Të gjithë pamë nga përroi, por Edi Rama kaloi nga lumi…

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:43 28-12-2018 Të gjithë pamë nga përroi, por Edi Rama kaloi nga lumi… Anila Basha

NGA ANILA BASHA

Edi Rama ia doli dhe kësaj radhe t’i bënte të gjithë të shihnin nga përroi, dhe vetë kaloi nga lumi. Me lëvizjet e sotme në qeveri, e kaloi lumin mbi teh të thikës. Ndoshta me mendimin se “era Rama” është ajo që i duhet në këtë moment. Përfundimisht, në PS janë tronditur ekuilibrat. I vetmi i mbijetuar i një force të madhe politike, është Gramoz Ruçi. Të tjerët e promovuar, nën anonimatin e emrave të dhënë apo detyrave që kanë marrë përsipër vetëm 6 muaj para zgjedhjeve vendore, do të ketë vështirësi të zbërthejnë jo programin qeverisës, por programin e Partisë Socialiste, ajo forcë politike, që i dha Ramës një mandat të dytë.

Kush e kuptoi shuplakën e Ramës, duhet në fakt të mendojë sesi mund të jetë një “grusht” i kryeministrit. Lëvizja e sotme në kabinetin qeveritar, asfare nuk mund të konsiderohet si një lëvizje e detyruar për shkak të protestës studentore, por si një prishje e ekuilibrave dhe establishmentit politik të krijuar brenda PS.

Kush mendon se situata është kaq e thjeshtë për të hequr ca ministra me peshë në PS, dhe zëvendësimin e tyre me emra anonimë të kësaj force politike (nëse janë të tillë), e ka gabim.

Por çfarë do të sjellë ndryshimi i qeverisë së socialistëve? Largimi nga kabineti i emrave me peshë, duke përfshirë këtu Ahmetajn, Gjiknurin, Bushatin, Peleshin, apo edhe më parë Sajmir Tahirin, tregon ringritjen e Rilindjes, por humbjen e identitetit të socialistëve.

Ndryshe nuk kemi sesi të kuptojmë zëvendësimin e Ahmetajt me një emër thuajse të panjohur nga ndonjë grup pune në PS, apo edhe në qeveri, Anila Denaj. Sepse, politikisht korrekt do të ishte propozimi në këtë post, i një figure si Arben Malaj përshembull, emrin e të cilit, Edi Rama e mbështeti fuqishëm për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, një socialist i orëve të para, që do të mund të merrte edhe përgjegjësi politike, dhe jo vetëm teknike të rritjes apo rënies ekonomike në Shqipëri. Por jo. Rama zgjodhi një emër të panjohur, që la të habitur e me gojë hapur edhe anëtarët e Asamblesë së PS. Arsyeja? Mediat zor se do të mbajnë mend emrin e ri të ministres, por përgjegjësinë, do ta ketë mbi kurriz vetë kryeministri.

Damian Gjiknuri mund të jetë vërtet një ministër me një karrierë pesë vjeçare në qeveri, por ishte po ashtu, njeriu që në parti përballoi fushatën e Dibrës dhe Vlorës, i krijoi terrenin Ramës për të pasur sa më pak humbje nga fenomeni “Kokëdhima” në bregdetin e jugut,  dhe, me eksperiencën e tij partiake, arriti të ringrejë strukturat e partisë në atë qark. Zëvendësimi i tij, me një personazh thuajse emblematik, të ardhur nga bashkia e Tiranës kur Rama ishte kryetar, por, fare pa përgjegjësi politike, në dukje është karshillëk ndaj strukturave socialiste jo vetëm në Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë.

Ditmir Bushati, ka një karrierë të gjatë në PS dhe në politikën e jashtme, ku ka qenë hartues i programit të PS në qeverisje dhe në opozitë. Nuk shënohet ndonjë skandal diplomatik në kohën që ai drejtoi ministrinë e jashtme. Zëvendësimi i tij me një emër të panjohur në peshë politike brenda forcës politike socialiste, është thjesht një goditje për emrin dhe potencën e tij politike si drejtues politik i qarkut më të vështirë për PS në Shkodër, Malësi e Madhe e Fushë-Arrës, por jo një vlerësim realist i lëvizjes së detyruar pesë vjeçare.

Bledi Çuçi është i vetmi që mund të vijë nga strukturat me një karrierë politike mbi një dekadë, por, largimi i beftë, vetëm për 1 vit nga Ministria e Bujqësisë e Niko Peleshit, të cilin Rama e ka mbajtur për katër vjet në pozicionin e zëvendësit të tij dhe që drejtoi gjithë procesin e rilindjes urbane të të gjithë qyteteve, një sukses që duket dhe ndjehet edhe nga socialistët, tregon se kryeministri e ka pasur goditjen e tij tek emrat e “establishmentit” të fortë politik të PS, dhe jo si veprim logjik i arritjeve dhe sukseseve brenda dikasterit që Peleshi drejtoi për pak më shumë se një vit. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet që kryeministri konsideroi sukses projektet e 100 fshatrave, apo financimin e fermerëve, apo projektet e Ipard, dhe menjëherë pas suksesit me këto projekte, shkarkon ministrin që i mbështeti fuqishëm pa u bërë pengesë.

Lindita Nikolla, ishte ministrja që duhet të kishte ikur që në krye të herës kur në Shqipëri shpërthyen protestat. Madje edhe me dorëheqje. Ndoshta, që në momentin kur u miratua ligji për Arsimin e Lartë, me të vetmen arsye, se në asnjë rast, nuk pati argumentat e duhura që një ligj të mirë ta mbronte profesionalisht, apo për dy vitet e miratimit të ligjit, nuk e plotësoi me aktet nënligjore që sollën këto reagime. Por zëvendësimi i një anëtari të kryesisë së PS, siç ishte Nikolla, me një emër të panjohur në përgjegjësinë politike të kësaj force, tregon se Rama ka menduar të zgjidhë teknikisht çështjen e arsimit në Shqipëri, pa i hyrë debatit dhe mbështetjes politike. Eshtë fyerje për inteligjencën e gjithë socialistëve që të emërohet Besa Shahini që ka vetëm një vit në Shqipëri, ardhur nga Kosova, dhe në moshë thuajse 27 vjeçare, që nuk ka eksperiencë administrative e jo më tej me ligjin e Arsimit të Lartë, që të dalë në ballë të reformave të socialistëve.

Mirela Kumbaro nuk shkëlqeu në krye të Ministrisë së Kulturës. Më shumë u akuzua, sesa promovoi programin politik të PS në aspektin e kulturës. Por të emërosh në krye të ministrisë së Kulturës, një zëvendësministre, që ka dalë publikisht vetëm njëherë, dhe këtë herë, ka dalë për të mbrojtur shembjen e një objekti të trashëgimnisë siç është Teatri Kombëtar, atëherë do të kuptohet fare mirë sesi do të vijojë historia e trashëgimnisë kulturore në Shqipëri.

Pa hyrë në emrat e tjerë të zëvendësuar apo të propozuar, përfundimisht socialistët duket se me qeverisjen e tyre ranë nga shiu në breshër. I vetmi socialist në qeveri, është strukur diku në një qoshe, quhet Pandeli Majko, nuk dihet se ku është dhe çfarë bën, përvec raportimit se njëherë në dy javë shkon tek zyrat e PS në njësinë 5 në Tiranë, thuajse dy orë.

Me këto lëvizje, Rama arriti të humbë identitetin e PS, dhe këtë po e bën 6 muaj para zgjedhjeve vendore. Kryetari i PS, thuajse nuk njeh asnjë seli partie nëpër rrethe. As kryetarët e tyre. Nuk di se në ç’gjendje janë ato. Inspirimi politik që përcon ai, ka bërë indiferent pjesën më të madhe të ish-deputetëve, ish-kryetarëve, ish-ministrave, ish-zyrtarëve që pasi kanë “rrjepur” qoftë edhe rrogën nga buxheti i shtetit me detyra që u aka ngarkuar kjo forcë poolitike, duhej minimalisht të ishin vizitorë në partinë që i promovoi. Por, ata largohen, kur shohin rilindasit, turrur me makina luksoze, canta të shtrenjta dhe indiferentizëm ndaj sociaistëve të vërtetë, që nuk i kthejnë sytë nga votuesit realë të PS.

Janë më shumë se 40 zv.ministra anonimë në parti, që Rama i promovoi duke i emëruar rreth një vit më parë. Ata, veç makinave të ministrive që përdorin për të shkuar poshtë e përpjetë, nuk kanë asnjë përgjegjësi politike, as angazhim elektoral, e as llogaridhënie para strukturave.

Rama në teh të thikës është ky që u paraqit sot. Që do të thotë se po luan rëndë duke goditur establishmentin e PS. Cdo gjë që do të arrijmë e ka koston e vet. Ky do të jetë turpi, apo triumfi i tij. Si gjithmonë, ai ka thënë po vetë: një gjë që nuk të vret, të forcon. Të presim dhe të shohim edhe 6 muaj.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0070459842681885
array(1) { ["section"]=> string(60) "te-gjithe-pame-nga-perroi-por-edi-rama-kaloi-nga-lumi-146825" }