Turistët e misrit të pjekur

Publikuar tek: aktualitet, më 08:08 16-08-2017 Turistët e misrit të pjekur

Vera e re në fuçinë e vjetër

Ëndërr turizmi në stinën e verës

Turistët e misrit të pjekur

Nga Roland Qafoku

Në një kompleks të njohur te Gjiri i Lalzit, sapo mbërriti njoftimi se misri erdhi. Një ulërimë të vjen te çadra dhe ti, do apo s’do, je i lidhur me këtë lajm vere në çadrën tënde. Lajmi të vjen live, nga një burrë i rreshkur nga puna me orë të gjata dhe kilometrat pafund që përshkon nën rrezet e diellit. Por në çadrën përkarshi, pakënaqësia jote është kënaqësi e madhe. Një takëm njerëzish rrasin duart në xhepa, nxjerrin paratë, blejnë pesë a gjashtë misra të pjekur e nxirë nga prushi dhe në grup, nisin t’i hanë. Je i dënuar të dëgjosh për dhjetë minuta, simfoninë e mbllaçitjes. Dhëmbët që ngulen thellë në kallinjtë e misrit dhe skena me diellin që përvëlon si saç mbi kokë, rërën prush të nxehtë nën këmbë dhe uji i pistë i detit, të kthejnë në pushuesin më të çuditshëm. Pjesa finale e uverturës, janë mbeturinat e misrit që, siç i hëngrën në grup, i hedhin përdhé, në rërë, po në grup.

Më tej, vëmendjen ta tërheq një çadër me emigrantë të sapoardhur nga Anglia. Fëmijës së vogël rreth 3 vjeç, i flasin me zë të lart anglisht. Është një e folur e cila varion nga një përzierje mes një fjalori që nuk shkon më larg se ajo që flitet në metro, me një sintaksë pothuajse shqip-shqip por, kur ka diçka të rëndësishme për t’ia thënë, shqipja e tyre mbetet e pazëvendësueshme. Toni ngrihet dhe zëri metal të shpon daullen e veshit: Mos ikkkkk!!! Dhe si me magji, pas kësaj, toni i zërit zbutet me fjalët “Come on, my baby”!

Anglezja e kësaj çadre ndjehet keq kur i biri jashtëqit në pelena dhe ajo bën veprimin më antikulturë në sy të pushuesve që, natyrisht, nuk e ka mësuar në Londër. Pa asnjë drojë, ia heq pelenën në sy të të gjithëve dhe e lan të birin në det, madje duke e qortuar të mos e përsëris më. Shikuesit e kësaj skene, mbeten të gjithë pa fjalë!

Një familje e madhe stacionohet në një çadër tjetër. Këta janë italiani veri nga fshatrat e jugut të Shqipërisë. Vrapojnë në rënë si ta kenë për herë të parë në jetë dhe ty të duhet të pudrosesh me renë e tymit që shkakton rëra, nën këmbët e tyre. Italishtja e tyre nuk ka të ndalur. Vetëm kur zihen e kthejnë shqip. “Ore, kush të foli ty!?”, - dëgjojmë, dhe aty gati sa nuk plas sherri.

Ngjajnë sikur kanë zbritur nga malet dhe jo sikur kanë ardhur nga Londra apo Roma. Lëre pastaj që shteti i llogarit si turistë. Por çdo gjë e tyre përgënjeshtrohet nga makinat e markës së fundit të parkuara aty pranë. Rrugës për në kompleksin e pushimit, makinat me simbolet e shteteve GB, I, FR, ishin pikërisht ato që bënin sllallom në rrugë. Parakalime që të kallnin datën, shpejtësi skëterrë dhe çdo njëri prej tyre, i ngjante qenit të lëshuar nga zinxhiri. Këta njerëz mund të lëvizin në rrugë me ML Benz, apo Audi dhe Hunday,  por marka e makinës nuk ka lidhje me atë që përfaqësojnë. Duken qartë se kapërcimi i tyre nga mushka në Benz krijon një problem shumë të madh.  Më tej shfaqet personazhi kryesor i çdo dite plazhi. Djaloshi  që kujdeset për çadrat, jep e merr por nuk ia del dot pisllëkut të atyre që rreziten në rërë. Ai jep e merr dhe me klientët e çuditshëm që i flasin në anglisht dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë. Por djaloshi është më i zgjuar se ata. Vetëm kur ai u thotë që çadra kushton 10 euro, ata kthjellohen, u “del pija”, nxehen dhe i flasin shqip. “Këtë doja dhe unë”, ua kthen djaloshi me çantë në krah dhe fatura në dorë dhe, këtë herë, shqipfolësve u thotë se çadra kushton 500 lekë të rinj. Por djaloshi i çadrave ka edhe kufizime. I afrohet për herë të dytë çadrës sonë dhe po, për herë të dytë, kërkon të bëjmë pagesën. I kujtojmë se e kemi paguar një herë. Por ai nuk beson. I tregojmë biletën që na dha vetë. Këtë herë ai bëhet serioz. Bën disa verifikime në regjistrin personal që mban në çantë dhe na kërkon falje. “Nuk kam qenë mirë sot”, - thotë me sinqeritet. Kisha marrjemendsh”. Mirë, mirë, po ai nuk e kupton se sa marrje mendsh na shkaktoi ne, kur na kërkoi lekët për herë të dytë.

Dhe skenat e plazhit vijojnë pak më tutje. Pranë vijës së ujit shfaqen disa deputetë. Ecnin mendueshëm. Kushedi vallë, janë duke vrarë mendjen për popullin! E takojmë njërin prej tyre. Ishte i pezmatuar se këto pushime nuk ishin shumë të mira. “Këtu nuk bëhen më pushime” , - gati klith deputeti, sepse për të faji ishte i partisë kundërshtare! Dikur, kur ai ishte në pushtet, kishte lezet! Plazhi ishte më i pastër, çmimet ishin më të arsyeshme dhe njerëzit ishin më të lumtur. Ndërsa tani…..!

Por beteja në plazh vazhdon. Përballë nesh shfaqen tre turistë të rinj, jo më shumë se 25 vjeç, që më shumë ngjajnë si mundës të stilit japonez, sumo. Kur futen në ujë duket sikur deti i shton dallgët. Më shumë i ngjajnë një masivi prej mishi, se sa trup njeriu. Gjendje e rëndë e psikozës së cilësisë së jetës, por edhe një dembelizëm që u ka dalë mbi lëkurë.

Skenat e turizmit shqiptar vijojnë në orën 10:00 kur një traktor me një pastruese nga pas, krehin rërën përpara nesh, nga vija e ujit deri te radha e parë e çadrave. Menjëherë krijohen pirgje me mbeturina nga më të ndryshmet si, shishe plastike, kanoçe, shishe birre, ndërsa koshat e varur aty pranë, janë bosh. Ky është moment më i mirë të shquash se çfarë shoqërie jemi. Nuk na e ka fajin as Edi Rama e as Lulzim Basha. Jemi ne dhe vetëm ne fajtorë!

Por plazhi vazhdon me skena të tjera. Një biznesmen i madh i cili duket ashiqare që ka borxhe të mëdha, bën telefonata pa fund teksa qëndron i shtrirë. Tangërllikun dhe guximin e ka në majë. Kulmi është kur çdo bisedë e bën me citofoni. Ne dëgjojmë jo vetëm çdo fjalë të tij, por dhe çfarë i thotë ai matanë telefonatës. Ja disa fjali që të gjithë me plazhistët i dëgjuam qesëndi: “Bëje me kujdes!”, “Këtij jepi lekët!”, “Atij mos ia jep paratë!”, “Atë legenin do ta ble me paré!” “Këtë e shes!”, “Këtë do ta zhduk!” Si ky biznesmen, ka shumë në Tiranë dhe Shqipërinë tonë, por edhe për të faji është i yni, i shoqërisë. Në moment duket sikur situata ndryshon. Një autobus sapo mbërriti me turistë në kompleks. Janë afro 50 gra të çuditshme të cilat lëshohen nëpër çadra, sikur kishin dalë nga izolimi. Janë gra që celulitin e kanë për kënaqësi ta kenë, por edhe ta ekspozojnë duke mbajtur në trup veshje të ngushta, saqë dhjami duket sikur do t’ushpërthejë nga momenti në moment. Të gjithëve u bën përshtypje lumi i grave të huaja që rezultojnë se janë nga Bosnja dhe që kanë ardhur të shijojnë plazhin shqiptar. Disa futen menjëherë në ujë dhe disa zhvishen në çadër, për të marrë rreze dielli. Disa të tjera nuk e heqin burkën as në çadër dhe kur futen në ujë ngjallin kureshtjen e të gjithëve. Ky po që është turizëm. Për sot, plazhi mbaroi. Realisht, Shqipëria është vendi i fundit i paekskloruar!

Ky artikull është shkruar për gazetën “Albanian Free Press”

Article Logic
Execution time: 0.01559591293335
array(1) { ["section"]=> string(33) "turistet-e-misrit-te-pjekur-89238" }