Te zyrat e Gjergj Bojaxhiut punohet…madje në mënyrë vullnetare

Publikuar tek: politike, më 12:39 02-04-2015 Te zyrat e Gjergj Bojaxhiut punohet…madje në mënyrë vullnetare Te zyra elektorale e Gjergj Bojaxhiut

Te zyra elektorale e Gjergji Bojaxhiut punohet. Madje natë e ditë. Jo me pagesë, jo me rrogë. Punohet në mënyrë vullnetare.

“Alo Gjergj, dua të vij për një vizitë”. 

“Më mirë eja për ndonjë punë” thotë Gjergji në telefon duke qeshur, ndërsa të fton ta vizitosh në zyrën, për të cilën me thotë se provizorisht e kanë marrë në katin e parë të një pallati te rrugica e TVSH, përballë Atlantikut apo në krah të ATSH.

Në katin e parë është një zyrë e marrë me qira. Dhe hyj brenda e shoh dhjetëra të rinj e të reja, me kompjutera e lap-top, duke punuar. Ora 22.00.

“Ç’bëhet deri në këtë orë?” pyes unë. “Punohet”, thotë Gjergji, i cili mban të dy telefonat në dorë dhe biseda jonë ndërpritet për shkak të telefonatave që i vijnë nga të gjitha anët.

Diskutimi përqëndrohet tek firmat që janë mbledhur deri tani për t’u çuar në KQZ për ta rregjistruar si kandidat. Aty kushdo që firmos, e di qartë se sa “hilacakë” kanë qenë dy partitë politike PD e PS për ta vështirësuar kodin për rregjistrimin e kandidatëve të pavarur.

Në një formular plotësohet emri/mbiemri (me gërma kapitale, ndryshe nuk pranohet) dhe kur vjen puna për ditëlindjen, aty ku nuk duhet të gabojë njeri duhet VITI/MUAJI/DATA (dhe nëse e shkruan në të kundërt sërish nuk pranohet. Pastaj vendoset firma, dhe numri i telefonit. Të gjithë ata që firmosin, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit. Dhe si të mos mjaftonte fakti se duhet të fotokopjohet karta, në krah të kartës së identitetit, secili duhet të ketë firmën në krah të kartës. Pra, një punë e shumëfishtë që kontrollohet nga vullnetarët po vetë.

“Kjo është më e pakta. Kur i hyra kësaj ideje, thotë Gjergji, vura re se kodi përcaktonte që të gjithë ata që firmosnin, duhet të kishin edhe certifikatën personale”.

“Po ç’duhet certifikata, pyes unë e habitur. A nuk mjafton firma, karta e identitetit, firma në krah të kartës së identitetit?”

“Ja pra, ky ishte kodi…” thotë Bojaxhi, i cili shton se pas disa konsultave që kishte pasur me OSBE, ishte mundësuar marrja e vendimit nga ana e KQZ që pjesa e certifikatës të hiqej. Të paktën kanë bërë minimalen.

E kështu, firmat po mblidhen e po shkojnë drejt fundit. Pastaj, stafet punojnë me sektorë të tjerë: Çështja e strategjisë së Public Relation, rrjetet sociale, banerat, posterat, slogan…një grup tjetër punon për marrjen e të dhënave të Tiranës, ndarja zonat, shifrat në zgjedhje…të tjerë merren me rekrutimin e njerëzve që do të afrohen vullnetarisht krah tij…

Tamam një kantier elektoral. Një makineri që po përgatitet të startojë shumë shpejt. Ndoshta menjëherë sapo PD e PS të nxjerrin kandidatët e tyre. Dhe natyrshëm mendja të shkon te emrat që do të ketë përballë.

“Me shumë gjasë nga PS do jetë Veliaj”, them unë. Nga PD, deri pasditen e djeshme, në tavolinën e Lulzim Bashës flitej për Grida Dumën, Arben Ristanin, Aldo Bumçin, Jorida Tabakun e çuditërisht edhe Gerti Bogdanin. Cili do të jetë prej tyre dhe sa agresive do të  jetë fushata? “Në fund të fundit thotë Gjergji, do të bëjmë një fushatë qytetare.

Biseda vazhdon e ndërpritet shumë herë për shkak të njerëzve që hyjnë e dalin.

“E ndjen presionin që ka filluar të bëhet? Pyes unë. Lajmi i Shkëlzenit, dhe kthimi i përgjigjes nga ana jote është një informacion që kur e hodha në web, pati shumë shikueshmëri dhe lexime. Do të thotë që njerëzit duan sa më shumë informacion”, konstatoj unë.

“Nuk jam i shqetësuar, thotë Gjergji. Tek unë kanë ardhur madje dhe kanë firmosur të majtë e të djathtë. Nuk është puna vetëm e të zhgënjyerve nga dy partitë. Ata plotësojnë procesin sepse nuk besojnë më te dy forcat. Na duhet pjesa e madhe e qytetarëve. Ata do të bindim”.

Po a do t’ia dalë? Eshtë ende herët. Fushata siç duket ka filluar vetëm te zyra e Gjergj Bojaxhiut. Ai thotë se po. E rëndësishme është, që të gjithë në këtë moment, t’i japim një dorë për një fushatë qytetare dhe të bukur.  (a.basha)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Rama nga Shkodra: Doshin e kisha mik, por nuk prish punën për miqësinë
Peleshi: Kriminelët nuk ndihen vetëm, kanë mbështetjen e opozitës »
Article Logic
Execution time: 0.02287483215332
array(1) { ["section"]=> string(67) "te-zyrat-e-gjergj-bojaxhiut-punohet-madje-ne-menyre-vullnetare-7633" }