"Taksa” e fshehur 7-10 lekë/litër për naftën: Qeveria rrit me 170 herë tarifën për licencën e karburanteve

Publikuar tek: ekonomi, më 08:14 09-12-2015

Me një vendim të papritur, Këshilli i Ministrave ka vendosur të shumëfishojë me 170 herë pagesat për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve (me pakicë), që si çdo tarifë tjetër pritet të reflektohet në shtrenjtimin e çmimit të tregtimit me pakicë të naftës e benzinës, me rreth 7-10 lekë për litër (shiko llogaritjet më poshtë).

Sipas vendimit, që mban datën 2 dhjetor, dhe është botuar në faqen e Këshillit të Ministrave (vendimi i plotë më poshtë), pagesa për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet, dhe vajrave lubrifikantë është 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë. Rritja është e lartë, me rreth 170 herë.

Efekti në çmim, 7-10 lekë për litër

Aktualisht, sipas të dhënave nga INSTAT janë rreth 1200 pika tregtimi me pakicë, nga të cilat rreth 1000 janë të bardha (pika të pavarura). Në bazë të ligjit Nr. 8450, date 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre” autorizimet për pikat e tregtimit me pakicë jepen nga organi i pushtetit vendor për një periudhe deri ne 5 vjet me të drejtë përsëritjeje.

Aktualisht, pjesës më të madhe të pikave të tregtimit u ka mbaruar leja dhe duhet ta rinovojnë atë, sidomos në Tiranë, ku gjatë kohës që e drejtonte e djathta nuk është rinovuar asnjë leje.

Në total, 1200 pikat duhet të paguajnë për rinovim licence gati 4.2 miliardë lekë, apo 30 milionë euro (1200 pika shumëzim për një mesatare për marrje licence prej 3-3.5 milionë lekë), që si gjithnjë pritet të transferohet të çmimi final i pakicës. Me një konsum të karburanteve që sipas INSTAT është rreth 570 milionë litra në vit, efekti i kësaj tarife rezulton me të paktën 7 lekë për litër (4.2 mld lekë/570 mln litra), të paktën në vitin e parë të zbatimit të saj. Por përvoja ka treguar se ndërsa rritja e çmimeve të naftës është shumë e shpejtë, reflektimi në ulje është mjaft i shtyrë në kohë.

Një tjetër ndryshim, që do të rëndojë në kostot e operatorëve dhe sërish do të reflektohet në çmimin final është që VKM e 2 dhjetorit parashikon që përsëritja e licencave, që bëhet nga organi që ka dhënë licencën, kundrejt një kërkese të personit juridik, shqyrtohet njësoj si një kërkesë e re.

Projekti Teknologjik, projekti i mbrojtjes nga zjarri, projekti arkitektonik, taksa e ndikimit në infrastrukturë, Vërtetim për kontrollin e objektit nga Inspektoriati Qendror Teknik IQT vlerësohet se shkojnë rreth 2.2 milionë lekë.

Në total, efekti në çmim i rritjes së tarifave të licencave dhe rinovimit si të reja të tyre llogaritet në rreth 7-10 lekë për litër, që pritet të transferohet në çmim. Sot rreth 67% e çmimit të naftës e përbëjnë taksat. Rritja me 10 lekë për litër e taksës së qarkullimit në janar të këtij viti ka bërë që çmimet aktualisht të luhaten me 160-170 lekë për litër, 10 lekë për litër më shumë në krahasim me periudhën kur nafta ishte në të njëjtat nivele në bursat ndërkombëtare, rreth një vit më parë.

Për pikat e bardha, të cilat janë shtuar ndjeshëm pasi Taçi Oil doli nga tregu, këto tarifa vlerësohet të jenë të papërballueshme dhe pritet të çojnë në mbylljen e shumë prej tyre. Ndërsa një operator që ka 100 pika pakice apo më shumë, pritet të paguajë mbi 2 milionë euro për marrjen e licencave, transmeton “Monitor”.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Më poshtë vendimi i plotë.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.44230604171753
array(1) { ["section"]=> string(109) "taksa-e-fshehur-7-10-leke-liter-per-naften-qeveria-rrit-me-170-here-tarifen-per-licencen-e-karburanteve-27292" }