‘Ujku, ujku’, por ‘çakalli’ bën kërdinë

Publikuar tek: analiza-komente, më 20:05 16-01-2019 ‘Ujku, ujku’, por ‘çakalli’ bën kërdinë

Nga Arben Rrozhani

Prej shpalljes në kërkim në vitin 2016, Kelment Balili u vetëdorëzua dje në Policinë e Shtetit për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij për ‘trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike’ dhe ‘krijim të grupit të strukturuar kriminal’. Akuzat janë sipas një dosjeje të hartuar nga Greqia dhe  është cilësuar si ‘Eskobari i Ballkanit’. Kolumbiani, po të ishte gjallë, do të ndjehej i turpëruar për këtë cilësim të ekzagjeruar të shqiptarit, i cili, as nuk vrau, as nuk preu, as nuk mbolli terror, as nuk bleu qeveri e ministra dhe si për ta degjeneruar deri në fund, as nuk bëri bamirësi sociale, me shpërndarje parash dhe investime në dobi të të varfërve si ish-bosi amerikano-latin.

Kelmend Balili ishte njëri prej djemve të shumtë që lindën nga tranzicioni kaotik shqiptar, bëri burg dhe pasuri, me punë të ligjshme dhe të paligjshme, por kaq.

Vetëdorëzimi i tij nuk do ta përmirësojë aspak gjendjen e sigurisë dhe të rendit në vend, nuk do ta ndalojë trafikun e narkotikëve dhe as do të stepë krimin e organizuar, apo të rrugës, në punën  e tij ditë-natë për të siguruar milionat, duke e lënë Shqipërinë vendin më të pasigurtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kapja e këtij ‘ujku’, deri dje të arratisur, nuk do t’i ndalojë çakenjtë që të vijojnë të bëjnë kërdinë. Vlora, Elbasani, Fieri, Shkodra, Durrësi, Fushë-Kruja etj do të vijojnë të jenë pengje të bandave rivale që kanë ndarë territoret, punët dhe pazaret dhe përgjaken kur preken këto ‘çifligje’. Vrasjet mes eksponentëve të bandave përgjakin qytetet tona, tmerrojnë popullsinë dhe nuk marrin reagimin e Policisë së Shtetit, që siç duket po zbaton ‘porosinë’ e Ramës pak javë më parë, që ‘kokat hënkshin’.

Si në një vend me gjendje normale sigurie, ku lajme të vetme nga rendi janë aksidentet banale, apo ndonjë zënkë ordinere, Policia e Shtetit merret me disiplinimin e trafikut, mosdublimin e semaforëve me policë rrugorë, kur bandat qërojnë hesapet mes tyre, grabitësit dhunojnë, marrin peng dhe plaçkitin kë të mundin.

Është një situatë që u ka bërë përshtypje edhe diplomatëve të huaj, aq sa ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, që i rikujtoi ministrit të Brendshëm, Lleshaj, aksionin ‘Forca e ligjit’, të nisur nga ish-ministri Xhafaj, i cili edhe pse më shumë demagogjik, arriti të bëjë ca arrestime banditësh që mbajnë peng jetën në shumë qytete.

Prandaj opinioni qytetar, përtej tifozerisë politike për vetëdorëzimin e Balilit, nuk shpreson se pas kyçjes së ‘ujkut’ në qeli, ‘çakenjtë’ do të tremben dhe nuk do të mbajnë peng sigurinë dhe rendin, siç po bëjnë nga dita në ditë. Shpresa e vetme ka mbetur që Policia e Shtetit të dalë nga gjumi letargjik dhe të përballet me krimin, siç e ka patur misionin prej 106 vjetësh.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « ‘Vlora po zien nga krimet. Edhe ata që nuk kanë probleme ruhen, një Zot e di nga kush’
»
Article Logic
Execution time: 0.026106119155884
array(1) { ["section"]=> string(40) "ujku-ujku-por-cakalli-ben-kerdine-149094" }