“Takimi me Frrokun”/ Meta: Braho të jap shpjegime. Deputeti: Në spital për arsye personale, nuk u takova me Frrokun

Publikuar tek: politike, më 14:10 25-04-2015 “Takimi me Frrokun”/ Meta: Braho të jap shpjegime. Deputeti: Në spital për arsye personale, nuk u takova me Frrokun

Deputeti Spartak Barko ka reaguar pas kërkesës së kreut të Kuvendit, Ilir Meta për të dhënë shpjegime në lidhje me lajmin se ai është takuar me deputetin e arrestuar Mark Frroku gjatë kohës që ky i fundit ndodhej i shtruar në një prej spitaleve të kryeqytetit.

Braho sqaron se vizita e tij në spital ishte parashikuar ditë më parë dhe kishte të bënte me një kontroll shëndetësor. “Nuk e di dhe për llogari të kujt këto televizione transmetuan pamje dhe sekuenca filmike në qendër të të cilave vendosesha unë duke dalë nga dera kryesore e Spitalit Gjerman të kardiologjisë dhe që kjo pamje u komentua si ‘vizitë e dyshimtë e Brahos në këtë spital, pasi aty ndodhej i shtruar i akuzuari Frroku!’. Ndonëse as nuk ia vlen të merresh me sqarimin e këtij dyshimi që hedh në eter kova e ndryshkur propagandistike për të bërë gjoja ‘lajm’, prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më parë ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e pare”, shprehet ai.

Braho deklaron se pasi ka vënë re praninë e kamerave në afërsi të spitalit, ka pyetur shoqëruesin e tij, i cili i është përgjigjur se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e spitalit ndodhej i shtruar Frroku. “Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marr vesh vetëm kur dola nga ambientet e spitalit dhe për çudinë time pashë që disa kamera televizive po më filmonin. Nuk iu dhashë rëndësi pasi bashkëshoqëruesi më sqaroi se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Komisionit të Sigurisë.

Braho ka kërkuar nga mediat dhe gazetarët të tregohen seriozë në punën e tyre dhe jo të shpifin me lajme të pavërteta.


Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka kritikuar ashpër njërin prej personave më të afërt të tij, deputetin e LSI-së, Spartak Braho.  Në media ka qarkulluar lajmi se kreu i Komisionit të Sigurisë, Braho ka zhvilluar një takim me deputetin Mark Frroku, gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në spital, për shkak të problemeve të shfaqura në zemër.

Shefi i Kabintetit të Kuvendit, Sokol Dervishaj është shprehur se Meta i ka kërkuar kryeprokurorit Adriatik Llalla, ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe atij të Drejtësisë, Nasip Naço të hetojnë nëse është i saktë ose jo takimi Braho-Frroku.

Sipas Dervishajt, Meta ka kërkuar sqarime nga Braho, ndërsa thekson se ky i fundit duhet të jap shpjegime publikisht se përse është takuar me deputetin e arrestuar. Mësohet se Meta ka thënë se deputetët duhet të jenë të parët që respektojnë ligjet dhe aq më tepër në rastin e Brahos, që është edhe kryetar i Komisionit të Sigurisë.

Dervishaj ka deklaruar se në rast se konfirmohet ky takim, atëherë Meta do të mbajë qëndrim ndaj Spartak Brahos.

Reagimi i plotë i Drejtorit të Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, z. Sokol Dervishaj:

Pas lajmit të publikuar në disa media sipas të cilave deputeti Spartak Braho është takuar me deputetin Mark Frroku në një spital privat në Tiranë, Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, z. Sokol Dervishaj përmes një deklarate për media sqaron qëndrimin e z. Ilir Meta lidhur me këtë çështje.

Z. Dervishaj sqaron se sot paradite, pasi është njohur me lajmin në disa media se sipas burimeve të tyre deputeti Spartak Braho është takuar me deputetin Mark Frroku në një spital privat në Tiranë, Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar deputetit Braho të sqarojë publikisht opinionin publik lidhur me të vërtetën.

Po kështu, sot paradite Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri, Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço dhe Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla të verifikojnë e të hetojnë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi nëse ky takim i pretenduar nga media ka ndodhur.

Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit thekson se Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta nënvizon me forcë se deputetët janë të parët që duhet të respektojnë ligjet e vendit dhe vendimet e gjykatave, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një deputet që është Kryetar i Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Nëse nga verifikimet dhe hetimet do të rezultojë e vërtetë se ky takim ka ndodhur, Kryetari i Kuvendit do të bëjë publik qëndrimin e tij duke qenë i bindur se asnjë deputet, cilido qoftë ai, nuk ka të drejtë të  sfidojë ligjet dhe vendimet e gjykatave.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « PBDNJ zyrtarizon kandidatët për Bashkitë Finiq, Konispol, Delvinë dhe Dropull
PD zyrtarizon Hajredin Bakiasin për Bashkinë e Skraparit »
Article Logic
Execution time: 0.030257940292358
array(1) { ["section"]=> string(113) "takimi-me-frrokun-meta-braho-te-jap-shpjegime-deputeti-ne-spital-per-arsye-personale-nuk-u-takova-me-frrokun-9675" }