Sky Sport: Shqipëria beson, mjafton të imitojë Leisterin

Publikuar tek: sport, më 14:13 05-06-2016 Sky Sport: Shqipëria beson, mjafton të imitojë Leisterin

Sipas “Sky Sport”, De Biazi do të luajë në fushë me skemën 4-2-3-1, me formacionin: Berisha; Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli; Kukeli, Xhaka, Abrashi, Lenjani; Çikalleshi

Në një analizë të detajuar, “Sky Sport” e shikon kombëtaren si një ekip që mund të bëjë surprizë në Europian

Një realitet europian që duhet pranuar, falë kualifikimit historik në një veprimtari prestigjioze, që jo më kot është konsideruar edhe si “Hirushja” e “Euro 2016”. Shtypi i huaj vazhdon të flasë me superlativa për Shqipërinë, e cila renditet në grupin A në Europian së bashku me Francën, Rumaninë dhe Zvicrën. Në një analizë të detajuar, uebsajti italian “Sky Sport”, shpjegon rrugëtimin e kombëtares deri në Francë, duke theksuar se në pjesëmarrjen e saj të parë në një veprimtari të tillë, kërkon të befasojë. Sipas “Sky Sport”, Shqipëria e bazon lojën e saj në një strukturë solide në mbrojtje.

KU MUND TË ARRIJË

Saktësisht, 19 vjet më parë, Shqipëria mbante vendin e 124-t në renditjen e FIFA-s. Në harkun kohor të dy dekadave, ka ndryshuar gjithçka në Tiranë. Kualifikimi i parë historik në Europian, është fryt i një pune të madhe të trajnerit Xhani de Biazi dhe stafit të tij, të aftë për të ndërtuar një grup solid mbrojtës nga pikëpamja e parë (0,6 gola të pësuar në të gjitha ndeshjet eliminatore të Europianit). Këtu mund të bazohen edhe shpresat për të kaluar në 1/16 e Europianit të Francës. Ndeshja vendimtare mendohet se do të jetë ajo e 19 qershorit, në Lion, kundër Rumanisë. Bastvënësit e kanë kuotuar me 350 triumfin e Shqipërisë në “Euro 2016”. A mund ta përsërisë Shqipëria mrekullinë e Leister Sitit në Premier Ligë?

PRECEDENTËT NË EUROPIAN

Shqipëria paraqitet në ballon e “Euro 2016” si një “Hirushe”. E dyta në grupin e saj eliminator, pas Portugalisë së Ronaldos, skuadra e De Biazit bëri të ëndërrojë një komb të tërë. Në statistikat e saj të varfra, në ndeshjet europiane (18 fitore në 93 ndeshje) janë disa fitore bombastike, si ajo me Rusinë, në vitin 2003 (3-1), ajo me Turqinë (3-0, më 1972) dhe ajo me Danimarkën (1-0, më 1963). Rezultati që ka bërë më shumë zhurmë ka qenë barazimi 0-0, në vitin 1967, rezultat i cili i mohoi Gjermanisë Perëndimore pjesëmarrjen në Europian dhe që më pas u fitua nga Italia.

YLLI I EKIPIT

Është e vështirë që të individualizohet një element në një skuadër, ku “forca është kolektiviteti”, sipas asaj që thotë De Biazi. Por mbrojtësi anësor i Napolit është duke u cilësuar si një nga më të mirët në Europë, për rolin e tij. Vjen nga një sezon i mrekullueshëm më blutë (37 ndeshje në kampionat, duke përfshirë edhe dy asiste), por duke pasur edhe një rendiment konstant, ai ka treguar se mund të konkurrojë mjaft mirë edhe në nivele të larta, pasi zbarkoi tek Empoli vetëm 17 vjeç. Në Francë vjen edhe përkushtimi me kombëtaren, ku është një nga pikat më të forta.

TRAJNERI

Debutimi në eliminatoret e Euro 2016, duke mposhtur 1-0 jashtë fushe Portugalinë e Kristiano Ronaldos ishte si një shenjë e fatit. Trajneri italian, i cili do të mbushë 60 vjeç pikërisht gjatë Europianit, është në kulmin e një karriere, që e pa të fillonte në Itali, me ekipe si Modena, Breshia, Torino dhe Udineze. Duke e nisur nga provinca, tashmë ka shansin e madh të tregojë vlerat e tij. Jo keq për një trajner që në muzetë e tij ka vetëm tituj të Serisë C, Lega Pro e sotme.

KURIOZITETE

Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i kombëtares shqiptare, është Erjon Bogdani, me 18 gola të shënuar. Panajot Pano është cilësuar si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në Shqipëri (450 gola në karrierë) dhe është autori i golit të parë për Shqipërinë në eliminatoret e një Europiani, pikërisht në fitoren 1-0 ndaj Danimarkës, në tetor të viti 1963. E filloi si portier, por më pas u bë “bomberi” i kampionatit shqiptar. Për herë të parë në historinë e një Kampionati Europian, dy vëllezër mund të përballen mes tyre. Më 11 qershor, në Lens, Taulant Xhaka mund të zbresë në fushë kundër vëllait të tij të vogël, Granit Xhaka, i cili luan te Zvicra.

SI LUAN

Shqipëria e ka bazuar lojën e saj në një strukturë solide në mbrojtje, gjë që i ka lejuar të pësojë një gol në çdo dy ndeshje gjatë eliminatoreve. Hysaj siguron një shtytje të madhe nga krahu i djathtë, teksa në qendër është e gjithë përvoja e ish-lacialit Lorik Cana, kapiten dhe rekordmen në paraqitjet me fanellën e kombëtares së Shqipërisë. Në mesfushë De Biazi beson te grinta e Taulant Xhakës, që është duke u riaftësuar nga një dëmtim, por që do të jetë gati për ndeshjen e 11 qershorit. E vetmja “pykë”, Çikalleshi, siguron lëvizshmëri, mbulim në daljet e mesfushorëve, teksa nga 4-2-3-1 mund të kthehet shumë shpejt në 4-5-1, në fazën e zotërimit të topit. Shqip

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Parashikim: Shqipëria e kalon grupin
A do të jetë ky formacioni kuqezi anti-Zvicër? (Foto) »
Article Logic
Execution time: 0.020900964736938
array(1) { ["section"]=> string(60) "sky-sport-shqiperia-beson-mjafton-te-imitoje-leisterin-42511" }