Tensioni Rusi- Turqi: po tani?

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:33 26-11-2015 Tensioni Rusi- Turqi: po tani?

Në mediat ndërkombëtare u raportua për goditjen dhe rrëzimin e një avioni ushtarak rus nga avionë turq në kufi me Sirinë. Lajmi u vërtetua nga Ministria e Jashtme Turke që konfimoi rrëzimin nga forcat e tyre F-16 të një avioni në kufirin e Turqisë me Sirinë, si dhe Ministria e Jashtme Ruse që njoftoi humbjen e avonit ushtarak SU-24 në Siri. Qarkulloi video që tregonte avionin teksa përplaset në malet në provincën Latakia, si dhe një video e dytë me një nga pilotët e avionit rus të plagosur rëndë në tokë, dërguar në adresën e Reuters nga një grup rebel sirian. Pilotii dytë i aeroplanit rus duket të ketë shpëtuar dhe thuhet të jetë kthyer në Rusi.

Kjo ngjarje ndodh në njëkohë kur pas sulmeve terroriste në Paris, Amerika, aleatët Perëndimor(NATO) dhe Rusia sikur kishin rënë dakord lidhur me qëllimin e përbashkët dhe kryesor: për të luftuar Shtetin Islamik. Franca ka filluar sulme direkte kundër Shtetit Islamik dhe NATO duket të ketë pranuar që interes kryesor për momentin është beteja kundër grupit terrorist. Ndërkohë që sikur janë lënë për diskutim në një moment të dytë mospërputhjet lidhur me situatën politike në Siri: vendet e Europës Perëndimore sikur duan që Bashar al-Assad të vazhdojë të mbajë pushtetin në Siri, por jo për gjatë; Turqia është kundër vazhdimit të sundimit të Bashar al-Assad dhe ka forca rebele pro-Turke që luftojnë në Siri për të arritur këtë qëllim; ndërkohë Rusia është kundër largimit nga pushteti të al-Assadit.

Në rastin në fjalë, situtata bëhej problematike nëse Rusia të klasifikonte incidentin si “akt lufte”. Bazur në të drejtë ndërkombëtare, sulmi kundër avionit të një shteti tjetër mund të konsiderohet si akt lufte dhe në raste të tilla, Karta e OKB-së lejon përgjigjen në vetëmbrojtje të shtetit të sulmuar kundrejt shtetit sulmues. Presidenti rus, Vladimir Putin në deklaratë për shtyp quan Turqinë si “bashkëpunëtorë të terroristëve”, përshkruan incidentin si “një thikë pas shpine” dhe paralajmëron për pasoja të rënda në raportet Rusi-Turqi. Po flitet dhe për masa ekonomike kundër kompanive Turke dhe në shenjë revolte Ministri i Jashtëm rus anuloi një vizitë të planifikuar në Turqi. Sado që Rusia përdori tone të rënda, prap se prap në asnjë deklaratë nuk e ka klasifikuar ngjarjen si “akt lufte”.

Nga ana tjetër, bazuar në të drejtë vendore dhe ndërkombëtare, Turqia lejohet tu japë direktiva forcave ushtarake për veprim në rast të shkeljes apo provokimeve në hapësirën shtetërore territoriale, detare dhe ajrore – bazuar në rregullat e angazhimit. Pretendimet e Ankarasë janë që rrëzimi i avionit u bë pas shkeljes së hapësirës ajrore të Turqisë dhe pas 10 paralajmërimëve nga ana turke, në një moment jashtëzakonisht të rrezikshëm duke pasur në kufi luftën civile 4 vjecare në Siri.

Praktika ndëkombëtare tregon që incidentet e fundit i këtij lloji që përfshinjë si njëra palë një shtet anëtar të NATOs kanë ndodhur rreth viteve 1950 dhe prap se prap rrëzimi i avionëve të NATOs nuk ka rezultuar në luftë. Çfarë ka rezultuar është ftohja e raporteve mes shteteve. Gjatë luftës në ish-Jugosllavi ka qenë i madh shqetësimi për probleme pikërisht të këtij lloji, sidomos sepse dhe Rusia dhe NATO operonin avionë në të njejtën hapësirë dhe kohë. Fatmirësisht nuk ndodhën incidente të tilla që mund të nxisnin kundërshtarët e vjetër kundër njëri tjetrit. Por, që në fillim të sulmeve të Rusisë në Siri në muajin gusht të këtij viti, Turqia ka shprehur shqetësim në NATO lidhur me mundësinë e sulmeve drejtuar forcave rebele pro-Turke apo pro-Europiane dhe lidhur me fluturimet dhe respektimin e hapësirës ajrore Turke përgjatë ndërmarrjes së masave ushtarake.

Në rastin në fjalë, rregullat e angazhimit është e arsyeshme që duhet të parandalonin avionin luftarak rus nga shkelja më tej e hapësirës ajrore turke - por sigurisht që nuk dimë se sa shpesh kjo ka ndodhur apo nëse pilotët rus ishin thjeshtë të pafat që kishin në afërsi avionët turq F-16. Për më shumë, shteti Rus duket sikur konteston faktin e paralajmërimit për shkelje të hapësirës turke.

Shqetësimi është se kjo ngjarje shënon një tranzicion nga situata e deritashme dhe drejt asaj që disa i janë referuar si Luftë e Re e Ftohtë.A do të përshkallëzohet kjo? A do të shohim më shumë avionë ushtarakë të rrëzuar – për çfarëdo arsye – apo mundësinë e një konfliti të ardhshëm? Ky është shqetësim kryesor - sidomos nëse avionët apo nëndetëset ruse vazhdojnë të shkelin hapësirat kombëtare. Për më shumë që Rusia ka që në vitin 2014 që ka filluar investim të madh në struktura ushtarake në Arktik, që konsistojnë në rreth 10 stacione radari, 13 fusha ajrore, qendër trajnimi dhe anije luftarake; dhe testimi i vazhdueshëm nga NATO i radarit rus përgjatë kufirit rus dhe Oqeanit Arktik – është fakt që nuk ndihmon në marrëdhënie.

NATO ka njoftuar mbledhje në një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar lidhur me incidentin në fjalë. Por, e mira do ishte që çështja të zgjidhej mes Rusisë dhe Turqisë pa përfshirjen e NATOs. Për sa kohë që këto dy vende arrijnë të zgjidhin problemin në fjalë pa përfshirjen aktive të NATOs, ka të ngjarë që Rusia do të navigojë më me kujdes, në vend që të nxisë përkeqësim të situatës së luftës - e cila ka marrë viktima të mjaftueshme tanimë.

*Nita Shala, Ph.D. Researcher në të Drejtë Ndërkombëtare (IHEID) dhe M.Sc. në Kriminologji dhe Drejtësi Penale (Universiteti i Oxfordit).

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.020218133926392
array(1) { ["section"]=> string(33) "tensioni-rusi-turqi-po-tani-26343" }