Takimi Rama-Meta, gati ndryshimet në qeveri?

Publikuar tek: politike, më 08:22 04-10-2015 Takimi Rama-Meta, gati ndryshimet në qeveri?

Kryeministri Edi Rama, menjëherë sapo është kthyer nga vizita disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zhvilloi një takim me kryeparlamentarin Ilir Meta. Burimet për gazetën pohojnë se ishte planifikuar një darkë familjare mes çiftit Rama dhe çiftit Meta por duket se kreu i qeverisë ka vendosur të ndryshojë agjendën dhe ka shkuar në zyrën e kryeparlamentarit, menjëherë sapo sa mbërritur në Tiranë.

Takimi mes tyre ka zgjatur për rreth 1 orë e 40 minuta por në përfundim asnjëri prej palëve nuk ka dhënë komente për median, pavarësisht interesit të madh të gazetarëve, ndërkohë që burimet pohojnë se CEZ-i dhe ndryshimet në qeveri kanë qenë në qendër të bisedës.

Takimi kokë më kokë

Darka familjare mes kreut të Qeverisë, Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta ku mësohet se ishte planifikuar të ishin të pranishme dhe bashkëshortet e tyre, mbrëmjen e sotme, papritur është anuluar, duke u zëvendësuar në një takim kokë më kokë mes tyre. Burimet thonë se ka qenë vetë kryeministri Rama i cili ka ndryshuar agjendën e planifikuar, duke vendosur që të jetë në zyrën e Metës direkt sapo ka mbërritur në Tiranë, pas një vizite të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krejtësisht i vetëm, me një veshje sportive si për ditë fundjave, kryeministri Edi Rama ka përshkruar më këmbë rrugën nga zyra e tij në kryeministri për në zyrën e kryetarit të kuvendit, Ilir Meta. Ashtu siç ishte paralajmëruar nga media, edhe pse mungoi një njoftim zyrtar për takimin, kreu i qeverisë mbërriti në kryesinë e Kuvendit në orën 15:50 minuta. I qeshur dhe duke u shfaqur krejt i qetë, Rama nuk ka harruar dhe një batutë për gazetarët duke u thënë ‘se pse ishin shqetësuar për ditë të shtunë’.

Duke preferuar derën nga hyn dhe kryeparlamentari, Rama është drejtuar për në zyrën e Metës ku ka qëndruar për rreth 1 orë e 40 minuta. Burimet thonë se pjesë e diskutimeve të gjata mes dy bashkëdrejtuesve të mazhorancës ka qenë debati i nxehtë i këtyre ditëve për CEZ-in. Palët duket se janë përpjekur të sheshojnë pakënaqësitë e lindura brenda mazhorancës për këtë çështje ku nuk kanë munguar dhe qëndrime kontradiktore apo zëra për një krisje të mundshme mes palëve, shkruan gazetarja Suela Topi për “Shekulli”.

E ndërkohë që duhet dhe një koordinim i shumicës qeverisëse lidhur me qëndrimin që do të mbahet në vijim për këtë çështje, duke pasur parasysh dhe votimin në seancën e fundit parlamentare kur deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim u ndanë mes demokratëve dhe socialistëve, sa i përket vendimit për diskutimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit të PDsë për hetimin ndërkombëtar të çështjes së CEZ-it.

Ndryshimet në qeveri

Mësohet se pjesë e diskutimit mes dy aleatëve kanë qenë edhe ndryshimet në qeveri. Rama, më herët, i pyetur publikisht për këtë çështje, e ka mohuar se do të ketë ndryshime në kabinet por ndërkohë një email i bërë publik në media hodhi dritë mbi kritikat e ashpra në adresë të ministrave.

“E pra mësojeni përpara se të bëhet vonë sepse së shpejti do jetë vonë, që unë nuk bashkëjetoj dot me këtë situatë dhe nuk i honeps dot më reflekset e sjelljeve tuaja mbi njerëzit, që nga shqiptarët e deri tek ndërkombëtarët që kanë nisur të bëjnë humor me arrogancën tuaj! Ndjehet reflektimi i kësaj arrogance në raportin gjithnjë e më turkoshak me kohën, ku stresit e pagjumësitë së fillimit ia kanë lënë vendin limontia rraskapitëse e lodhjes prej kotësive, drekave, darkave, muhabeteve dhe, ruajna Zot, vëmendjes së shtuar për interesat e vogla. Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush, o mbytuni, o përgatituni për të lënë anijen”, shkruante Rama.

Pavarësisht këtyre çështjeve mjaft të nxehta kryeministri Rama nuk ka dhënë asnjë informacion për median. “Meritoni një fundjavë shumë të qetë”, ishte e vetmja fjali e Ramës, një mënyrë kjo që duket se ka synuar të qetësojë zërat për krisje mes mazhorancës apo për mosdakordësi mes tij e kryetarit të kuvendit. E pas kësaj batute Rama është larguar sërish më këmbë nga kryesia e Kuvendit, i pashoqëruar nga askush, ashtu edhe siç edhe erdhi.

Naço në kryesi: U takova me Vasilin

Kryesia e kuvendit edhe pse ditë e shtunë, dje ka pasur shumë lëvizje. Pas kryeparlamentarit Ilir Meta, i cili mbërriti atje në orën 15:30 minuta, për të pritur në orën 16:00 kryeministrin Edi Rama në një takim, vizitori i radhës ishte ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Kreu i drejtësisë mbërriti në kryesi rreth orës 17:50 minuta, kur sapo ishte larguar kryeministri, për të dalë prej andej pas rreth 30 minutash.

Edhe pse u aludua për një takim mes tij dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili vijonte të ishte në zyrën e tij, ministri Naço e mohoi këtë gjë për mediat duke deklaruar se ishte takuar me kreun e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasilin. I pyetur nga gazetarët, ndërsa la ambientet e kryesisë së Kuvendit, Naço tha se: “U takova me zotin Vasili kështu që besoj se i thashë të gjitha”. Pas tij nga ambientet e kryesisë është larguar edhe makina e kryeparlamentarit Meta duke lënë pas vetëm punonjësit e gardës dhe heshtjen e një dite pushimi.

Deklarata e parë e Ramës për CEZ-in

Kryeministri Edi Rama foli për herë të parë për debatin lidhur me CEZin, në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës”. I pyetur lidhur me këtë çështje, Rama tha se: “CEZi është një përfolje shumë e madhe dhe mua nuk më mbetet tjetër veçse të përmend atë shprehjen e famshme “Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”, por këtu nuk dinë se ç’bëjnë që të gjithë edhe ata që akuzojnë edhe ata që komentojnë. Sepse çështja, e ashtuquajtur çështje sepse një çështje të CEZ-it nuk ka, është absolutisht e trajtuar sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare dhe marrëveshja e qeverisë shqiptare ka qenë një domosdoshmëri për të çliruar kompaninë nga kthetrat ku ishte tërësisht e kapur për shkak të keqadministrimit. Një kompani me 1 miliard borxhe të akumuluara edhe për shkak të ndërhyrjeve shumë brutale të qeverisë së mëparshme në çështjet e kompanisë ndërkohë që për të gjitha të tjerat, unë i ftoj të gjithë ata që kanë akuza, që kanë pretendime, që kanë aludime, t’i referohen legjislacionit shqiptar, t’i drejtohen institucioneve përkatëse dhe të gjejnë gjithçka që duan të gjejnë, apo pretendojnë se mund të gjejnë nga ky proces. Për mua, për qeverinë shqiptare, kjo është një çështje e mbyllur dhe e mbyllur me sukses të plotë. Të gjitha të tjerat janë pjesë e një çorodie të madhe që karakterizon sot opozitën, por edhe median”.

Sa i përket zërave për një krisje të mazhorancës, Rama ka pohuar se koalicioni qeverisës funksionon plotësisht. Ai madje e ka konsideruar si absurde pyetjen e gazetarit të VOA-s se cilat janë marrëdhëniet e tij Metën. “E para e punës njëherë që unë nuk e kam kuptuar kurrë ç’është kjo pyetje: “Cilat janë marrëdhëniet tuaja me këtë apo me atë?”. Ne jemi në një koalicion qeverisës dhe koalicioni qeverisës funksionon plotësisht. Qeveria është në detyrë, unë jam në krye të detyrës dhe, me keqardhje mund të them që erdha këtu në studion tuaj për të përfituar nga mundësia që ju më jepni dhe për t’i përcjellë opinionit publik gjëra me një rëndësi shumë herë më të madhe se sa këto për të cilat po harxhojmë kohën e njeri-tjetrit dhe kohën e telespektatorit”, deklaroi ai.

Takimet e Metës

Kryeparlamentari Ilir Meta ka pasur një javë të ngjeshur takimesh. Më 29 shtator, një ditë pas letrës së kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho ku paralajmërohej destabilitet politik, kryeparlamentari takoi në presidencë kreun e shtetit, Bujar Nishanin. Në takimin që zgjati rreth 50 minuta, kryeparlamentari dhe kreu i shtetit diskutuan për çështjet e ditës çka përfshin letrën e kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho ku flitet për destabilitet politik, akuzat dhe kundër-akuzat për aferën dhe hetimin e CEZ-it por dhe çështje të tjera.

Pas këtij takimi me Nishanin, Meta ka zhvilluar takimin e radhës me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Një ditë më pas, në 30 shtator, Meta priti në zyrën e tij ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Lidhur me bisedën, ministri pohoi se: “Detyra e kërkon që të takohemi shpesh. Prioritetet e qeverisë dhe të mazhorancës janë çështje themelore për ne në raport me publikun dhe qytetarët dhe në këtë kuadër mbetet gjithmonë nevoja dhe është gjithmonë nevoja për t’u takuar dhe për të koordinuar veprimet tona”.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Berisha publikon videon: Rama me jelek antiplumb pasi Meta e kërcënoi me origjinën moçolare
Zbardhet debati me dyer të mbyllura i PD-së, Basha ironizoi Bregun »
Article Logic
Execution time: 0.017239093780518
array(1) { ["section"]=> string(48) "takimi-rama-meta-gati-ndryshimet-ne-qeveri-22294" }