Që prej dy javësh Gianni De Biasi nuk është më trajner i kombëtares shqiptare, por kjo gjë nuk e ndalon italianin të kthehet në Shqipëri, pasi ai tashmë është një qytetar shqiptar me të drejta të plota.
Sot ish trajneri i kombëtares ishte i pranishëm në një ceremoni që kishte organizuar Ministria e Arsimit dhe Sportit për t’i akorduar një çmim mirënjohje.
Dhe më këtë rast gazetarët kanë përfituar për t’i shkëputur De Biasit një intervistë të shkurtër. Për sa i përket çështjes së trajnerit të ri De Biasi u shpreh se sot Shqipëria është një kombëtare e kërkuar nga trajnerë të njohur të cilët e shohin si një mundësi për t’u reklamuar akoma dhe më shumë.
“Presidenti Duka do të bëjë një kërkim të kujdesshëm dhe nuk do të lërë pas dore asnjë detaj. E rëndësishme është që trajneri i ri të jetë një zgjedhje e mirë që Shqipëria të rritet dhe të përmirësohet. E kam ende të nxehtë telefonin, sepse Shqipëria është bërë një kombëtare interesante. Sot kuqezinjtë janë një skuadër që u japin mundësinë trajnerëve të reklamohen, sepse Shqipëria ka mundësi të kualifikohet në Europianin e ardhshëm dhe janë të shumtë ata që interesohen”, tha De Biazi.
Ndërsa sa i përket emrave të mundshëm që përfliten për të marrë drejtimin e kuq e zinjve, De Biasi zgjodhi të përgjigjej me batutë duke përmendur emrat e ndoshta tre trajnerëve italianë më të mirë të të gjitha kohrave: “Lipi, Kapelo ose Trapatoni.”