Tri “hemoragji” që kanë kapluar Gjirokastrën, të emigrosh drejt vetvetes nga tmerri se të bie çatia në kokë

Publikuar tek: kulture-art, më 21:24 12-01-2018 Tri “hemoragji” që kanë kapluar Gjirokastrën, të emigrosh drejt vetvetes nga tmerri se të bie çatia në kokë

Nga: Engjëll Serjani

Gjirokastër, këtë qytet e kanë kapëluar tri “hemoragji”. Arratisjeje të tipit nga “sytë – këmbët”. Edhe pse konsiderohet si qytet me prespektivë turistike, banorët e saj po largohen me shpejtësi në tri drejtime: Drejt “kurbeteve” jashtë vendit, drejt kryeqytetit dhe drejt vetvetes.

Dy “arratisjet” e para, janë të tipit “No coment!”. Sepse bëjnë pjesë në epideminë e gjatë të tranzicionit demografik kombëtar. Drejtimi i tretë, ai “drejt vetvetes”, ja vlen të analizohet posaçërisht. Emigrimi “drejt vetvetes” i gjirokastritëve, është unikal dhe paradoksal njëkohësisht.

Ndodh vetëm në Gjirokastër.

Ky lloj emigrimi nuk gjendet në asnjë nen e status të Organizatës Botërore të Migracionit. Mandej, nuk gjendet në asnjë fokus a vëmëndje të disa OJF-ve që kanë zyra me salltanete të mëdha në Gjirokastër. OJF, që përgjërohen e betohen se mendojnë, punojnë dhe treten, vetëm për Gjirokastrën.

Ky lloj i rrallë emigrimi specifik, ka të bëjë me largimet masive të famijleve nga zona historike drejt zonës së re urbane. Familje të tëra, edhe pse kanë në pronësi shtëpi “monument kulture”, preferojnë të largohen për të jetuar në një apartament në lagjet periferike. Shkaku? Thjesht, sepse kanë frikë se u gremisen shtëpitë “monument” mbi kokë.

Shqetësim, i madh dhe real. Ndërtesa me histori të madhe, por në gjendje mjaft të keqe. Ndërtuar 200 e 300 vjet më parë. Vendosur në një terren të aksidentur. Rrethuar nga dhjetra përrenj malorë. “Dhe ç’të ishin ato të shkreta shtëpi”, thonë gjirokastritët, për ato që janë listuar “monument kulture”.

“Dakort, monument! Po unë ku të jetoj!? Dua dritë, dritare normale, ngrohje, kushte higjeno-sanitare, komoditet të kohës. Nga të gjitha këto jam i privuar.

Nuk mund të jetoj si në kohët e “Baba Qenos”. Nuk mund të ndërhyj të bëj përshtatje në shtëpinë time. Pse, se është monument!?”, thotë D.K. banor e pronar në një shtëpi monument kulture i kategorisë së parë.

Për ta bërë më të qartë situatën, ja vlen të fokusohemi në disa shifra. Pas vitit 1991, statistikat dhe përllogaritjet flasin kështu: Popullsia në pjesën historike të qytetit të Gjirokastrës largohet me ritmin 20 % në çdo 5 vjet. Kjo shifër, është gati dy herë më e madhe se largimet nga lagjet e tjera të qytetit.

Në pallate e apartamente që nuk bëjnë pjesë në “zonën e mbrojtur” nga shteti dhe UNESCO. Zona e mbrojtur, ofron pak mundësi për punë, qarkullim, parkim, ngrohje, ndriçim natyror, standart jetese dhe komoditet të kohës.

“Vetëm për dy muaj aktivitet turisti, nuk mund të sakrifikojmë jetën tonë dhe perspektivën e fëmijëve”, shprehet Sokol Karaulli, një tjetër banor e pronar i një banese “monument” i kategorisë së parë.

“Shteti, a e ka shpallur zonë të mbrojtur? Dakort!: – thotë Sokoli. “Shteti duhet të mendojë. si për monumentet “ca gurë të dheut”, edhe për njerzit që jetojnë në to” – vazhon ai. Aq më tepër, që këta njerëz janë banorë dhe pronarë të ligjshëm të tyre.

Argumenti i përsëritur shpesh si zgjidhje, që me të ardhurat turistike të nxiten dhe financohen restaurimet, çalon shumë. “Një fjalë goje! Ku janë këto të ardhura? – pyet Sokol Karaulli.

Kushedi sa “plane menaxhimi” egzistojnë në letëra. Asnjë nuk u zbatua. Lekët për asistencën teknike u lëvruan. Për sensibilizin, po! Por jo, nuk u bë “hajër”. Keqmenaxhimi, mungesa e vizionit dhe mungesa e planifikimit, që ka sjellë situatën absurd, që më shumë rënohen, se sa të restaurohen. Më shumë bien, më pak ngrihen.

Kujtojmë se restaurimi i një shtëpie, duke ruajtur vlerat arkitekturore dhe historike të integritetit të këtyre monumenteve, kushton sa pesëfishi i restaurimit të një shtëpie normale. Në dy raportet më të fundit të monitorimit të UNESCO-s janë bërë rekomandime të qarta dhe të sakta.

Mandej në këto dokumete janë parashikuar edhe ritmet e rënimit. Tre bien, nje ngrihet. “I thanë, por kujt ja thanë? – përmbyll bisedën Sokoli.

Sipas raporteve të UNESCO-s, norma e pronës së braktisur, është duke u rritur ndjeshëm. Të jeshë shpallur “Trashëgimi Botërore”, duhet menduar dhe u munduar shumë për ta ruajtur dhe merituar.

Ndërtimet e pakontrolluara e të paligjshme, janë një problem tjetër. Ndërtesat të reja që nuk përmbajnë asnjë integritet historik dhe arkitektonik, janë shtuar si kërpudhat pas shiut. DRKK ka të raportuara rreth 290 ndërtime, jashtë ligjit dhe Kartës së Restaurimeve.

Çështjet ndërlikohet edhe më, sepse 90 për qind e pronave të destinuara për restaurim, kanë edhe një një problematikë tjetër. Ato janë të ngatëruara në labirinthet ligjore e pronësore për shkak të ligjit të trashëgimisë. Në ndonjë rast, në listën e pronësisë së një banese-monument, lista e trashëgimtarëve pronarë është me 3 dhe 4 shifra.

Sipas ekspertëve të monumenteve, 200 ndërtesa të dy kategorive më të larta kanë nevojë për ndërhytje emergjente restauruese. Disa prej tyre janë në rrezik të lartë kolapsi për shkak të mungesës së investimeve, si  nga pronarët, ashtu edhe nga shtetit.

Duke u dhënë status ligjor “monument kulture”, shteti një lloj mënyrë është një bashkëpronar i pashpallur. Prej kohësh janë më së paku 10 familje të lagjes Cfakë që gdhihen dhe ngrysen me frikën e shëmbjes së banesave mbi kokat e pjestaëve të tyre. Njëra prej tyre, u shëmb në tokë në fillim të dhjetorit të 2017. U gremis, vetëm disa orë pasi u larguan banorët që jetonin aty.

Të tjerat, janë aty, me mure, me çati, me dysheme, me trarë, të çarë dhe të dëmtuara. Banorët bashkëjetojnë ditë e natë me tmerrin. Banesat mund të përfundojnë nga çasti në çast, në përroin më të afërt.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare ende nuk ka një studim, apo një zgjidhje konkrete për këto banesa që ndodhen brenda zonës së mbrojtur. Për këta banorë dhe pronarë nuk ka asnjë rekomandim nga ata që e mënaxhojnë zonën e mbrojtur historike.

Ka vetëm një rekomandim nga bashkia. “Bazuar në shkresën e shërbimit Gjeologjik Shqiptar, ju informojmë se në zonën ku ju banoni është prishur ekuilibri konstruktiv i shtresave gjeologjike të tokës”, thotë njoftimi i bashkisë. Rekomandimet e ardhura nga ky institucion, kërkojnë largimin urgjent nga këto banesa deri në rikonstruksionin dhe përforcimin e shpatit të kodrës. Por deri atëherë? Bashkia mund të ofrojë vetëm një strehim, apo evakuuim të përkohshëm. DRKK. institucioni që ka për detyre ligjore, nuk ka asnjë zgjidhje për këtë situatë absurdi. /Marrë nga lajm - shqip

Më shumë në këtë kategori: « Liliana Cingit i shprehin dhimbjen për humbjen e ish-partnerit të saj, mjeshtrit të madh Rexhep Çeliku
E pandashme në skenë, flet partnerja Lili Cingi: Ju zbuloj cili ishte pengu i fundit i Rexhep Çelikut para se të mbyllte sytë »
Article Logic
Execution time: 0.022541999816895
array(1) { ["section"]=> string(111) "tri-hemoragji-qe-kane-kapluar-gjirokastren-te-emigrosh-drejt-vetvetes-nga-tmerri-se-te-bie-catia-ne-koke-106373" }