U dogjëm nga qulli…po i fryjmë kosit

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:06 23-01-2015 U dogjëm nga qulli…po i fryjmë kosit

Edi Rama u tha qytetarëve të Kavajës: “Ju e di sesa të vështirë e keni pasur për të ndërtuar shtëpinë tuaj. Tani imagjinoni të ndërtojmë Shqipërinë e rrënuar sa e vështirë që është”.

Eshtë shumë e vërtetë. Askush nuk pret nga shqiptarët që Edi Rama të tundë shkopin e tij magjik në ajër dhe gjërat të bëhen tak-fak. Sepse të gjithë e dinë se Shqipëria ishte një gropë e madhe e hapur, që duhej të mbushej me qindra e qindra kamionë, më shumë sesa ata që çoi në gropën poshtë shtëpisë ku banonte më parë te drejtoria e policisë.

Edi Rama, duket se kohët e fundit nuk e ka problemin me shqiptarët. E ka me veten, me qeverinë e tij, dhe administratën në pjesën më të madhe të paaftë për të kuptuar reformat e tij.

Ja përshembull, video e djeshme, ku një mësuese rreh në mënyrë çnjerëzore një fëmijë në klasë. Sigurisht që Edi Rama nuk ka faj për këtë video dhe as për skenën që ka ndodhur në atë klasë. Por ka faj se na premtoi ndryshimin e sistemit: dhe kjo nuk ndodhi. Ndoshta është faji i Ministres. Këtë duhet ta thotë kryeministri. Si nuk u perceptua dot nga stafi i mësimdhënies parimi i kësaj qeverie për edukimin e stafit pedagogjik sesi do të sillet me studentët? Përtej kësaj…U mbyllën universitetet private me shkelje. Shumë mirë. Sot pas mbylljes së tyre nuk po dëgjojmë njeri të ankohet. “Kristali” i famshëm u kthye në një qendër profesionale; pra askush nuk humbi, e mori në dorë ministri Veliaj. Të tjerët, pasi morën lekët nga studentët dolën të fituar se këta po me lekë dhe me vite që u njiheshin, shkuan në universitetet e tjera. Ç’të flasim për tekstet shkollore. Këtë vit dolën si dolën, thonë zyrtarët e arsimit. Vitin tjetër do t’i rregullojmë. Po testimi? Ai duket si një mekanizëm për të gjetur mundësi të heqim disa mësues, e të emërojmë disa të tjerë. Në rastin konkret të videos…Kush nga prindërit që ka fëmijë në shkollë nuk do të shkonte të ankohej në drejtorinë arsimore pas sjelljes brutale të mësueses? Të gjithë…Po çfarë ka bërë drejtoria përkatëse? Asgjë…E ka mbyllur në heshtje, ndoshta edhe të sajdisur mirë, dhe me idenë se kjo nuk do të merret vesh. Atëherë, drejtoritë arsimore dhe njerëzit që janë vendosur në krye të tyre kanë dështuar. Dhe ky nuk është rasti i parë. Ministria përkatëse duhet të mbajë përgjegjësi.

Po shëndetësia? Video e QSUT tronditi opinionin publik. E çfarë ndodhi? Drejtoresha na tha publikisht se ishte regjistruar në kohën e PD, se në kohën e saj nuk ndodhte një gjë e tillë. Ja që u vërtetua e kundërta. E çfarë ndodhi? Kush mbajti përgjegjësi nga drejtuesit e spitalit? Drejtori i sigurisë së spitalit, a shefi përgjegjës, a ndokush tjetër që ishte në turn atë natë? Askush. Dhe të flasim për një reformë më të madhe. Dje u mor vesh se shefat e pavionëve apo pedagogët përjashtohen nga testimi i mjekut. A mund ta dimë pse? Në vëmendjen e çdo shqiptari që ka bredhur dyerve të spitaleve, dihet fare mirë se nuk ka mbetur shef që nuk ka një klinikë private. A nuk janë këta që e kanë “shembur shëndetësinë”? A nuk janë këta që qëllimisht prishin paisjet e reja që shkojnë nëpër spitale vetëm e vetëm që analizat dhe ekzaminimet të bëhen në laboratorët e tyre privatë? Sigurisht që po. Dhe këtë, e ka të qartë edhe ministria.

Le të flasim për rendin. Dhe vetë ministri Sajmir Tahiri na pranoi në “Opinion” se “Shqiptarët nuk janë ëngjëj”. Po është e vërtetë, shpresoj që ministri të ketë menduar edhe për veten. Por si reagon ndaj atyre policëve që mbajtën brenda komisiariatit një fëmijë të vogël? A nuk duhet të merren masa për policët që kishte në detyrë? Po për aksionet që zhvillohen me fushata? Keqardhje që një tufë policësh ia behën te shtëpia e ish-kryeprokurores. E panë komshijtë, qytetarët, e morën vesh njerëz të njohur…a nuk duhet të mbajë dikush përgjegjësi, kur në fakt, për çështjen e denoncuar, rezultoi e kundërta…

Më kanë thënë diplomatë nga ministria e Jashtme (dhe për shkak të ndërrimit të qeverisë kam shumë njohje) se për të gjitha takimet e ministrit tonë të jashtëm, vështirë të depozitohet ndonje material në protokoll. Askush nuk mban shënime, dhe në të shumtën e rasteve ambasadorët as nuk ftohen në këto takime se nuk dëshiron ministri. Por nëse kjo është e vërtetë, nuk do të ishte ky një skandal në diplomaci?

E të kthejmë sytë te ministria e Zhvillimit Urban e Turizmit. Në faqen zyrtare, zor se gjen ndonjë aktivitet të agjencive në varësi të saj Agjencisë së Bregdetit, të Turizmit, të Legalizimit, të INUK, nëse zonja Gjermeni, e cila deri tani ka ndryshuar tre zëdhënës (në një kohë kaq të shkurtër nuk ka ndodhur kurrë më parë në administratë), nuk do të kishte bashkëpunim me agjencitë e veta dhe nuk duket vetë, nëpër aktivitete. Të kenë fajin gjithë drejtuesit e këtyre agjencive, apo politikat e ministries, që zonja Gjermeni drejton.

Po Kultura? Përveç faktit se në atë ministri flet vetëm Ministrja, duket se veç zyrave të reja në politikat e kulturës, nuk duket se ka lëvizur diçka. Ankohen aktorë, ankohen artistë, ankohen shkrimtarë (janë të gjitha të pasqyruara në rrjetet sociale), dhe asnjë reagim. Madje, meqënëse jam e përfshirë në Forumin për Trashëgimninë dhe kam më tepër komunikim me ministrinë, nuk gjejmë ndonjë mbështetje sidomos për projektet e Trashëgimnisë: jemi ankuar për kalldrëmet e Gjirokastrës, për Kishën e Vunoit, për shtëpinë e Flamurit në Korçë që s’ka filluar ende të ngrihet e më së fundi për Komanin…dhe asgjë. Heshtje ose reagime kundër.

Po për ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë? Më shumë se takimet e përditshme që i ngjajnë një fushate, ministria dhe zyrtaret e saj duhet të kujdeseshin për denoncimin e bërë nga një punonjëse e këtij institucioni, që firmosi një tender nën presion e që mandej e hoqën nga puna. E pse? Sepse foli në media.

Nuk kam rekorde dhe nuk mund të merrem vetëm me dy ministra, Gjiknuri e Ahmetaj. Po nëse i pari e ka zgjidhur davanë me median (duke dhënë reklama për gjithë borxhet e papaguara të televizioneve për energjinë elektrike), i dyti, ka më shumë në dorë, privatizime, dhe marrëdhënie shumë të mira me gjithë botuesit e gazetarët, e ndaj, në shumë raste është i përkëdhelur.

Përtej gjithë kësaj panorame, ka një gjë që nuk tingëllon mirë: është mënyra dhe mentaliteti i qeverisjes, i pandryshuar, as  me “1 milionë votat” që dhanë qytetarët e këtij vendi. Aksionet e ndërmarra nga qeveria janë të domosdoshme. Rregullimi i kësaj shtëpie të madhe që i thonë “Shqipëri”, ka shumë punë, kërkon kohë , vullnet, dhe pasion. Por, nëse në shtëpinë time, e shoh se pllakaxhiu e shtron pllakën shtrembët, unë e heq dhe kërkoj një tjetër më të mirë. Nëse e shoh se e ka më shumë mendjen te telefoni apo rakia, më shumë sesa të shtrojë pllakat në rregull, e heq dhe gjej një më të mirë.

Ndoshta ka ardhur koha që t’i kthehemi sistemit, asaj që kryeministri ka thënë që në krye të herës. Ai duhet të ndryshojë. Por kjo nuk do të thotë zoti kryeministër se “nëse u dogjëm nga qulli, t’i fryjmë edhe kosit”.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.02289891242981
array(1) { ["section"]=> string(41) "u-dogjem-nga-qulli-po-i-fryjme-kosit-1314" }