Ulet efekti i TAP në ekonominë shqiptare

Publikuar tek: ekonomi, më 18:05 30-09-2017 Ulet efekti i TAP në ekonominë shqiptare

Investimet e huaja, sipas sektorëve, tregojnë për një ecuri të paqëndrueshme në vite. Teksa energjia po bie dhe telekomunikacionet janë në maturim, nuk ka sinjale për hyrje të reja.

Energjia është sektori që ka pasur investimet më të larta të huaja në Shqipëri në gjysmën e parë të këtij viti, ndonëse me një rënie të ndjeshme në raport me tremujorët e mëparshëm.

Sipas Bankës së Shqipërisë, e cila ka publikuar të dhënat për investimet e huaja, sipas aktivitetit ekonomik, për periudhën janar-qershor investimet në “Energji elektrike, gazi, dhe furnizimi me ujë” arritën në 149 milionë euro, ose rreth 40% të totalit të IHD-ve për të njëjtën periudhë.

Në raport me dy tremujorët e fundit të 2016-s, investimet në sektorin e energjisë dhe gazit kanë rënë ndjeshëm, me gati 60%.

Ishte fillimi i ndërtimit të gazsjellësit TAP dhe punimet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll, që i dhanë një hov të ndjeshëm investimeve në gaz dhe energji. Por, shqetësimi lidhet me faktin, që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikimin në afatin e mesëm. Komisioni Europian ka tërhequr vëmendjen për nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë në raportin e zgjeruar të programit të reformave për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Turqinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për periudhën 2017-2019.

Sipas raportit, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë, që do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.

Në fakt, kjo që tani ka filluar të ndodhë. Në total, sipas të dhënave të mëparshme të institucionit monetar qendror, Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri kanë shënuar rënie në gjysmën e parë të këtij viti, duke qenë larg niveleve të regjistruara në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, kur ato u nxitën nga gazsjellësi TAP. Në total, për 6 muajt e parë të vitit, Investimet e Huaja Direkte arritën në 380 milionë euro, me një rënie prej 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (180 milionë euro në të parin dhe 200 milionë euro në të dytin). Ndërsa në krahasim me gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, tkurrja është më e thellë, me gati 30%. Në periudhën korrik-dhjetor 2016, investimet e huaja “shpërthyen” në vlerë, për shkak se projekti i ndërtimit të gazsjellësit TAP ishte në kulmin e punimeve, duke arritur në 534 milionë euro.

Të dhënat e detajuara, tregojnë se tkurrja ka ardhur pikërisht nga reduktimi i investimeve në sektorin e gazit dhe energjisë.

Industria nxjerrëse është sektori i dytë që ka sjellë më shumë investime në gjashtëmujorin e parë të vitit, me 106 milionë euro, ose 28% të totalit. Investimet në sektorin e hidrokarbureve janë të varura nga bursat ndërkombëtare. Në vitin 2015, investimet në hidrokarbure (që janë kryesisht hapje pusesh) ranë ndjeshëm për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Ndërsa në 2016-n dhe pjesën e parë 2017 është vënë re një gjallërim i tyre për shkak të çmimeve më të favorshme në bursa. Në raport me gjashtëmujorin e dytë të vitit, ky zë u rrit me rreth 37%.

Sektori i tretë janë aktivitetet financiare dhe të sigurimit, që sollën 42 milionë euro investime, me rënie prej 13%. Këtu përfshihen kryesisht investimet e bankave për rritjen e kapitalit.

Në tremujorin e dytë 2017, ka një sektor surprizë, që ka sjellë 42 milionë euro investime, ose 21% të totalit për periudhën në fjalë, ai i “Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike”. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky zë përfshin rritje të investimeve direkte në kapital. Rritja ka ardhur nga kompanitë që kryejnë aktivitete ekonomike përkatësisht si: Dizenjim, Inxhinieri, ndërtim, punime, asistence teknike për industri të rënde dhe mirëmbajtje të impianteve të përkohshëm përfshirë shërbime në terren, etj.

Një nga kompanitë franceze që ka hyrë së fundmi në Shqipëri është Spiecapag, e themeluar në shkurt 2016, një nga nënkontraktorët kryesorë të gazsjellësit TAP, që po ndërtohet në Shqipëri. Objektet kryesor të veprimtarisë së shoqërisë janë dizenjo, inxhinieri dhe ndërtim, asistencë teknike për impiante dhe makineri të rënda, ndërtimi dhe mirëmbajtja e impianteve përkohësisht, përfshirë shërbime në terren. Për vitin 2016 kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 15 miliardë lekësh (rreth 110 milionë euro), ndërsa fitimi para taksave ishte 1.8 miliardë lekë (rreth 13 milionë euro).

Investimet në sektorët e tjerë mbeten minimalë. Në industrinë përpunuese ka vite që nuk afrohet më asnjë, teksa fluksi i ri në këtë sektor prej vitesh është minimal.

Në total, nëse shohim se në cilët sektorë është investuar më shumë në Shqipëri në vite, nga të dhënat e stokut, të publikuara po nga Banka e Shqipërisë, në vend të parë në gjashtëmujorin e parë 2017 ka kaluar energjia, shkruan Monitor. Në vite në këtë sektor janë investuar rreth 1.3 miliardë euro.

Deri në fund të vitit 2016, kryesonte informacioni dhe komunikacioni, por në 2017-n, ky sektor ka kaluar në vend të dytë, teksa ka 1.2 miliardë euro investime.

Më pas renditen sektorët e Aktivitete financiare dhe të sigurimit; Industria nxjerrëse; Industria përpunuese; Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike.

Screenshot_19.jpg

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026180982589722
array(1) { ["section"]=> string(46) "ulet-efekti-i-tap-ne-ekonomine-shqiptare-94274" }