Taksa 100% ndaj mallrave i shkakton Serbisë 100 milionë euro dëme

Publikuar tek: rajon, më 23:54 11-02-2019 Taksa 100% ndaj mallrave i shkakton Serbisë 100 milionë euro dëme

Vënia e taksës prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, u kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike e financiare bizneseve të këtyre dy shteteve.

Në Doganën e Kosovës kanë treguar për efektet e taksës, ndërsa në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se nuk do ta heqin taksën pa ndryshuar qëndrimet e Serbisë karshi Kosovës.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, në një deklaratë për media tha se taksa për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk do të hiqet, derisa të ketë njohje reciproke nga Serbia.

‘Qëndrimi i Qeverisë nuk ka ndryshuar. Kosova i ka argumentet e saj për këtë çështje të cilat janë të njohura tashmë, i ka thënë kryeministri Haradinaj gjithashtu edhe faktet se pse është e vendosur bashkë me arsyet kur hiqet ajo’, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.

Taksa 100 për qind e mallrave serbe, i ka shkaktuar Serbisë nga nëntori i vitit 2018 e deri më sot rreth 100 milionë euro dëme.

Në Doganën e Kosovës kanë treguar se brenda një dite nga Serbia janë importuar deri në 150 maune me mallra, ndërsa importi pas taksës është minimal.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka konfirmuar për Telegrafin se importet e mallrave nga Serbia kanë rënë për rreth 100 për qind.

‘Brenda një dite importet nga Serbia në Kovës kanë qenë në vlerë prej 1.2 deri në 1.4 milion euro, ndërsa sot mesatarja ditore e importeve me mallra është deri 8000 euro. Pra rënia e reale e importeve nga Serbia është rreth 100 për qind. Pra dëmet ndaj Serbisë kapin shumën e rreth 100 milionë eurove’, tha Stavileci.

Edhe Qeveria e Serbisë e ka konfirmuar se ka pasur humbje milionëshe nga taksa 100 për qind.

Zëvendëskryeministri si dhe ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiç, ka deklaruar në Serbi se taksa 100 për qind për mallrat e Serbisë u ka shkaktuar humbje 90 milionë euro.

‘Ne, më 21 shkurt do ta kemi bilancin e saktë të gjendjes se sa më pak mallra janë eksportuar. Deri më tani, për 80 ditë, janë eksportuar 90 milionë euro më pak mallra në Kosovë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. Tregtia ka rënë në minimum ose po punon kontrabanda, sepse në Kosovë ka mallra serbe’, ka thënë Lajiç.

Qeveria e Kosovës, fillimisht kishte vënë taksë prej 10 për qind më 6 nëntor 2018, kurse më 21 nëntor 2018, taksën e vënë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake e vendosi në 100 për qind.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0045289993286133
array(1) { ["section"]=> string(71) "taksa-100-ndaj-mallrave-i-shkakton-serbise-100-milione-euro-deme-152438" }