“Skandali i ilaçeve prek kupolën e Fondit të Sigurimeve”

Publikuar tek: analiza-komente, më 19:32 10-06-2015 “Skandali i ilaçeve prek kupolën e Fondit të Sigurimeve”

Një raport i Njësisë së Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit në Kryeministri tregon se hetimi i prokurorisë  për skemën e abuzimit të ilaçeve është vetëm maja e ajsbergut dhe vlera e dëmit është të paktën tre herë më e lartë.

Një recetë mjekësore, e lëshuar në nëntor 2014 në Tiranë i rekomandon një pacienti me Osteoperozë që të marrë çdo mëngjes, para buke dhe esëll, një dozë Acidi Ibandronik. Kjo kurë dhe 13 të tjera të ngjashme me gjasë do t’i kishin “vrarë” të sëmurët. Protokolli mjekësor për trajtimin me këtë medikament lejon vetëm një dozë në muaj.

Fatmirësisht, këto nuk janë receta të lëshuara prej mjekësh për pacientë të vërtetë. Fatkeqësisht, përmes këtyre recetave false, drejtues farmacish dhe zyrtarë të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH dyshohet se kanë përfituar 150 milionë lekë (1.07 milionë euro) gjatë vitit të fundit.

Më 5 qershor 2015, Prokuroria e Tiranës arrestoi nëntë persona, mes të cilëve edhe drejtorin e FSDKSH së Tiranës, Pjerin Xhuvani për abuzime me fondin e ilaçeve të rimbursueshme.

Prokuroria hetoi një skemë mashtrimi me katër farmaci “fantazmë”, që përmes recetave të falsifikuara kishin përfituar rreth 56 milionë lekë nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor.

Megjithatë, një raport i Njësisë së Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit pranë qeverisë, të cilin BIRN e disponon tregon se Prokuroria ka hetuar deri më tani vetëm majën e ajsbergut të këtij abuzimi. Ky raport evidenton një dëm që e kalon vlerën e 150 milionë lekëve, ndërsa e ka zgjeruar skemën e abuzimit edhe me shtatë farmaci të tjera.

Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit, NJKBA evidenton gjithashtu se drejtuesit e Fondit u përpoqën të fshihnin shkeljet ose ta shkarkonin përgjegjësinë vetëm zyrën rajonale të Tiranës. Zyrtarët e arrestuar deri më tani i përkasin vetëm kësaj drejtorie.

Ndërsa dokumenti i kontrollit, i siguruar nga BIRN, i shtrin përgjegjësitë deri tek zv.drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm, Sokol Skura. Tre farmacitë e të afërmve të tij kanë përfituar shumë të konsiderueshme parash nga rimbursimi i ilaçeve gjatë vitit 2014, deri në prill të 2015.

Sipas raportit të NJKBA, Skura, i cili është anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste dhe kandidat për Këshillin Bashkiak të Librazhdit në këto zgjedhje, dyshohet se është në konflikt interesi për të paktën 3 farmaci, që drejtohen nga kunata dhe bashkëshortja e tij.

Skura refuzoi t’i përgjigjej kërkesës për koment të BIRN.

Ndërsa zëdhënësja e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Etiola Kola i tha BIRN se drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar mendimin e ILDKP-së, nëse Skura ishte apo jo në konflikt interesi, teksa të afërm të tij përfituan para nga skema e rimbursimit.

“Deri tani nuk kemi marrë një përgjigje nga ILDKP,” tha ajo.

Abuzimi me skemën e rimbursimit

Hetimi administrativ i NJKBA për skemën e abuzimit me ilaçet e rimbursueshme filloi më 18 mars 2015, pas një urdhri të kryeministrit Edi Rama. Një anëtar i grupit të kontrollit i tha BIRN në kushtet e anonimatit se Njësia ishte vënë në lëvizje pas ankesës së një pensionisti.

I moshuari kishte këmbëngulur të takonte kryeministrin, pasi nuk merrte barna të rimbursueshme prej muajsh. Ai pretendonte se fqinji i tij i merrte ato rregullisht.

Fondi i Kujdesit Shëndetësor është krijuar për të financuar mjekimin e shtresave në nevojë, pensionistët, fëmijët apo pacientë me sëmundje të rënda. Në raportin vjetor të FSDKSH thuhet se fondi i rimbursimeve për 2014 ishte 8.2 miliardë lekë, nga të cilat u shpenzuan 98 për qind.

Në faqen 30 të raportit vjetor vitin 2014 thuhet se “kategoria Pensionistë ka një ulje prej 140 milion lekësh më pak në krahasim me vitin 2013”. Megjithatë, FSDKSH evidenton se numri i recetave të rimbursuara për kategori ishte rritur me 283 810 më shumë, falë uljes së çmimit të ilaçeve.

Raporti vlerëson gjithashtu një rritje me 19 milion lekë të reja për të sëmurët me kancer, të cilëve u është dedikuar një shifër prej 500 milionë lekësh rimbursim gjatë 2014.

Pensionistët dhe të sëmurët me kancer janë kategoritë më të prekura nga skema e recetave të falsifikuara.

Në raportin e kontrollit prej 47 faqesh, të cilin BIRN e disponon rezulton se 11 farmaci janë pjesë e skemës së abuzimit. Një pjesë prej tyre nuk kanë pasur asnjëherë aktivitet, ndërsa të tjerat kanë përfituar rimbursim përmes recetave false.

“Në të gjitha rastet nuk ishte e vështirë të dallohej vula e falsifikuar e mjekut në receta që rezultojnë deri në 90 për qind fiktive,” thuhet në raport.

Burimi pranë grupit të kontrollit i tha BIRN se vulat ishin blerë në kancelari; të ngjashme me ato që përdoren nga fëmijët e shkollave, pasi rindërtohen nga shkronja të ndryshme.

“…Vulat e mjekëve dallohen me sy të lirë që janë të falsifikuara, pasi duket që janë bashkim shkronjash,” thuhet në pjesë të Akt Kontrollit.

Në disa prej farmacive si Nutrimed, Lundër, Bërzhitë dhe Adelina, të cilat janë marrë në hetim edhe nga prokuroria, numri i recetave false shkon nga 90 deri në 100 për qind. Vlerat e tyre kanë qenë gjithmonë të larta, ndërsa barnat e përshkruara në të gjitha rastet, sipas kontrolluesve nuk i përmbahen protokollit të mjekimit. Sidoqoftë, ato duket se i kanë shpëtuar verifikimeve edhe pse “gafat” në to ishin të dukshme dhe të rrezikshme.

Kontrolluesit e Kryeministrisë kanë zbuluar gjithashtu se kontratat e nënshkruara me farmacitë, thuajse të 11 të marra në shqyrtim, janë me probleme dhe në shkelje të ligjeve. Në rastin e farmacisë Nutrimed 2012, pronar i të cilës është i arrestuari Hysni Roçi, NJKBA ka zbuluar se në kontratën me Fondin janë përdorur tre NIPT-e të ndryshme dhe emër i rremë pronari. Në rastet e tjera, NIPT-i nuk gjendet i regjistruar në QKR (Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve) edhe pse me këtë NIPT është lëshuar leja/licenca prej QKL-së (Qendra Kombëtare e Lejeve/licensave).

Gjatë procesit të kontrollit, NJKBA ka kontaktuar mjekët që pretendohej se kishin lëshuar receta në këto farmaci. Në të gjitha rastet, mjekët kanë mohuar t’i kenë lëshuar recetat.

NJKBA thotë se dëshmia e mjekëve ka qenë e saktë, pasi recetat e lëshuara nuk janë të shënuara në regjistrat përkatës, pacientët e supozuar nuk janë pacientë të këtyre mjekëve dhe se në disa raste mjekët nuk kanë qenë në punë në qendrat shëndetësore prej nga vinin recetat.

Kontrollet selektive të Fondit

Kontrolli i NJKBA ka vërejtur se drejtuesit e Fondit urdhëronin kontrolle të shumëfishta mbi farmaci të rregullta dhe pa arsye dyshimi, ndërsa mbyllnin sytë para luhatjes së shifrave në farmacitë e përfshira në skemën e mashtrimit.

Raporti i kontrollit tregon se farmacia “Adelina” kishte përfituar zero lekë nga fondi në gusht dhe 74 mijë lekë të reja në shtator. Në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor, kjo farmaci ka përfituar 1.7 milionë, 1.6 milionë dhe 3 milionë lekë nga fondi i rimbursimit. Megjithatë, ajo nuk ishte kontrolluar asnjëherë.

Në listën e farmacive të pakontrolluara janë edhe tre farmacitë e të afërmve të zv.drejtorit të Përgjithshëm të FSDKSH, Sokol Skura. Dy prej tyre janë në pronësi të kunatës ndërsa e treta në pronësi të bashkëshortes.

Sipas NJKBA, farmacia e bashkëshortes së Skurës nuk ishte kontrolluar që prej ditës së regjistrimit në QKR.

Raporti i kontrollit evidenton se këto raste janë të rënduara nga rrethanat e konfliktit të interesit, pasi “zv.drejtori ka për detyrë të bashkërendojë punët mes strukturave të fondit dhe të kontrollojë marrëdhëniet me subjektet e kontraktuara”.

Pavarësisht se gjatë gjithë raportit flitet për shkelje e falsifikime të kapura lehtësisht me sy të lirë, NJKBA vëren se pati përpjekje për ta fshehur atë që kishte ndodhur prej kontrollit.

“Fondi u vu në lëvizje për subjekte farmaceutike të caktuara, pas evidentimit të tërheqjes së dosjeve problematike nga ana e grupit të kontrollit në Drejtorinë Rajonale Tiranë”, thuhet në faqen 44 të raportit të NJKBA-së.

Sipas shënimit, kjo ishte një provë që Fondi kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm. Njësia e Antikorrupsionit thotë se Fondi urdhëroi dy kontrolle të tjera mbi DRFSDKSH që u kryen paralelisht me atë të njësisë. Qëllimi i këtyre kontrolleve, sipas grupit të dërguar nga kryeministri ishte mbulimi i problemeve dhe shmangien e përgjegjësive ligjore të FSDKSH dhe ngarkimin e shkeljeve mbi drejtorinë rajonale.

“Në momentin e tre kontrolleve, drejtoria rajonale kaloi në kaos të plotë pasi tre grupe të ndryshme inspektimi kërkonin të njëjtat dosje,” thuhet në raport.

Pas arrestimit të nëntë personave dhe shpalljes në kërkim të dy të tjerëve, Prokuroria po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të abuzimit me skemën e rimbursimit të ilaçeve. Një burim nga organi i akuzës i tha BIRN se numri i personave që mund të ndiqen penalisht mund të shkojë në 50.

Përveç raportit të NJKBA-së, dyshime për përfshirjen e drejtuesve të lartë në këtë skemë ka hedhur edhe njëra prej specialisteve të arrestuara.

Frida Lamçe, njëra prej specialisteve të arrestuara, gjatë dëshmisë së saj para gjykatës tha se “kontratat i kishte firmosur, pasi kështu kishin urdhëruar shefat”.

“Unë debatova dhe nuk isha dakord për këtë firmë, por juristja më tha se nëse nuk e bëja, do të kisha probleme,” shtoi Lamçe.

Megjithatë, edhe pas shpërthimit të skandalit, Fondi vazhdoi të disbursonte shuma të majme parash për farmacitë me probleme.

Në prill 2015, FSDKSH vendosi të publikojë online listën e farmacive që rimbursoheshin dhe vlerat përkatëse. Raporti i detajuar për muajin prill 2015 gjendet në faqen online të fondit.

Pesë nga 11 farmacitë e kapura me shkelje nga Njësia e Kontrollit dhe Antikorrupsionit gjenden sërish mes 15 përfituesve më të mëdhenj nga fondi i rimbursimeve në Tiranë. Në prill 2015, këto farmaci kanë përfituar së bashku më shumë se 44 milionë lekë rimbursime ilaçesh.

BIRN

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.035207033157349
array(1) { ["section"]=> string(60) "skandali-i-ilaceve-prek-kupolen-e-fondit-te-sigurimeve-13223" }