Tom Doshi dhe Mark Frroku? Si lindi miqësia nga biznesi e politika, dhe pse u prish kur s’u hap telefoni

Publikuar tek: politike, më 11:34 07-03-2015 Tom Doshi dhe Mark Frroku? Si lindi miqësia nga biznesi e politika, dhe pse u prish kur s’u hap telefoni Tom Doshi, Mark Frroku dhe Armando Prenga se bashku

Tom Doshi duhet ta ketë ndjerë veten keq kur i binte papushim telefonit të mikut të tij Mark Frroku dhe ky i fundit nuk i përgjigjej, në asnjë prej të dy numrave të telefonit. Celularët ishin të mbyllur. 

Ka menduar ndoshta, se një tjetër njeri, i cili i kishte thënë për skenarin e vrasjes, pas bujës së madhe që mori çështja mes tij dhe gjithë organeve të shtetit, e kishte lënë në baltë. Dhe ai ishte deputeti i Partisë Kristian Demokrate në Kuvendin e Shqipërisë, Mark Frroku. 

Po si u ngjit Mark Frroku deri në sallën e Kuvendit të Shqipërisë? Kush investoi për të?

Historia nuk është e komplikuar. Në rrethet politike po flitet gjithmonë e më shumë. Miqësia personale e Tom Doshit me Mark Frrokun, dhe lidhja e tyre në biznes, ndikoi që Tom Doshi, në kohën e “dashurisë” me Edi Ramën, ti kërkonte kryetarit të Partisë Socialiste, që Pukën, ta linte zonë të lirë deputetin kristiandemokrat, i cili pas zgjedhjeve të 23 qershorit, mori edhe detyrën e kryetarit të partisë Kristian Demokrate.

Rama fillimisht ishte shumë skeptik për përfshirjen e Mark Frrokut, por u bind nga Toma, i cili e garantoi se Pukën do ta fitonte Frroku dhe votat do të ishin për maxhorancën e re që do të krijohej.

Shumë shpejt, nga gati një i panjohur, i cili kishte në pronësi një ndër kompanitë e basteve më të mëdha në Shqipëri, Mark Frroku, i hyri politikës derë më derë për të fituar mandatin.

Situata në Parlament nuk do të ishte më njëlloj. Tom Doshi dhe Mark Frroku, konsoliduan pozitat e tyre së bashku jo vetëm në biznes, por edhe në Parlament. Madje, gjithmonë i shihje bashkë. Vendimet dhe aksionet, madje edhe sulmet, i kishin të përbashkëta.

Mark Frroku u bë personazh mediatik në dy gjëra kryesore: e para, pas akuzës ndaj të vëllait të tij Arben Frroku për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, dhe e dyta, në janarin e vitit 2014, kur në median shqiptare dolën informacionet nga mediat  belge se Mark Frroku ishte i dënuar në Belgjikë. Ish kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, shfrytëzoi momentin në parlament ta përmendte këtë fakt. Por Mark Frroku, i çoi një mesazh në telefonin e zonjës Topalli. Ky u mor si kërcënim nga ana e PD, që i kërkuan maxhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, të përjashtonte deputetin, i cili merrte pjesë rregullisht në mbledhjet e grupit parlamentar të PS. Edi Rama i kërkoi Frrokut të kërkonte falje, por deputeti që mban në xhep dhe pasaportën amerikane, nuk e bëri këtë gjë, duke mos e marrë si kërcënim mesazhin ndaj Topallit. Që në atë kohë, ai nuk mori pjesë më në mbledhjet e grupit parlamentar të PS.

Nuk ishte vetëm kaq. Tom Doshi, edhe pse Mark Frroku nuk merrte pjesë në mbledhjet e PS, vazhdonte ti qëndronte afër. Derisa erdhi korriku 2014, kur në parlament kërkohej një shumicë e cilësuar votimi. Pikërisht në ditën më të rëndësishme të qeverisë, kur opozita kishte bojkotuar kuvendin, nuk bëhej dot kuorumi i votave. Tom Doshi i tha mediave: Ishim për drekë me deputetët Parid Cara, Armando Prenga, Mark Frroku, Pjerin Ndreu, Arben Noka etj se po festonim ditëlindjen e Markut…”. U kuptua se ishte një gënjeshtër dhe presion. Mark Frroku e kishte ditëlindjen në tetor dhe festa po bëhej në korrik.

Tensioni mes grupit “rebel” dhe maxhorancës vazhdoi. Ca nga rebelët, u bashkuan me “turmën e maxhorancës”. Por besnikët si Tom Doshi, Armando Prenga, Mark Frroku mbetën bashkë.

Madje, siç prentendoi publikisht Tom Doshi, derisa Mark Frroku i kishte thënë këtij të fundit se kishte një plan për ta vrarë. Që nga gushti e deri më sot, dy shokët deputetë, e diskutonin shpesh këtë gjë. Madje kishin marrë dhe masa. Derisa erdhi dita e djeshme, kur Mark Frroku, nuk i hap më telefonat.

Pse u prish miqësia e deputetëve? Ka shpifur Tom Doshi për Mark Frrokun, apo Mark Frroku është tërhequr në këmbim të “presioneve”? Kjo gjë ende nuk dihet dhe do të zbardhet nga hetimi. Ajo që bëhet e qartë, është se miqësia e tyre u prish njëherë e mirë. 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Protesta e PD-së/ Basha: Ka nisur numërimi mbrapsht për dyshen Rama-Meta
Gjergj Bojaxhi mbledh firma për kandidimin, Fatos Lubonja nuk do kandidojë »
Article Logic
Execution time: 0.030686855316162
array(1) { ["section"]=> string(107) "tom-doshi-dhe-mark-frroku-si-lindi-miqesia-nga-biznesi-e-politika-dhe-pse-u-prish-kur-s-u-hap-telefoni-5219" }