Thesi u ça…çfarë ka thesi brenda???

Publikuar tek: analiza-komente, më 16:35 17-03-2015 Thesi u ça…çfarë ka thesi brenda???

Suksesi, arritja, puna e madhe, lufta kundër trafikut, emërimet e drejta dhe me konkurs, konkurrenca e ndershme, universitete me standarde evropiane, zyrat e punësimit, ndihma sociale, legalizimet, energjia… 

Sa shumë suksese janë numëruar në 17 muaj të qeverisjes së koalicionit të majtë. Aq sa nuk kemi më fjalë për t’i përshkruar.

Por, me çfarë po na shohin sytë, e çpo na dëgjojnë veshët, vështirë e ka ky popull i fiksuar pranë televizorit për të parë telenovelën e radhës siç thotë kryeministri, të besojë në sukseset e superaksioneve me rezultate pozitive në luftën kundër trafikut, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër nepotizmit, e çdo lloj lufte me të cilën kjo maxhorancë ka ardhur në pushtet.

Kthejmë sytë djathas, shohim kryetarin e opozitës që i shkau një hetimi për procedurë; kthejmë sytë majtas, shohim zyrtarët e maxhorancës që i shmangen hetimeve për procedurë… A thua se nuk e kanë provuar mbi kurriz atë procedurë ata të shkretët qytetarë që “rrasen” furgonëve të policisë si të ishin thasë patatesh që duhet të numërohen dyerve të komisariateve. 

Shohim politikanë që bëjnë moral mbi të pamoralshmen dhe qytetarë që edhe pas 25 vitesh, nuk lodhen të mbushin sheshet me bilbilat e partive sa herë ato i thërrasin në detyrë. Si të ishin në thirrje zbori të kohës së diktatorit. Dhe mungesë reagimi nga strukturat e qeverisë.

Përfundimisht “thesi” i mëkateve për të gjithë, majtas e djathtas, është çarë. I takon Edi Ramës që erdhi në krye të qeverisë me 1 milionë vota ta heqë të gjithë të keqen që gjeti apo u mboll, në dijeninë apo padijeninë e tij, në sistemin që po përpiqej të ndryshonte.

Le të ndërmarrë kryeministri aksionin e duarve të pastra të qeverisë. Ta fillojë nga sektorët kyç për të cilat ka edhe më shumë ndjeshmëri publike.

Le ta fillojë me forcat e rendit. Duhet të mbajë përgjegjësi njeriu që dha urdhërin për të bllokuar një aksion të policisë (tashmë dokumenti flet vetë dhe nuk mund të mohohet) për kapjen e një të kërkuari të trafikut të lëndëve narkotike. Të shkarkohen njerëzit përgjegjës e të dërgohen për ndjekje penale. E lista, tani që gjithçka u bë publike, le të bëhet publike për ata që mbajnë përgjegjësi.

Të tregohet pse iku drejtoresha e përgjithshme e doganave, dhe të thuhet se pse vetëm një javë pas largimit të saj, drejtoresha e re bën “kërdinë” duke shkarkuar doganierë që kanë kaluar trajlera mallrash në dogana e kanë marrë rryshfet. Të dalë publikisht kush ishte njeriu që ishte në krye të atyre doganierëve që i ka mbajtur në punë këta persona thjesht e vetëm për bakshishin e radhës.

Le të ketë guximin dhe të pranojë nepotizmin në administratën tatimore. Një ndër çështjet e tij kryesore kur erdhi në pushtet ishte: “jo nepotizmit në administratë”. Ti largojë njerëzit dhe të veshë me përgjegjësi ata që ia vunë “damkën negative” një procesi pastrimi dhe pune të ndershme të administratës tatimore.

Le t’i kthejë sytë nga shëndetësia, sektor direkt i prekshëm nga qytetarët dhe të merret me akuzat që bëhen për mungesën e materialeve kryesore në spitale, mjeteve të domodsoshme, si bëhen tenderat e ilaçeve dhe çdo tender tjetër, dhe pse ka kaq shumë akuza për korrupsion dhe nuk ka asnjë reagim. Nuk mund të kënaqet kryeministri me historinë e vizitave në spital, ku mjekëve e infermierëve u veshin bluza të reja të bardha dhe ua marrin mbrapsh sapo kryeministri mbaron vizitën e radhës.

Le t’i kthejë sytë nga arsimi, aty ku deklaroi se do të kishte procedura konkurrimi për drejtorët, por të paktën dy raste janë bërë publikë për rryshfet. Aty ku puna po i  çalon me reformën për arsimin e lartë, aty ku projektet edhe të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, (qoftë edhe amerikane dhe britanike) mbeten në sirtaret e ministres së Arsimit.

Le të shohë punësimin, atyre që dolën nga puna e zezë dhe u futën në skemën e sigurimeve, por të kontrollojë  edhe mënyrën sesi po zhvillohen projektet pilot të ndihmës sociale, aty ku nga raportimet që vijnë dyerve të medias thuhet se ka abuzime për mënyra selektive dhe dështim të projekteve pilot.

Le të kthejë sytë nga privatizimet, si po bëhen dhe kush përfiton. Cilat janë procedurat dhe firmat që marrin pjesë e pse procesi kalon larg syve dhe vëmendjes së publikut.

Le të fillojë me shqetësimet publike, pa problem. Dhe të ketë reagim. Dhe po reagoi kryeministri, ka reaguar qeveria, trembet krimi, fshihen sekserët, dridhen të korruptuarit e korruptuesit.

Le të ndërhyjë kryeministri për çështjen e imazhit, por jo duke zëvendësuar kunatin e Lulit, kushëririn e Flamur Nokës dhe kompaninë e Frangajt me emrat e rinj të motrës së Taulant Ballës, vëllait të Erjon Veliajt, apo gocës së Dash Pezës.

Do të ishte shumë mirë e gjitha kjo për ëndrrën e vitit 2015. Si një projekt i madh. Se dhe unë në fakt e kam një ëndërr: Të shoh Edi Ramën që i bie tavolinës me grusht e të hedhë në tokë të gjithë mikrofonat e medias. Njëherë e ka bërë. E sigurt që mund ta bëjë sërish. Sa mirë do ishte të zgjohesha dhe të shihja se ëndrra m’u plotësua. Ndryshe do thoja: Na fëlliqët fare… Se nuk më pëlqen as situata kur shoh që opozita qesh e lumturohet skandal pas skandali.   

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.017896890640259
array(1) { ["section"]=> string(37) "thesi-u-ca-cfare-ka-thesi-brenda-6164" }