Stefani kundër Blushit: Të akuzosh Rilindjen për varfëri është më shumë se një lajthitje

Publikuar tek: politike, më 13:43 27-04-2015 Stefani kundër Blushit: Të akuzosh Rilindjen për varfëri është më shumë se një lajthitje

Në një kohë kur debate të shumta janë hapur pas kritikave të deputetit Ben Blushi ndaj qeverisjes së kryeministrit, analisti Andrea Stefani i del kundër Blushit nëpërmjet një shkrimi të botuar në gazetën “Shqip” ku thotë se qeverisja e “Rilindjes” në vetëm dy vite nuk mund të jetë shkaku i varfërisë. Për Stefanin kjo është më shumë se sa një lajthitje, është njësoj si “të zemërohesh me mjekun që po përpiqet të shërojë një sëmundje kronike më shumë se 20-vjeçare”, duke listuar kështu ndalimin e vjedhjes së energjisë, shkatërrimin e plantacioneve të kanabisit, prishjen e ndërtimeve pa leje etj.

“Të akuzosh pas më pak se dy vjet qeverisje “Rilindjen” se është mëma e varfërisë që vuajnë sot jo pak shqiptarë është më shumë se një lajthitje. Sepse është njësoj si të zemërohesh me mjekun që po përpiqet të shërojë një sëmundje kronike më shumë se 20-vjeçare. Të zemërohesh, t’i thuash në djall (!) se po të shkakton disa dhembje, ndërsa përpiqet të të shërojë! Por është edhe më keq të joshesh nga qarjet hipokrite të një opozite si kjo e PD, të kërkosh shpëtim tek ajo që jo vetëm nuk e kuroi plagën e varfërisë në 8 vjet, por e acaroi edhe më shumë me korrupsionin dhe keqqeverisjen.

***

Është e vërtetë! Rilindja nuk mund të mos shkaktonte dhimbje për një shtresë njerëzish. Për shembull për atë shtresë që u la për vite me radhë ta perceptonte si “mirëqenie” mizerjen e një mbijetese edhe me anë të mospagimit të faturës së energjisë elektrike që ishte njëherazi, edhe një nga plagët antishtet. Për të shëruar shtetin kjo plagë duhej të mbyllej. Politika, nëse mund të quhet politikë një barbari e tillë, e tolerimit të vjedhjes apo mospagimit të energjisë, i kish shndërruar mijëra familje shqiptare në pirania që thithnin gjakun e shtetit shqiptar, që ushqeheshin me trupin e tij përherë e më anemik.

***

Ndalimi i vjedhjes së energjisë do të thotë që shteti të mos humbasë më gjak dhe të nisë të shërohet nga anemia. Që do të thotë, po ashtu, të ketë më shumë para për të mbështetur luftën kundër mjerimit dhe varfërisë kronike qoftë me investime publike apo mbështetje sociale. Por nuk mund ta bëjë këtë menjëherë. I duhet kohë, të paktën më shumë se dy vjet, të marrë veten prej anemisë së shkaktuar nga një vjedhje që po vazhdon për më shumë se 25 vjetësh! Shqiptarët, kuksiani apo vlonjati, duhet t’ia japin kaq mundësi Rilindjes dhe jo të arratiset në eksod, duke shpallur se jeta i është bërë e padurueshme tani që nuk vjedh dot më energjinë! Duhet ta kuptojnë më në fund, se pikërisht ajo që i është dukur si një gomë mbijetese në detin e mjerimit, mospagimi i energjisë, është një nga shkaqet e mjerimit jo vetëm për ta, por edhe për shtetin.

***

Po, Rilindja ka shkaktuar dhimbje kur ka shkatërruar plantacionet e kanabisit duke prerë financimet e mijëra familjeve fshatare nga paratë e përgjakura të trafikut kriminal të drogës. Por janë dhimbje shërimi që nuk duhen mallkuar në këto orë të vështira e aq më pak, të bekohet ekonomia antishtet e prodhimit dhe tregtimit ilegal të kanabisit. Aq më e papranueshme do ishte zhvillimi i nostalgjisë dhe aspiratës për rikthimin tek alternativa qeverisëse e PD, te qeverisja (nëse mund të quhet qeverisje) e tolerimit të këtij krimi që e bën të lulëzojë mafien por që zhyt në mjerim me miliona jetë njerëzore. Dhimbjet nga shkatërrimi i ekonomisë së kanabisit mund të jenë të forta por kjo nuk justifikon as arratisjen në eksod.

***

Rilindja mund të ketë shkaktuar dhimbje edhe zemërim tek ka shkatërruar për t’i dhënë fund epidemisë së ndërtimeve pa leje, tek ka ndaluar gërmimin e zhavorrit në shtretërit e lumenjve apo prerjen e pyjeve. Por a mund ta bëjmë fajtore dhe ta ndëshkojmë me votë se po përpiqet të na pengojë të rrënojmë edhe më të ushqehemi me trupin e atdheut ashtu si Shqiponja ushqehej me trupin e Prometeut? Sepse varfëria e pakuruar në 25 vjet, e ka vënë shqiptarin përballë shtetit të tij në një antagonizëm vdekjeprurës për të dy. Që të mbijetojë, shqiptari duhet ta hajë shtetin, të vjedhë energjinë, të rrafshojë pyje, të gërryejë lumenj, të ndërtojë ku të mundë e si të mundë, duke u dyndur barbarisht mbi trupin e shtetit. Shkurt, t’i mbijetojë mjerimit duke vrarë shtetin ose edhe duke e braktisur atë në eksod.

***

Ndërkaq, ka të tjerë vrasës të shtetit. Janë mes politikanësh të pasuruar me miliona, duke vjedhur paratë publike, të shkollave, spitaleve, rrugëve me gropa. Janë këta që i fryjnë urrejtjes së shqiptarit për shtetin tashti që ai tenton të ndalë vjedhjen piranike, e cila gërryen shtetin por nuk pasuron as shqiptarin, veç vetëm ata që sot dridhen nga frika e verifikimit të milionave të tyre kriminale dhe e ndëshkimit prej një shteti të ringjallur. Prandaj i yshtin në vesh dhe nga tribunat e mitingjeve shqiptarëve se “gjendja nuk mban më”, se duke i bërë të paguajnë energjinë, Rilindja “ju solli mjerimin”, se nuk kanë faj që arratisen në eksod apo se i duhet dhënë fund sa më shpejt Rilindjes së shtetit.

***

S’ka luftë kundër varfërisë pa rritje ekonomike. Kur ka rritje, varfëria bie. Kur ka rënie ekonomike, varfëria rritet. Nën qeverisjen e PD ka pasur 4 vjet rresht rënie të ritmeve të rritjes, vite në të cilat është akumuluar një pjesë e asaj varfërie që sot shpërthen në padurim eksodi. Prandaj është mëkat, padrejtësi dhe gjë e ulët, të akuzosh Rilindjen se solli varfërinë kur në të vërtetë, në një vit e gjysmë po kthen tendencën e ekonomisë nga rënëse në ngjitëse. Që në vitin e saj të parë prodhimi u rrit me 2 për qind, ndërsa për vitin e dytë parashikimet e FMN flasin për një rritje deri 3 për qind.

***

Asnjë qytetar në botë nuk është pasuruar në mungesë të shtetit apo në agoninë e tij. Vetëm kriminelët, të korruptuarit, matrapazët. Që të begatohet qytetari duhet të begatohet shteti. Por që të begatohet shteti, duhen paguar taksat, fatura e energjisë, e ujit. Dhe një shtet i fortë do të mund të kontribuojë shumë më tepër për begatinë e qytetarëve. Jo vetëm me shërbime publike, rrugë, shkolla e spitale, mbështetje ekonomike por edhe me zbatim të ligjeve të drejta që ndëshkojnë jo vetëm piraniat e vogla të faturës së energjisë, por peshkaqenët e politikës dhe tenderëve shumë milionësh. Janë këta që prej 20 e kusur vjetësh tolerojnë mizërinë e vjedhjeve të vogla si një rrethanë apo mjedis shumë i favorshëm, që të lulëzojë vjedhja e tyre e madhe qindra milionëshe. Janë pikërisht këta sot që ulërasin se “ka ardhur fundi” dhe se Rilindja duhet shporrur sa më parë! Në fakt duan të shpëtojnë fundin e tyre duke i hedhur trutë e gomarit turmave të dëshpëruara që për vite me radhë i lanë në Ferrin e varfërisë dhe “parajsën” e vjedhjes së faturave. Prandaj edhe Rilindja ka shumë të drejtë që, ndërsa përpiqet të ringrejë shtetin nga shtrati i vdekjes dhe bashkë me të edhe qytetarët nga gropa e mjerimit kronik, të thotë duke perifrazuar Skënderbeun: Varfërinë nuk jua solla unë, por e gjeta mes jush”, shkruan Stefani për Shqip.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Xhaçka: Kosova nuk mund të bëjë premtime pa denoncuar më parë dështimet e Bashës
Dekriminalizimi, Balla: Kemi listën me 7 emra të inkriminuar të PD-së »
Article Logic
Execution time: 0.013316869735718
array(1) { ["section"]=> string(92) "stefani-kunder-blushit-te-akuzosh-rilindjen-per-varferi-eshte-me-shume-se-nje-lajthitje-9784" }