Skenaristi kalon te çadra: Pashë atë gjeneratorin që nuk është fikur kurrë prej 3 muajsh. Me aq lekë sa keni shpenzuar...

Publikuar tek: fcb-bomb, më 12:40 12-05-2017 Skenaristi kalon te çadra: Pashë atë gjeneratorin që nuk është fikur kurrë prej 3 muajsh. Me aq lekë sa keni shpenzuar...

Skenaristi Alion Çaçi bën një refleksion interesant të situatës aktuale. Refleksion që nis me smartfonin e tij të djegur dhe përfundon me çadrën e opozitës.

“Kalova mbrapa Çadrës qëparë, pashë atë gjeneratorin që nuk është fikur kurrë prej gati 3 muajsh. Një këshillë kisha: Me aq lekë sa keni shpenzuar VETËM për karburant të tij, do kishit ushqyer shumë familje në nevojë, do kishit marrë votat e tyre dhe ndoshta do kishit mundësinë për t’i bërë realitet ato që thoni (që larg qofshin, por thjesht po them)”, shkruan Çaçi.

POSTIMI I PLOTË:

Një ditë të plotë ndenja pa hapur fejsbukun dhe lloj lloj gjëmash më panë sytë tani që hyra. Kaç Myftaraj që shante një femër të huaj, Kadare që shante Kaçin, një popull i tërë, që e ka në bythë nga mëngjesi deri në darkë, shan dhe Kaçin dhe Kadarenë (të dy këta rehat në jetët e tyre dhe me asnjë përgjegjësi kundrejt nesh).

Para tre javësh smartfoni im u dogj, për 3-4 ditë isha fare pa celular. Vura re që orari i punës nuk m’u cënua dhe nuk e humba punën. Vura re që takova përsëri të njëjtët miq te bari që frekuentoj përditë dhe nuk humba asnjë prej tyre. Vura re që shtëpia nuk më kishtë lëvizur nga vendi dhe përsëri komshiu nuk e mblidhte jashtëqitjen e qenit të tij i cili ka shënjestruar hyrjen time. Pra, në thelb, asgjë e domosdoshme për mua nuk ngeli pa u bërë në ato 3-4 ditë.
Ndërsa tani, përdor një celular nga ata me dritë, që për më tepër as drita nuk i punon. (Ata që më njohin nga afër e dinë që nuk po gënjej). Dhe mund të them që këto 3 javë kam vënë re gjëra të cilat më parë nuk e dija që ekzistonin. Për shembull, gjëja e fundit që vura re sot, duke mos ecur rrugës me sytë poshtë te celulari, ishte që busti i Adem Jasharit te Rruga e Durrësit është hequr sepse dikujt që po bën një hotel aty, i zinte projektin e lulishtes. S’po e komentoj, thjesht po them.

Gjë tjetër që kam vënë re kanë qenë ngjyrat e flokëve dhe të syve të njerëzve, të cilët tani i shikoj kur flas. Edhe më parë i shikoja, por tani i detyroj të më dëgjojnë. Kam vënë re që hyj për të kaluar rrugën direkt sapo bëhet jeshile, dhe kështu nuk humbas asnjë sekondë nga dita ime. Kam vënë re që është më bukur nëse një imazh që ke parë diku, vret trurin dhe fillon e kujton dhe e përshkruan për t’ia treguar dikujt. U them dhe njerëzve kur më thotë “Ja shikoje se e kam me foto”. JO! Brenda mundësive, ma përshkruaj, hajde flasim, kështu mësojmë të flasim dhe të shkruajmë dhe mësojmë të jemi njerëz. Komunikimi na ndan nga kafshët dhe ne e shpërdorojmë këtë aftësi që kemi. Mburremi që jemi të rrallë, deri në atë pikë sa ka nga ata që mburren edhe se kanë grup gjaku të rrallë.

E di që është një shkrim tipik moralist anti-teknologji, por unë s’jam anti-teknologji. Thjesht jo në çdo sekondë të ditës. Nuk mendoj se m’u desh të më digjej smartfoni për ta kuptuar, por për ta vënë në zbatim. Të gjithë kemi email-e për të lexuar nga puna, të gjithë kemi shoqe, shok, grua, burrë, të dashur, dashnor/e, pronar, shef, drejtor me të cilët duhet të rrimë në kontakt. Por aq, jo që në fjalinë e tretë që unë kam filluar të flas, ti fillon bën scroll doën. Ktheni mesazhe, përgjigjuni thirrjeve kur jeni me njerëz po mos e teproni se jeni bërë të mërzitshëm. Kur jeni vetëm, bëni ç’të doni.

Dhe e nisa me atë debatin Myftaraj – Kadare sepse lajmin s’e kam idenë si është, thjesht pashë 3800 mendjet që kam unë në fejsbuk. Kjo, sepse keni kaluar shumë kohë dukë lexuar gjëra pa vlerë. Shkruajta pa i menduar dy herë gjërat, ndryshe do kisha shkruar diçka politike, si të gjithë këto ditë, fundja.

P.S. Kalova mbrapa Çadrës qëparë, pashë atë gjeneratorin që nuk është fikur kurrë prej gati 3 muajsh. Një këshillë kisha: Me aq lekë sa keni shpenzuar VETËM për karburant të tij, do kishit ushqyer shumë familje në nevojë, do kishit marrë votat e tyre dhe ndoshta do kishit mundësinë për t’i bërë realitet ato që thoni (që larg qofshin, por thjesht po them).

P.P.S. Ja, vrava trurin shumë tani dhe e bëra politikë edhe këtë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.024255990982056
array(1) { ["section"]=> string(181) "skenaristi-kalon-te-cadra-pashe-ate-gjeneratorin-qe-nuk-eshte-fikur-kurre-prej-3-muajsh-me-aq-leke-sa-keni-shpenzuar-vetem-per-karburant-te-tij-do-kishit-ushqyer-shume-familje-78386" }