"Të të vë një katër që të mbledhësh mendjen", kur zysha e 8-vjeçares kërcënonte për derbin e kryeqytetit dhe... bëhej padashur pjesë e tij

Publikuar tek: sport, më 15:58 26-09-2018

NGA RETIN TOKA

"Zyshe, sot s'kemi mësuar asnjëri nga ne", - i thashë unë me zë gjithë gëzim pa menduar se ç'më priste më pas. "Po, pse?", ishte përgjigja e saj me vetullat që iu ngrysën menjëherë. Qesha me gjithë zemër dhe në formë tallëse: "Sot, feston kryeqyteti. Luhet derbi më i madh i trojeve shqiptare". "Çfarë po thua? Të të vendos një katër që ta mbledhësh veten njëherë e mirë", tha zysha me ton kërcënues. Në atë moment hapi regjistrin dhe po 'mundohej' të gjente emrin tim.

Në fakt ma dinte shumë mirë sepse isha një nga nxënësit më të dalluar të klasës. Me gjyslykët gjys të vëna u kthye nga unë: "Pa ma shpjego njëherë, çfarë është ky derbi që ti po thua?" Me dëshirën më të madhe për të folur për të, u ngrita, shkova pranë tryezës së saj dhe nisa t'i tregoj me imtësi çdo gjë. Nga shalli dhe rrobat e pahekurosura prej shpejtësisë për të qenë pjesë e tifozëve e deri te farat e tetës që i mbesnin pa shitur duke qenë se edhe tifozi më i thjeshtë atë ditë bëhej ultras.

Mësuesja po më shihte gjithë admirim dhe u ngrit: "Të gjithë jashtë!" Në atë moment shtanga dhe këtë herë isha seriozisht i frikësuar pasi isha vetëm në klasë të shtatë. "Pse, çfarë ka? Ps..?, pyetjen e radhës ajo ma la në fyt dhe tha: "Më lënë me çantë mua?" Aty m'u duk sikur derbi u zhbllokua dhe u shënua goli i parë. Entuziazmin tim padashur e kisha transmetuar edhe te mësuesja, e cila më tha: "Po shkoj te drejtoresha, të flas pak me të. Ndërkohë ti, nisu! Mos u vono më".

I zbrita shkallët pa një, pa dy dhe papritmas u gjeta përballë rojes. "Të lutem, se jam vonë, më hap derën", i thashë gjithë lutje. "Ku do shkosh ti more? S'ka rënë ende zilja", më tha ai me ton injorues. Nuk e prita më. Në cepin e oborrit të shkollës, hekrat po më prisnin mua. Shkova atje dhe më duhej të prisja radhën. Nuk isha vetëm unë.  Më në fund e gjeta veten jashtë ambientit të shkollës. Nuk e mbaj mend fare rrugën, di që këmbët më drejtonin drejt stadiumit "Qemal Stafa". Rruga normalisht për një distancë të tillë zgjaste diku te 15 minuta, ndërsa mua më ka mbajtur vetëm 5 minuta. Bori që binin, semaforë të kuq dhe diku tutje që dëgjoja: "O jeni ju, o jeni tifozat bardheblu", ndërsa nga krahu tjetër, në bulevard: "Se qyteti është i joni".

Zemra ngazëllehej nga gëzimi dhe unë duhej të vrapoja sepse duhet të bashkohesha me njërën nga turmat. Biletën e kisha blerë ditë më parë duke kursyer lekët e byreqeve apo në rastet e dhjetave ( 1-mijë lekshin shpërblim) vetëm e vetëm që t'isha mes asaj atmosfere të zjarrtë. Ndeshja luhej në orën 18:00, ndërsa të gjithë ishim para stadiumit në orën 17:00. Pra, një orë para dhe unë i kisha thënë zyshës jam vonë.

Qeshja dhe më pëlqente që kisha gënjyer për derbin, për sprovën e kryeqytetit, për një ndeshje që të dy ekipet janë të dënuara për të fituar. Përpara kishim policët që çuditërisht aty nuk i kishte frikë asnjë. Si në çdo event me radhë në vendin tonë, rrëmuja ishte e pashmangshme. Kishte njerëz që donin të hynin pa bileta, të tjerë që ishin miq të policëve dhe unë që mendoja: "Le të hyjnë para meje (edhe pse isha me biletë), është ndeshje derbi". Tribuna D2 e stadiumit "Qemal Stafa" ishte shumë e madhe dhe pas shumë përpjekjesh, ashtu me shtatin e shkurtër e gjeta veten në mes të legjendarit. Ishte gëzim i papërshkrueshëm.

Në fushë kishin dalë në nxehmje lojtarët e dy ekipeve, ndërsa koreve tona nuk i shpëtonin dot as skuadra e gjyqtarëve. "Jepe penallti" apo "ai është njëri nga ne". Arbitri ngrinte kokën, qeshte dhe na përshëndeste edhe pse në fushën e blertë do të harronte shumë shpejt flirtin me ne.

Më në fund vjen momenti i shumëpritur. Nga tuneli i stadiumit dalin 22 futbollistët me emocionet e "ngrira" në fytyrë. Pasi përfundojnë me ritualet e përhershme, të dy ekipet drejtohen nga tifozëritë përkatëse duke i përshëndetur dhe duke i kërkuar mbështetje maksimale.

Sigurisht në këtë sfidë, "karikimi" dhe motivimi viheshin në plan të dytë. Askush nuk kishte uri atë ditë. Gjëja që mund të shijonte më shumë, ishin thonjtë që kafshoheshin nga emocionet. Kryekapot e dy tifozërive vijonin punën e tyre dhe stadiumi ushtonte. Dhe mua më dukej sikur isha mes një koncerti dhe këngën kryesore e nxirrja nga goja ime. "Çohu tribuna" apo në disa raste "motra e arbitrit" ishte njeriu më i 'dashur'. Ai personi që ne e përshëndetëm para se të niste loja, tashmë ishte shndërruar në të më urryerin. Ngjyrat bardh, blu dhe e kuqe kishin dominuar aq shumë saqë tashmë dhe fusha e blertë kishte nisur të na dukej e tillë. Efekt derbi, daltonik mund të bëhesh shumë shpejt. Mbaj mend që pashë një zonjë që mund të ishte tek të 50-tat. M'u duk e mërzitur.

Iu afrova dhe e pyeta: "Çfarë ke?". "Po, ç'të kesh? Askush nuk ble fara. E kanë mendjen të gjithë te ndeshja", më tha ajo gjithë mërzitje. E mora dhe e ngjita aty ku qëndronim në këmbë ne tifozët. Papritur i harroi farat dhe iu bashkua këngëve tona. A kishte gëzim më të madh? Më dukej se isha regjisori i gjithë asaj mrekullie në një skenë të stërmadhe. Ndeshja po shkonte drejt fundit, ndërsa shumë prej tifozëve ishin të mërzitur.

"Osht e lonme", thonte dikush tutje. "Prit mër, se s'ka maru. Ja shife deri në fund", ia priste tjetri. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Pak minuta para përfundimit, takimi u zhbllokua dhe festa ishte legjitime për të gjithë. Në atë moment i gjithë stadiumi nisi në kor për tifozët kundërshtarë: "Iku, iku treni". Unë vetëm qeshja dhe mundohesha t'i bashkohesha gjithë asaj zhurme të madhe. Në fund të ndeshjes, lojtarët vijnë dhe kërcejnë e këndojnë me ne. Më pas vjen koha për të dalë nga stadiumi, teksa të gjithë i binin me grushte dhe shqelma derës së madhe nga gëzimi i fitores. Jashtë "Qemal Stafës", ishte fusha e zezë që asokohe bënin stërvitje moshat.

Me sytë e gëzuar shoh zyshën time që më dha leje jo vetëm mua, por të gjithëve sepse luante Partizani - Tirana. "Reti", më thirri gjithë gëzim. U lumturova kur e pashë. "Një tifoz më shumë", i shtohet këtij derbi mendova. Iu afrova afër dhe vetëm dëgjova kur më tha: "Sa herë të luhet kjo ndeshje, s'do të ketë mësim nga unë. Atë katrën, nesër e ke dhjetë". Nuk dija ç'të thoja. E përqafova dhe nga gëzimi i fitores në derbi, u nisa për shtëpi. Përgjatë gjithë rrugës mendoja atë që kalova. Nga mësuesja në shkollë e deri te shitësja e farave. Shallin s'e kisha më në qafë. Kushedi ku kishte zënë vend. Një javë para se të fillonte dhe një javë pas, luhej në mendjen time Partizani - Tirana. Eh, çfarë lumturie... 

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Rikthehet Procesi Sportiv, surpriza e madhe që do na pëlqejë të gjithëve
Tronditet PARTIZANI para derbit, Lorenc Trashi largohet nga stërvitja »
Article Logic
Execution time: 0.33354091644287
array(1) { ["section"]=> string(139) "te-te-ve-nje-kater-qe-te-mbledhesh-mendjen-kur-zysha-e-8-vjecares-kercenonte-per-derbin-e-kryeqytetit-dhe-behej-padashur-pjese-e-tij-135693" }