Statuti i ri në PS, rikthehet posti i Sekretarit të Përgjithshëm

Publikuar tek: politike, më 09:59 14-03-2016 Statuti i ri në PS, rikthehet posti i Sekretarit të Përgjithshëm

Partia Socialiste do të rikthejë në strukturën qendërore postin e Sekretarit të Përgjithshëm, i cili do të jetë përgjegjës për drejtimin dhe funksionimin organizativ të partisë. Kjo do të ndodhë në datën 19 mars kur do të miratohet nga kongresi projektstaturi i ri i PS.

Rikthimi i postit të Sekretarit të Përgjithshëm në Partinë Socialiste do të bëhet për fakt të domosdoshmërisë të angazhimit i një individi me shumë njohje dhe mbështetje në PS, veçanërisht gjatë kohës që kryetari i saj është kryeministër dhe merret me punët e qeverisë. Në këto kushte, kryetari në hije i Partisë Socialiste, i cili do të merret me punët e partisë, do të jetë Sekretari i Përgjithshëm.

Partia Socialiste e kishte këtë funksion deri në vitin 2011, kur u bë statuti i ri dhe PS ishte në opozitë. Gjatë kohës së opozitës, kryetari i Partisë Socialiste ishte i angazhuar me kohë të plotë vetëm me punët e partisë, ture, fushata, takime etj., dhe nuk kishte nevojë për të pasur edhe një numër dy me detyra dhe kompetenca partiake.

STATUTI

Sekretari i Përgjithshëm do të jetë drejtues i Asamblesë Kombëtare, aktualisht kemi vetëm drejtues të Asamblesë dhe të Grupit Parlamentar Socialist, detyra që i kryen Gramoz Ruçi.

Ai do të drejtojë edhe Sekretariatin ekzekutiv të PS, të cilin me statutin aktual e drejton kryetari i partisë, si sekretariat i kryesisë së partisë. Sekretari i Përgjithshëm do të jetë ai që do të ketë peshën dhe fuqinë e kryetarit të Partisë Socialiste në rastet kur ai mungon.

“Në mungesë dhe me porosi të kryetarit të partisë drejton mbledhjet e kryesisë së partisë; Kryen funksionet e kryetarit të partisë për periudhën kur vendi i tij mbetet vakant”, thuhet në pikën c dhe f të nenit 47 të projektstatutit. Që të zgjidhesh Sekretar i Përgjithshëm në kongres, kërkohet mbështetja e delegatëve të këtij kongresi.

“Kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm të partisë duhet të kenë të paktën një mandat si anëtar të Asamblesë Kombëtare ose të jenë mbi 10 vjet anëtarë të partisë. Prezantimi i kandidaturës së Sekretarit të Përgjithshëm duhet të ketë mbështetjen e 5% të delegatëve të kongresit. Asnjë prej kandidatëve nuk duhet të ketë mbështetjen e më shumë se 10% të delegatëve”, thuhet në statutin e ri.

Sipas këtij projekti, funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm është i papajtueshëm me funksionin e anëtarit të kabinetit qeveritar si dhe me çdo lloj funksioni tjetër ekzekutiv me kohë të plotë.

Gjithashtu, Sekretari i Përgjithshëm “ndjek dhe përgjigjet për zbatimin e statutit, vendimeve të miratuara nga kongresi dhe rregulloreve e udhëzimeve të forumeve drejtuese të partisë; i propozon Asamblesë Kombëtare për shqyrtim e miratim dokumentet për projektstatutet, projektaktet e ndryshme pjesë të Librit të Rregullave të Partisë”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Formulari për Dekriminalizimin, kush largohet nga puna nëse nuk e dorëzon në datat e caktuara
Basha niset në SHBA me Strazimirin, Tabakun dhe Selamin: Zbardhet axhenda »
Article Logic
Execution time: 0.017355918884277
array(1) { ["section"]=> string(69) "statuti-i-ri-ne-ps-rikthehet-posti-i-sekretarit-te-pergjithshem-35023" }