Tirana International Airport transferon të gjitha aksionet tek kompania kineze

Publikuar tek: ekonomi, më 17:06 07-10-2016 Tirana International Airport transferon të gjitha aksionet tek kompania kineze

Tirana International Airport (TIA) ka njoftuar sot se China Everbright Limited një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong, do të marr në zotërim 100% të kapitalit aksionar të TIA-s.

 “Me kënaqësi njoftojmë një epokë ndryshimi me China Everbright Limited,” u shpreh Rolf Castro-Vasquez, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s.

“Ortakët tashmë në ikje, AviAlliance, DEG dhe AAEF, si edhe të gjithë punonjësit kanë punuar për zhvillimin e aeroportit dhe me krenari i kanë shërbyer pasagjerëve të tij duke ofruar standarde bashkëkohore. Shpresojmë për zhvillime të mëtejshme me ortakun e ri China Everbright Limited, duke ofruar atë për të cilën kanë nevojë dhe dëshirojnë udhëtarët tanë,”-tha më tej ai.

Duke filluar nga data 23 Prill 2005, e gjithë përgjegjësia për zhvillimin, operimin dhe menaxhimin e Tirana International Airport “Nënë Tereza” ka qenë në dorën e Tirana International Airport SHPK (TIA), me ortakët AviAlliance GmbH (më parë e njohur si HOCHTIEF AirPort GmbH), DEG – Deutsche Investitions- und Entëicklungsgesellschaft mbH (DEG) si dhe Albanian-American Enterprise Fund (AAEF).

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i CEL, Chen Shuang, u shpreh se me mbështetjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe stafin menaxherial të TIA-s, CEL ka kënaqësinë të mbyllë procesin e blerjes së Tirana International Airport.

“Blerja përbën një metodë proaktive të koorporatës për të identifikuar mundësi të mira investimi në infrastrukturë e cila përputhet me Nismën e Kinës mbi Rrugën e Mëndafshtë.

Kjo shënon gjithashtu lëvizjen e parë të Fondit të Infrastrukturës China Everbright, i cili është në proces themelimi. Me mbështetjen dhe burimet e CEL, TIA mund të zhvillojë më tej facilitetet dhe pajisjet e saj, për të bërë dallim të shkëlqyer në çdo aspekt.

Gjithashtu, me lidhjet e shumta të CEL në Kinë, ne besojmë se tregtia dhe turizmi dhe ndërmjet dy vendeve do të promovohet më tej. Për këtë arsye kjo blerje ka një domethënie dhe vlerë të veçantë”, tha ai.

TIA në vitin 2005 mori në administrim Aeroportin e Rinasit me një numër pasagjerësh prej përafërsisht 600.000. Dymbëdhjetë vite më vonë, duke treguar një rritje të konsiderueshme, Aeroporti i shërben një numri prej më shumë se 1.9 milion pasagjerësh në vit dhe është tashmë një portë moderne drejt vendit duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë. Më shumë se 70 milionë Euro janë investuar në zhvillimin dhe zgjerimin e Aeroportit.

Më 1 Prill 2016, Qeveria e Shqipërisë dhe TIA nënshkruan një amendament të Marrëveshjes së Koncesionit të TIA-s duke ndërmarrë një hap të konsiderueshëm drejt zhvillimit të transportit ajror dhe liberalizimit të fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri. Afati i Koncesionit i TIA-s u zgjat menjëherë për dy vite të tjera përkatësisht deri në Prill 2027 duke lejuar hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare.

Ndërsa kompania kineze CEL është themeluar në 1997, dhe është një degë ndërkombëtare e investimeve të China Everbright Group, një kompani shërbimesh të ndryshme financiare. CEL menaxhon 33 fonde private ekuitetesh dhe zotëron më shumë se 8.7 miliardë dollarë në asete në administrim.

China Everbright Limited, një anëtare e China Everbright Group, është ortaku i dytë më i madh i Everbright Securities (kodi i aksioneve në bursë: 601788.SH, 6178.HK), një ortak strategjik i China Everbright Bank (kodi i aksioneve në bursë: 601818.SH, 6818.HK), ortaku i vetëm më i madh i China Aircraft Leasing Group Holdings Limited me aksione të listuar në bursën e Hong Kong (kodi i aksioneve në bursë: 1848.HK), ortaku më i madh i Shanghai Jiabao Industry & Commerce (Group) Co., Ltd (kodi i aksioneve në bursë: 600622.SH) si dhe ortaku i dytë më i madh i Ying Li International Real Estate Limited me aksione të listuara në bursën e Singaporit (kodi i aksioneve në bursë5DM. SGX).

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021684885025024
array(1) { ["section"]=> string(84) "tirana-international-airport-transferon-te-gjitha-aksionet-tek-kompania-kineze-55414" }