keni dalë...ndaj edhe Tirana e ndonje klub tjetër rrethesh, ju verbon sytë e ju prish gjumin e darkës.

E pra as më pak e as më shumë janë pikërisht këto lloj shkaqe që etiketohen si nxitëse të dhunës, urrejtjes, rracizmit e që përmes provokimeve kaq të rënda çojnë më pas në ato akte dhune që dalin jashte çdo lloj parashikimi e kontrolli e që me të drejtë duhen ndëshkuar e dënuar rëndë. Çdo shkak zotërinj, ka për reagim të menjehershëm pasojen.

Si ka mundësi nuk pamë e nuk dëgjuam asnjë lloj dënimi për ato ç'ka thashë më sipër e që janë të bëra publike nga të gjitha mediat e shkruara e vizive shqiptare. E pra këtu kemi të bëjmë hapur, qëllimisht e me dashakeqësi me një lloj gjykimi me dy stadarde, aq i dëshiruar e e aplikuar sot në Shqipërinë e drejtuar nga horrat e politikës sonë të pa fytyrë.

Po ju sjell një shembull të ngjashëm me të G. Muçes të cilin mirë që nuk e keni dënuar e akuzuar edhe si kriminel të rrezikshëm e antishqiptar me atë lloj dënimi ekstrem që i keni dhënë.

UEFA denoi me 1 vit pezullim nga aktiviteti futbollistik për thirrje tipike rraciste e luftënxitese dhe me baze fyerje të rëndë entiteti nacional gjatë ndeshjes Serbi – Kroaci, lojtarin kroat Josip Simuniç. Por ishte rast i përsëritur i tij dhe më parë ajo e kish denuar atë me 6 ndeshje pezullim ndaj pas saj e dënoi me 1 vit.

Le të vijmë në një lloj interpretimi tjetër të veprimit të Muçës.

Gjithçka ndodhi pas ndeshjes, pra pa cenuar kuadrin sportiv të saj dhe nuk gjeneroi kurrësesi dhunë. Ai thirri “poshte komunizmi”. Të gjithë shqiptarët sot (flas për ata që i thonë vetes tamam shqiptare) nga mëngjesi deri në darkë dhe kudo janë të lirë të thërrasin sa herë të duan “poshtë komunizmi”, apo jo? Ka ndodhur në qindra e qindra raste në sheshe , mitingje, e deri ne qeveri e parlament dhe askush nuk është dënuar për këtë. Ai thirri “mbyteni Beogradin”. Po edhe ne Beograd gjithë ditën e ditës thërrasin e bërtasin “mbytini shqiptarët” Tha që “mbyteni morrin e kuq” si insekt e parazit tepër i dëmshëm, edhe këtu nuk tha ndonje gjë të keqe. Ku e bazoni ju dënimin e tij duke e klasifikuar si racist, me baze urrejtje e nxitje dhune?

Personalisht i dënoj thirrjet që nxisin e gjenerojnë dhunë mes njerëzve e komuniteteve të ndryshme njerëzore, por kur mbi to vepron arsyeja e llogjika e argumetimit e faktimit përpara veprës së kryer.

Ju kujtoj se dy standardet tuaja të dënimeve kanë penalizuar mëse njehere edhe ekipet e Vllaznisë, Flamurtarit e Skënderbeut, apo edhe me keq akoma të pa mbrojturit e vegjël të Tërbunit e të Bylisit.

Vetëm për rrahjen e nje zyrtari te FSHF, Bylis u përjashtua një vit nga Superliga dhe po vazhdon ende ta vuajë edhe sot inatin e saj ndaj tij. Mirë bëtë që e dënuat, po si i behet halli kur nje ekip i tërë e një klub i tere sportiv rreh një ekip e një klub të tërë sportiv si ai i rastit te Pogradecit, ku lojtarëve u thyhen dhëmbët, gjakosen e çohen me ambulanca nëpër spitale dhe ajo e fameshmja juaj Disiplina na i dënon me gjoba qesharake, me denime që shkojnë nga 2-4 e 6 javë pezullim.

E pra është fyes një diskriminim i tillë që i bëni jo vetëm kuadrit sportive, por edhe tepër neveritës përbuzja që i bëni deri edhe jetës së futbollistëve, trajnerëve e drejtuesve te tyre, siç ngjau me rastin Pogradeci ku minimumi ai klub duhej pezulluar një vit nga të gjitha aktivitetet kombëtare futbollistike e me pas individë të caktuar duheshin dënuar sipas rregullores e ligjeve në fuqi.

Edhe rasti i Dibrës ku dhuna ishte masive dhe krejtesisht e pa tolerueshme, e pa justifikueshme dhe e dënueshme me te drejtë, sipas meje meritonte nje tjetër këndveshtrimi e gjykimi.

Dy javë më parë vetë Duka ishte atje dhe e dinte fort mirë që aty do te luhej një ndeshje decizive që lidhej me hyrjen ne Superligë. Cfare pa, cfarë tha e çfarë bëri në mënyrë që t’i paralajmeronte vendasit e që t’i përgatiste të merrnin masa ekstreme sigurie për zhvillimin normal të takimit. A nuk i bëri përshtypje fjala vjen infrastuktura e rrënuar sportive e stadiumit të vjetër të qytetit e cila kurrësesi nuk garantonte një zhvillim normal të një ndeshje futbolli të një rëndësie të tillë? Ndoshta tek degjointe ciftelinë e De Biazit, ka ëndërruar që mezi të presë të ndodhe ajo qe ndodhi e ti japë shkelmin një orë e më parë ''fajtorevë'' e të nesërmen të bëjë rolin e Armikut më të madh të dhunës në futbollin shqiptar, rolin e drejtuesit babaxhan, të drejtë e të ndershëm e deri edhe rolin e Heroit të futbollit tonë kombëtar që aq shumë e ka per zemër.

Jo zotërinj të Dukës e të Disiplinës që ju a paracakton Duka, jo. Dhuna duhet dënuar së pari duke filllua që nga ju nostalgjikët e së djeshmes e të korruptuarit e të sotmes. Dhuna duhet luftuar qe tek Presidentet e Drejuesit e shumtë banditë e mafioze që kanë kohë që e kanë zënë për fyti futbollin shqiptar duke e përdorur për interesat e tyre të bizneseve të pista e të paligjeshme.

Dhuna dënohet kur sporti qëndron larg politikës e VIP-ave të saj që bëjnë thirrje për Skuqje të Kryeqytetit. Dhuna dënohet e parandalohet kur dënohen ashpër shitblerjet e trukimet e panumërta të ndeshjeve në futbollin shqiptar.

Dhuna ndalohet e nuk gjeneron dot kur dënohen Arbitrat kamikaze tuaj për të demtuar gjatë gjithë edicionit sipas skenareve tuaja mafioze sistematikisht Tiranën, Teutën, Vllazninë, Flamurtarin apo edhe Bylisin e Tërbunin e fundit te tabelës.

Dhuna nuk frenohet me këto lloj denimesh skandaloze e me dy standarde, siç ju urdhërojnë e komandojnë ata lart, sipër jush, ata që ju zgjodhën e po ju mbajnë në ato karrige me çdo lloj forme e mënyre se ju duheni. Ju duheni per të dënuar e denigruar pikerisht ekipe të tilla si Tirana, legjendë, histori e aset i vyer kombëtar i futbollit shqiptar, e për të përkëdhelur e rikthyer në podin e nderit lavdinë e nderin tuaj të dikurshëm e tashmë të humbur e të rrënuar të cilin po perpiqeni ta ringjallni me çdo çmim ekipin e ushtarakëve të kastës së djeshme famekeqe komuniste.

Të jeni të sigurtë se nuk do te mund t' ja arrini dot kurrë asaj ç’ka keni në mendjet tuaja të mbrapshta e në shpirtrat tuaj të trazuar me shumë se kurrë që pas ‘91 e në vazhdim. Ajo kohë, koha juaj perëndoi njeherë e mirë e kurrën e kurrës nuk ka per t’u kthyer më në atë vend. Ndaj larg duart tuaja të ndyra politike nga sporti e futbolli në veçanti. Vetë hëngërshi kokën me njeri tjetrin, në të paktën mos na armiqësoni e perçani përmes sportit , sepse ai bashkon e vellazëron e nuk ngall as urrejtje e as rracizma, as dhunë e as antishqiptarizma. Përkundrazi, shembulli i suksesit te Kombëtares sonë, flet mjaft e qartë. Çdo lloj komenti tjetër do të ishte i tepërt.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0081818103790283
array(1) { ["section"]=> string(42) "skandalet-e-nje-komisioni-skandalesh-40215" }