Tre gabimet e Presidentit

Publikuar tek: analiza-komente, më 17:44 08-02-2015 Tre gabimet e Presidentit

Këtë fundjavë, kur të gjithë shqiptarët, apo shumica e tyre, e kishin mendjen tek përmbytjet, një lajm diplomatik i habitshëm, tërhoqi vëmendjen e mediave. Ishte ankesa e presidentit të Republikës, drejtuar kryeministrit e ministrit të Jashtëm për “ftesat” që sipas kreut të shtetit, i mbaheshin të fshehta në korridoret e zyrat e ministrisë së Jashtme.

Nuk mund të paragjykojmë qëllimin e presidentit për një deklaratë të tillë, kaq troç, kaq hapur apo në real-politikë, siç mund të thuhej ndryshe. Por, ajo që të bën përshtypje është fakti se, me dije të plotë, presidenti e hoqi vëmendjen nga një çështje shumë e rëndësishme që duhet të anonconte: hallin e madh që kishin banorët në jug të vendit nga përmbytjet dhe kërkesën për qeverinë për ta parë më seriozisht situatën duke kërkuar edhe gjendje emergjence, siç u shpreh kreu i shtetit. Dhe duke bërë gabimin taktik,të bërjes publike të konflikteve që kishte me kryeministrin e ministrin e Jashtëm, në momentin më të papërshtatshëm, mori reagimin mbrapsh negativ të zyrtarëve të shtetit, por edhe opinionit publik.

Që në krye të herës ndoshta duhet thënë se presidentit mund t’i ketë dhembur zemra që nuk i ka marrë ftesat në adresë të tij, apo që ai vetë nuk do të jetë në krye të samitit të qershorit. Por ka shumë mënyra sesi një president mund ta penetrojë lajmin në media; ose të paktën, sa është mësuar e lexuar, siç ndodh në raste të tilla në pjesën më të madhe të zyrave të komunikimit të krerëve të shtetit në të gjithë botën. Këshilltarët, apo stafi i marrëdhënieve me publikun, mund ta bënte këtë me gazetarët, duke kërkuar indirekt mbështetjen apo edhe investigimin e këtyre të fundit. Drejtpërsëdrejti, Presidenti, do të kishte një kanal komunikimi që do ta shfrytëzonte, edhe për t’i dhënë mesazhet maxhorancës.

Por bëri pikërisht një deklaratë që nuk duhet ta bënte, duke u qarë përpara kamerave për marrëdhëniet jo të mira me maxhorancën; e duke treguar se meqë ata (pra maxhoranca) i “vjedhin” ftesat, ai (pra presidenti) nuk ua emëron ambasadorët. Një kapricio e një mentalitet shqiptar që nuk ka ndryshuar as pas 25 viteve tranzicion të Shqipërisë.

Dhe duke analizuar veprimin e deklaratën e presidentit, duket se gaboi në tre gjëra:

E para, i hoqi rëndësinë një çështje më madhore siç ishte situata emergjente që pa në jug të vendit (nëse presidentit do t’i kishte dhembur aq shumë situata, do të fokusohej direkt dhe vetëm te ajo çështje).

E dyta, tregoi se konflikti institucional mes Presidentit e Qeverisë nuk bëhet për çështje madhore, por degjeneron në cic-mice të vogla të problematikës mes këtyre institucioneve (ashtu sikurse gjithë shoqëria shqiptare).

E treta, provokoi “talljen” e ministrit të Jashtëm Bushati dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, një tallje e panevojshme, nëse nuk do të ishte bërë ajo deklaratë. Njëkohësisht, provokoi një reagim ndryshe, dhe më institucional të kryeministrit Rama.  

Pas kësaj, komentet e qytetarëve janë të shumta. Të gjithë e rikthyen vëmendjen tek e kaluara si zyrtar i lartë i PD, i Presidentit Nishani. Rrjedhimisht, do të duhet të jetë e nevojshme më vonë që kreu i shtetit, të jetë vërtet mbi palët. Por deri atëherë, dhe nëse zgjidhet sërish një president i njëanshëm, për shqiptarët do të ketë edhe telenovela të tipit “Dashuri apo urrejtje mes zyrtarëve të institucioneve”.  

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.018280029296875
array(1) { ["section"]=> string(30) "tre-gabimet-e-presidentit-2720" }