Të ftuar në një tjetër rreth…nga Flutura

Publikuar tek: kulture-art, më 15:08 28-10-2017 Të ftuar në një tjetër rreth…nga Flutura

Zefina Hasani

Me një përshkënditje të lehtë gëzimi ndër sy, që më pas, ndërsa do të fliste në foltorë për “Të ftuar në rrethin e dhjetë”, do t’i shndërrohej në lot emocioni apo çlirimi, që veç një shkrimtar mund t’i shijojë pas përfundimit të një libri të ri, Flutura Açka priste e përshëndetej me miqtë e shumtë, të huaj (hollandezë) e shqiptarë, të brezave e profesioneve (shkrimtarë, publicistë, gazetarë e politikanë) të ndryshëm, që kishin ardhur enkas për promovimin e librit të saj më të ri.

Ishin të gjithë entuziastë, jo vetëm ata që erdhën për të dëgjuar e marrë një libër me autografin e saj por dhe ata që i kishin ca fjalë për t’i thënë, për Fluturën si poete e romanciere, si kritizere e përheshme për gjithçka që ndodh në këtë vend e që ja vret syrin e mendimin, apo edhe për Fluturën si bashkëpunëtore e bashkëshorte.

Ishte pikërisht botuesi i Skandërbeg Books në Hollandë, Richard van den Brink që prej vitesh është dhe bashkëshorti i saj, që moderoi këtë mbrëmje leximi publik, duke i dhuruar simbolikisht librin e parë shkrimtarit Arbër Ahmetaj, për vetë lidhjen që ashtu si dhe ky roman, ai ka me emigracionin.

Ahmetaj si lexuesi i parë e i mbarë (siç e vlerëson vetë Açka) i  “Të ftuar në rrethin e dhjetë” e etiketon si një roman me shkëlqim humanist duke na siguruar se pak kush mbetet pa e gjetur vetveten në këtë roman. “Që nga ata që na drejtuan e na drejtojnë, ata që u shuan përfundimisht përmes vrasjeve e burgimeve të pashpirta, ata që mbijetuan duke u përballur apo gjunjëzuar, ata që ikën, duke mbetur me kokë të kthyer pas, ata që na pritën, na i hapën apo mbyllën dyert e shtëpive të tyre në Europë.”

I shtrirë në dhjetë kapituj, apo thënë ndryshe në “rrathë” si ato të Ferrit të Dantes (në roman janë përfshirë dhjetëra tercina të veprës së famshme, të përkthyera në shqip nga Pashko Gjeçi), historia nis e zë fill në Firence, në qershorin e 2016-ës, kur tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-tës, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes.  Mes tyre nisin të përzihen gjurmët e së shkuarës nën diktaturë, rrugëtimet e vejevijës së shpeshtë në vitet e lirisë mes dy atdheve të tyre dhe shenjat e përpjekjes për ta mbrojtur thelbin e tyre mes identitetit etnik të lindur dhe atij europian të fituar. A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre?

Personazhet përshkruhen ndër këto luhatje e dyzime, që i ka ndjerë dhe autorja vetë, që prej 20 vitesh vazhdon endjet nëpër qiejt e Evropës, betejën mes identitetit etnik dhe atij evropian, duke dashur gjithnjë më të mirën për Shqipërinë që i dhemb fort. Dhimbje kjo që i është dukur qartë jo vetëm në romanet a statuset e herë herës që poston në facebook-un e saj, por iu duk edhe në çdo fjalë hidh e prit, në bashkëbisedimin `me Mustafa Nanon, organizuar enkas për këtë promovim, por që s’mund të mbetej veç në kufijtë e këtij libri. Nano, ashtu si çdo gazetar që e njeh mirë Flutura Açkën, e dinte se  përballë saj mund të flitet për gjithçka, me vërtetësinë dhe nervin e një antikonformisteje, të cilës nuk është aspak e vështirë t’ja rrëmbesh atë përshkënditjen që ja ndjell në sy sa gëzimi i një promovimi libri aq dhe nervi për një realitet që i ka të gjitha shanset të jetë krejt ndryshe, shumë më i mirë, aq sa në disa gjëra t’i ngjajë, pse jo edhe Hollandës…të jetë më e pastër, më pak bjerraditëse, me më pak politikë apo dhe me më shumë ndjesë të pranuar publikisht nga ata që imponuan të ligën e diktaturës e krimit njerëzor në këtë vend.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Aktori shqiptar i zhgënjyer: Shikoni teatrin e Bullgarisë, qeveria jonë e dërgon teatrin nëpër...
APELI PER ARTISTIN/ Jeta e vështirë e mjeshtërit të ahengut shkodran, 84 vjeçari jeton me mbesën e sëmurë dhe 130 euro pension »
Article Logic
Execution time: 0.029432058334351
array(1) { ["section"]=> string(46) "te-ftuar-ne-nje-tjeter-rreth-nga-flutura-97547" }