SUKSESI i shqiptares nga Korça që u diplomua shkëlqyeshëm në Edinburg dhe u doktorua në Oksford

Publikuar tek: kulture-art, më 14:04 11-09-2016 SUKSESI i shqiptares nga Korça që u diplomua shkëlqyeshëm në Edinburg dhe u doktorua në Oksford

Shkrimtarja dhe gazetarja Rozi Theohari sjell historinë e suksesit të  Migena Bregut, shqiptares Korça që u diplomua shkëlqyeshëm në Edinburg dhe u doktorua në Oksford.

Gjatë historisë “Oksfordi” ka nxjerrë burra e gra të adhuruar nga çdo sferë e veprimtarisë njerëzore, të cilët kanë studiuar ose kanë dhënë mësim në universitet. Midis tyre përmenden katër mbretër, 46 fitues të çmimit “Nobel”, 25 kryeministra, 18 kardinalë etj…

 Historia e qytetit të Oksfordit fillon në vitin 700 me legjendën e një princeshe saksone, e cila për të shpëtuar nga mbreti lakmiqar, erdhi e u fsheh në një pyll ku dhe ndërtoi një manastir. Një komunitet i vogël filloi të rritet jashtë dyerve të manastirit dhe qyteti filloi të marrë formë e gjallëri, me kishat, tregun, banjat, shëtitoret dhe muret rrethuese që janë ende edhe sot.

Por ky qytet i vogël anglez u bë i famshëm qysh në shekullin e dymbëdhjetë kur u ndërtua universiteti i parë në botë në gjuhën anglisht.

Dhe ja… tek afrohet e prezantohet ajo, e thjeshta, e mira, buzëqeshura, shkencëtarja shqiptare Migena Bregu, e cila ma shton më tepër hutimin, por dhe gëzimin. E përqafova si të ishim njohur prej kohësh, e mora mënjanë e i fola me zë të lartë, “Cila qenka kjo bashkatdhetaria ime, që i paska buzëqeshur fati kaq shumë”?

Korça, qyteti i saj

Është Migena. Dhe, si një korçare, s’ka si të mos jetë e gjatë, elegante, me një fytyrë tërheqëse, dy sy gështenjë të mëdhenj, të gjallë e të lëvizshëm. Ndërsa flet të tërheqin vëmendjen buzëqeshja që nuk i ndahet nga fytyra dhe anglishtja e saj me një aksent të admirueshëm.

Ecim me Migenën rrugëve të “Oksfordit”, që gëlojnë nga biçikletat, zërat dhe thirrjet e gëzueshme të mijëra studentëve ardhur nga gjithë bota. Pyetjeve të mia të njëpasnjëshme vajza korçare u përgjigjet me modesti ose ndonjëherë ndërron bisedë duke më treguar ndonjë kuriozitet nga qyteti enigmatik i kolegjeve.

Ajo ndal hapat para një dyqani të vjetër me mbishkrimin, “Dyqani i Lizës.” Është fjala për “Lizën në Botën e Çudirave”, thotë ajo. Autori i Lizës, Levvis Carroll, ka qenë matematicien dhe tregtar i dëgjuar në Oksford. Ngjarjet e librit zhvillohen rreth e rrotull “Oksfordit”. Në këtë dyqan Liza ka psonisur…

Ajo kujtoi diçka nga fëmijëria e saj. “Isha vajzë e urtë, thotë, pak e mbyllur, por me një dëshirë e kuriozitet për të mësuar. E mbaj mend që fillimin e shkollës e prita me emocion të madh; abetaren e aritmetikën i mbaja tek koka e krevatit, disa javë përpara se të fillonte shkolla. Shkollën e fillova me një etje për të mësuar çdo gjë. Që në klasën e parë isha e vendosur për të dalë e para e klasës, pasi doja të merrja pjesë në “mbrëmjet e nxënësve të dalluar” të Korçës, sepse aty jepeshin lodrat më të mira që gjendeshin në Shqipëri.

Qysh në shkollën fillore ajo mori pjesë në olimpiadat e matematikës e në konkurset e letërsisë, që organizoheshin nga Shtëpia e Pionierit. Me fillimin e shkollës tetëvjeçare dhe studimin e anglishtes si gjuhë të dytë, Migenës iu hapën dyert e bibliotekave për leximin e letërsisë së huaj. Dalëngadalë filloi edhe ambicia për studimet jashtë shtetit në të ardhmen.

Kur fillova shkollën e mesme, thotë ajo,- i vura vetes si qëllim që ta mbaroja gjimnazin me ‘Medalje të Artë’, pasi kisha mësuar se qeveria jepte bursa për studime jashtë shtetit, për këta nxënës. Gjatë katër viteve të gjimnazit studiova me këmbëngulje jo vetëm për marrjen e notave dhjeta në të gjitha lëndët, por edhe për pjesëmarrjen në olimpiadat e rrethit, të kimisë e biologjisë, pasi një nga kriteret e marrjes së Medaljes së Arit ishte dhe fitimi i një çmimi kombëtar në olimpiada.

Isha me fat që në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në Korçë, kishim disa pedagogë, të cilët ishin të predispozuar për të krijuar kurse të avancuara jashtë klase, për të inkurajuar nxënësit që kishin interes për të ecur më përpara se programet në tekstet shkollore. Me ndihmën cilësore që mora nga mësuesit arrita që, në vitin 1993, të fitoja Olimpiadën Kombëtare të Biologjisë, si dhe “Medalje Ari”, që jepej nga Ministria e Arsimit.

Mbas gëzimit dhe festimit në familje të plotësimit të ëndrrës së saj, pasoi zhgënjimi, kur Migena mësoi se qeveria shqiptare nuk jepte bursa për jashtë shtetit. E vetmja mundësi ishin disa bursa nga qeveria egjiptiane për të studiuar në një Universitet Fetar, diçka që s’përputhej me aspiratat që vajza i kishte vënë vetes. Atëherë ajo e kuptoi e u bind se duhej të përpiqej vetë për të fituar të drejtën e studimit jashtë.

Ajo filloi Fakultetin Juridik në Tiranë e ndërkohë përpiqej të merrte informacion për studimet universitare në Britani, dëshirë që e kishte për arsye të lidhjes me gjuhën e letërsinë angleze. Migenës i ra në dorë një broshurë me informacion për studimet në Europën Perëndimore dhe filloi t’iu shkruajë institucioneve direkt, për të kërkuar më shumë informacion.

Këtu filloi dhe maratona një vjeçare e aplikimit për në universitetet britanike. Nuk ishte e lehtë; vështirësia qëndronte se korrespondenca duhej bërë përmes letrave, interneti as që njihej në Shqipëri, dhe informacioni ishte shumë i kufizuar. “Kur më erdhën rezultatet e pranimit nga tri universitete britanike, thotë ajo, me të vërtetë, më dukej e pabesueshme. Zgjodha Universitetin Heriot-Vvatt në Edinburg për degën Mikrobiologji. Zgjodha mikrobilogjinë si degën që do të më jepte mundësinë për të eksploruar zhvillimet e fundit në shkencat biologjike”.

Edinburgu

Pranimi në këtë universitet ishte vetëm hapi i parë i realizimit të ëndrrës së Migenes, mbasi ekzistonte vështirësia e sigurimit të burimeve financiare. Britania, nga vendet e Europës Perëndimore, ka taksat më të shtrenjta universitare. Migena filloi kontaktimin me fondacionet shqiptare, kryesisht fondacionin “Soros” në Tiranë, si dhe me fondacione të tjera në Britani. “Synimi im ishte sa të filloja universitetin, -thotë ajo. Por më vonë i kisha vënë qëllim vetes që të arrija rezultate të larta akademike e t’i kërkoja universitetit ndonjë bursë nderi”.

Por pas gjithë këtyre përpjekjeve, pengesa e fundit ishte marrja e vizës. Për shkak të procedurave të tejzgjatura për dhënien e vizave për shtetasit shqiptarë, ajo arriti në Edinburg në tetor të vitit 1994, tri javë me vonesë nga dita e fillimit të semestrit”. “Mbërritja në Edinburg ishte sa mbresëlënëse aq dhe e vështirë, -thotë Migena. Për herë të parë më duhej të përballoja gjithçka vetë. Vështirësia qëndronte në dy nivele. Së pari, studentët e tjerë kishin krijuar miqësitë dhe për mua ishte e vështirë të depërtoja në rrethet e ngushta studentore. Së dyti, duke humbur pothuaj tri javë leksione kalimi i provimeve ishte jo aq i lehtë. Tri ditë mbas arritjes, pata një takim me koordinuesin e kursit. Ai, duke ditur prejardhjen time nga Shqipëria dhe fillimin me vonesë të universitetit, në mënyrë të sjellshme më paralajmëroi se s’duhej të mërzitesha në qoftë se ngelesha në provimet e semestrit të parë, pasi kisha të drejtën e përsëritjes. I jam përgjigjur atij me ngulm: Unë s’kam ngelur në asnjë provim deri tani dhe nuk mendoj pse duhet të filloj tani”.

Që nga kjo bisedë Migena premtoi me vete se do të dilte sa më mirë në provime e t’u tregonte pedagogëve atje, se, në kundërshtim nga paragjykimet, shkolla shqiptare i kishte dhënë asaj formim të kënaqshëm shkencor si dhe ambicien për konkurrencë e arritje të larta. Fatmirësisht në provimet e vitit të parë Migena doli nga të parat e kursit. Në fund të vitit të parë ajo takoi zëvendës principialin e universitetit, Dr.Brovvn, të cilit i kërkoi anulimin e taksave universitare.

Mbështetur në rezultatet e saj akademike si dhe në vështirësitë financiare, Këshilli i Lartë i Universitetit miratoi anulimin e taksave që ishin 8,000 pounds (14,000 $). Ky ishte lehtësim i madh pasi tani ajo e kishte më të lehtë pagesën për koston e përditshme të jetesës.

Si ka studiuar Migena gjatë këtyre katër viteve të universitetit, përpjekjet, këmbëngulja dhe disiplina e hekurt në arritjen e suksesit, e tregojnë provimet e saj përfundimtare, ku arriti të marrë diplomë të klasit të parë.

Gjithashtu, ajo doli jo vetëm studentja e parë në kursin e Mikrobiologjisë, por edhe studentja e parë në gjithë Fakultetin e Shkencave Biologjike. Për këtë arsye mori dhe dy çmimet më të larta të nderit dhënë nga Heriot-Vvatt University. Por Migena është modeste e s’tregon më shumë. Duhet t’ia nxjerrësh fjalët si me darë.

Migena, në botën e Oksfordit

Vajza e Korçës fitoi nga Universiteti Heriot-Vvatt medaljen, “Vvatt-Club Medal”—Medalja e Argjendit dhënë studentit me rezultatet më të larta në Fakultetin e Biologjisë dhe “Loise- Fletcher Memorial Prize”, çmim i dhënë për studentin me rezultatet më të larta në kursin e Mikrobiologjisë.

Ishin këto çmime që e ndihmuan Migenën të fitojë të drejtën për të vazhduar doktoratën në Universitetin e “Oksfordit”, një ëndërr e objektiv që ajo ia kish vënë vetes prej kohësh. Pranimi në Oksford ishte për të një gëzim i veçantë, pasi ajo e kishte admiruar “Oksford”-in si një nga qendrat, ku kishin hedhur rrënjë arsimi dhe kultura europiane.

Të bëhesha pjesë e këtij komuniteti, thotë ajo, ku të kisha mundësi të prezantoja potencialin intelektual shqiptar, ishte një emocion dhe mision i veçantë”. Gjatë historisë “Oksfordi” ka nxjerrë burra e gra të adhuruar nga çdo sferë e veprimtarisë njerëzore, të cilët kanë studiuar ose kanë dhënë mësim në universitet. Midis tyre përmenden katër mbretër, 46 fitues të çmimit “Nobel”, 25 kryeministra, 18 kardinalë etj…

Migena doktoratën në Oksford e kreu në departamentin e Biokimisë në lidhje me Brasenose College. Brasenose College është themeluar në vitin 1509 dhe frekuentohej kryesisht nga fëmijët e pasanikëve.

Ndër akademikët e njohur të kolegjit përmendet nobelisti e shkrimtari Vvilliam Golding. Gjithashtu, në këtë kolegj kanë studiuar stërgjyshi i Xhorxh Vvashington-it, Presidentit të parë të Amerikës, si dhe gjyshi i John Adams, Presidentit të dytë të Amerikës. Për doktoratën Migena u financua nga “Vvellcome Trust” si dhe fitoi “Overseas Student Avvards”. “Kërkimin shkencor, thotë Migena, e kreva në laboratorin e profesor David Sherratt, geneticist i njohur që ka studiuar rekombinim gjenetik të ADN në bakteria. Studimi im ishte fokusuar në mekanizmat molekulare që kontrollojnë rekombinimet gjenetike në bakterien E.Coli. Mbas tre viteve rezultatet e kërkimit tim shkencor i botuam në një nga revistat më prestigjioze në fushën e biologjisë molekulare. (The EMBO Journal, Vol.21 No 14.) Fillova punën në Bruksel, ku kontaktova me komisionin që organizonte raportin mbi asocacionin e Shqipërisë me Europën. Gjatë diskutimit që pata me ta u përpoqa të theksoja nevojën për të analizuar situatën në Shqipëri me spektër të plotë e jo me gjykim të njëanshëm. Pavarësisht nga situatat e ndera politikoekonimike, Shqipëria ka potencial njerëzor e natyror që mund t’i sjellë kontribut komunitetit europian. Imazhit shqiptar që përfaqësohet nga politikanët e tanishëm i mungon disi serioziteti dhe pjekuria që gjendet midis intelektualëve dhe komunitetit të moderuar shqiptar”.

Mbas mbarimit të intershipit në Bruksel, Migena u kthye për të vazhduar në Universitetin e “Oksford”-it si punonjëse akademike shkencore në Departamentin e Biokimisë. Kërkimin e tanishëm shkencor ajo e ka në vazhdim më të thelluar të arritjeve shkencore të doktoratës, për të zgjeruar kuptimin mbi rregullimin qelizor të rekombinimeve gjenetike.

“Ura e Psherëtimave”, Bridge of sighs

Me Migenën vizituam disa nga kolegjet më të vjetra të qytetit. Mjedisi, ku qëndrojnë madhërisht ndërtesat e kolegjeve që formojnë zemrën e universitetit, sot konsiderohet si grupi më i dalluar, fin, i ndërtesave në Europë. Më tej kalojmë në “Urën e psherëtimave,” një urë e vjetër në hyrje të rrugës së universitetit. Ura është ndërtuar mbi një hark gurësh mbi rrugë, dhe lidh dy ndërtesa ballë për ballë. Është vazhdim i traditës që studentët e diplomuar parakalojnë nën këtë urë, ekuivalent i një lloj harku triumfi, të duartrokitur nga banorët e qytetit, të cilët qëndrojnë në të dy anët e saj. Nën këtë urë ka parakaluar edhe Migena, midis vargut të gjatë të të diplomuarve, veshur me pelerinën karakteristike të zezë dhe me kapelën e zezë në formë libri.

Emërtimi “Ura e psherëtimave” nuk e ka kuptimin romantik të vuajtjes së të dashuruarve, por është simbol i fatit dramatik të studentëve që mbeteshin në provime e i thoshin “lamtumirë” “Oksford”-it. Ata hipnin mbi këtë urë e derdhnin lot me psherëtima. E pyes Migenën: “Ke dëshirë të kalosh edhe njëherë tjetër nën urë”?

Me pamjen serioze të fytyrës ajo ma ktheu: “Do të isha e lumtur sikur të shihja të parakalonin aty edhe studentë të tjerë shqiptarë. Për mua, suksesi i studentëve shqiptarë në nivelet më të larta akademike dhe kulturore shfaq atë potencial të admirueshëm njerëzor që kemi ne si komb. Potencial që në një farë mënyre duhet të jetë burim frymëzimi, vetëbesimi e nderi, por që në të njëjtën kohë duhet të shihet si përgjegjësi. Përgjegjësi për të nxitur etjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar. Përgjegjësi për të inkurajuar intelektualët shqiptarë të zhvillojnë karrierat profesionale në Shqipëri e për ta pasqyruar pasurinë e potencialin e kombit tonë në botë. Është tragjike të shohësh largimin në masë të intelektualëve shqiptarë. Është tragjike që për brezat e rinj s’ka asnjë stimulim moral ose financiar”.

Migena tregon se si në shtetet e tjera me vështirësi financiare si Brazili, Argjentina, Bullgaria, Rumania, pavarësisht nga krizat financiare, qeveria e institucionet, janë të angazhuar në përkrahjen e nivelit arsimor e shkencor. Vetëm si shembull, për në Oksford, qeveria e Brazilit financon çdo vit disa bursa për studentët, me kusht që me mbarimin e studimeve, të kthehen në Brazil dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit për një periudhë minimale prej pesë vjetësh. Një angazhim i tillë deri tani s’është marrë nga qeveria shqiptare. A nuk do të ishte ky një stimulim që do të rizgjonte etjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar? Sipas Migenës, përse historia e kultura shqiptare në botën e huaj, në shumicën e rasteve prezantohet nga analistët e huaj. Ka ardhur koha, thotë ajo, që ne si shtet të investojmë në studimet tona historike e kulturore. Ne duhet t’i paraqesim botës bagazhin tonë historik e kulturor përmes studiuesve shqiptarë. Në këtë aspekt bashkëpunimet me institucionet e huaja kanë avantazhe të disaanshme. Së pari, studiuesve tanë u krijohet mundësia të kryejnë punë cilësore dhe të publikojnë në botime të njohura ndërkombëtare, gjë që do të rrisë njohuritë mbi Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar dhe do të nxisë interesin e të huajve mbi çështjet shqiptare. Së dyti, do të ndihmojë studiuesit shqiptarë të sjellin mentalitetin shqiptar e botëror në linja të përbashkëta. “Le të mos e lemë potencialin shqiptar të japë fryte vetëm në botën e huaj. Le të përkrahim etjen për dituri që ka qenë e mbetet një virtyt i shqiptarit. Shembujt e mirë i kemi, le ta përdorim këtë si inkurajim për të ardhmen”.

Ky ishte dhe mesazhi i fundit i intelektuales së shquar shqiptare… Kur u largova nga qyteti ndjeva se “Oksfordi”i s’ka nevojë për stinën e ëmbël të pranverës sepse atë ia krijojnë studentët në të gjitha stinët. Janë vetë shkollarët që i japin gjallëri, energji e bukuri ambientit. Një nga këto lule është dhe Migena jonë.

Diferencat klasore ….pengesat e vlerësimit të notave të Migenës

Me naivitetin e fëmijës, e mbaj mend se ndonëse për tre vjet me radhë dola e para e klasës, mësuesja nuk më propozoi për mbrëmjen e të dalluarve. E zhgënjyer, kur e pyeta mësuesen, cila qe arsyeja, ajo m’u përgjigj se prindërit e mi nuk ishin “punëtorë”. Si fëmijë 9-vjeçar që isha, u ktheva në shtëpi duke qarë dhe e indinjuar u thashë prindërve se ishte faji i tyre që mua s’më dërgonin në mbrëmjet festive sepse ata nuk ishin “punëtorë”, pra…s’punonin sa duhet! Ky incident ishte përballimi im i parë me doktrinën proletare, kur për herë të parë m’u shpjeguan diferencat klasore”. Prindërit e Migenës jo vetëm që ishin intelektualë, Bahriu, babai, inxhinier topograf në minierë dhe e ëma, Valentina, inxhiniere pyjesh, por familja e tyre ishte përfshirë tragjikisht në vorbullën e luftës së klasave. Qysh prej atij momenti Migenës iu bë e qartë se do t’i duhej të përpiqej të arrinte rezultatet më të larta akademike për të kompensuar mungesën e “biografisë së mirë politike”. Në një farë mënyre ky u bë dhe synimi i saj në jetë.

Emocioni i prindërve të Migenës, në marrjen e gradës “Doktor i Shkencave”

Pas mbrojtjes me sukses të doktoratës, ajo fitoi titullin “Doktor i shkencave,” në korrik 2002. Mbresat e dorëzimit të titullit “Doktor,” atë ditë, i përshkruan Bahriu, babai i Migenës: Bashkë me gruan, thotë ai, ishim të ftuar në ndërtesën e teatrit të “Oksfordit”, ku zhvillohej ceremonia. Ne ishim ulur në sallën e madhe tok me prindërit e tjerë kryelartë e krenarë anglezë, por edhe nga vendet e tjera të botës. Përveç emocionit, ishte kënaqësia më e madhe që kam ndier ndonjëherë në jetë. Ç’fat i madh që ndodhesha aty, ku më kishte sjellë vajza ime…”.

Por Migena ishte më pak e emocionuar. E mësuar me këto lloj festimesh, ajo e kishte mendjen më shumë për planet e së ardhmes. Para saj tani ishin hapur perspektivat dhe rrugët e pa fund të shkencës. “Gjatë doktoratës, thotë ajo, më lindi dëshira që të merresha jo vetëm me kërkimin shkencor në nivelin akademik. Doja që të eksploroja dhe se si zbulimet dhe përparimet shkencore kanë efekt mbi zhvillimin e shoqërisë së sotme. Për këtë arsye vendosa që, pas doktoratës, të bëja një ‘internship’ për komisionin europian në Europë, në departamentin për shëndetësinë dhe të drejtat e konsumatorit. Duke shpresuar që së shpejti Shqipëria do të bashkohet me komunitetin europian, kjo mundësi m’u duk ideale për të luajtur në një farë mënyre rolin e ambasadorit jozyrtar. Ka ardhur koha, thotë ajo, që ne si shtet të investojmë në studimet tona historike e kulturore. Ne duhet t’i paraqesim botës bagazhin tonë historik e kulturor përmes studiuesve shqiptarë. Në këtë aspekt bashkëpunimet me institucionet e huaja kanë avantazhe të disaanshme. A nuk do të ishte më mirë sikur diaspora shqiptare e institucionet private të hiqnin dorë nga financimet e konkurseve të bukurisë dhe të fillonin të investonin e të përkrahnin financiarisht konkurset e olimpiadat shkencore e kulturore? Ne kemi nevojë për shkencëtarë, artistë e inxhinierë për të ndërtuar vendin në standardet që kërkon koha dhe shoqëria modern”, thotë ajo.

  

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Shkrimtarja: Përkthyesi i vetëm i veprave shqip në Holandë, në Shqipëri. A ka ndokush ndërmend ta presë???
Prestigjozja ‘’Financial Times’’ shkruan për Marubët dhe shkëput në fototekë imazhin më të veçantë. Zbuloni kë ka zgjedhur »
Article Logic
Execution time: 0.034842967987061
array(1) { ["section"]=> string(101) "suksesi-i-shqiptares-nga-korca-qe-u-diplomua-shkelqyeshem-ne-edinburg-dhe-u-doktorua-ne-oksford-52602" }