Unë jam me Çim Pekën

Publikuar tek: analiza-komente, më 13:29 19-02-2015 Unë jam me Çim Pekën

Në këtë marrëdhënie të tensionuar të ditëve të fundit ku Unioni i Gazetarëve i "heq veshin" gazetarit Çim Peka se ka shkelur etikën duke pasur tone e përmbajtje të lartë emocionale në emisionin "Opinion": Unë personalisht jam absolutisht me Çim Pekën dhe absolutisht kundër Unionit të Gazetarëve. Pse? Sepse nuk e di nëse ky Union ekziston realisht dhe është i angazhuar edhe për qindra probleme të tjera të rënda dhe të trishtuara që kanë gazetarët, sidomos gazetarët e rinj. Pse me Çim Pekën e gjetën të afirmohen në publik? Nuk më pëlqejnë sjelljet selektive sepse cënojnë barazinë e trajtimit të gjithçkaje e të gjithëve që është vlera e parë e iluministëve duke përfshirë edhe Volterin që e citon jo profesionalisht Unioni.

Sepse do të doja një reagim nga Unioni kundër ndonjë politikani, shtetari, bosi të medias, që fyen dhe torturon profesionalisht dhe moralisht gazetarët, apo kundër ndonjë gazetari apo medieje që poshtëron një qytetar, shpif ndaj tij, e nëpërkëmb, por nuk prisja prej tij një arbitrazh mes dy gazetarësh a analistësh në një emision televiziv ku përderisa nuk ankohet drejtuesi i emisionit, s'ka përse i dalin zot të tjerët, sepse fyejnë edhe emisionin vetë dhe drejtuesin e tij.

Unë e shoh me ndërprerje, pjesë - pjesë ose edhe fare rrallë emisionin "Opinion", pa e gjykuar as mirë as keq atë, thjesht jam indiferent në angazhimet e mia mbrëmësore ku më pëlqen më shumë të dëgjoj muzikë operistike dhe shoh shumë pak televizor që zakonisht e mbaj mbyllur në frigorifer, por mesa kam venë re atje ka debate shumë të nxehta. Eshtë nje zgjedhje e bërë nga emisioni, si një ring. Madje është edhe një zgjedhje e bërë edhe nga analistët që shkojnë atje duke qënë të informuar se po shkojnë në ring për të bërë spektakël duke i dhënë grushte njeri- tjetrit. Dhe në një ring nuk ka kuptim t'i thuash tjetrit përse më gjuajte me grusht, sikundër mund t'i thuash dikujt se përse më shtyn në autobus!

Sepse në tekstin e Unionit të Gazetarëve edhe citati i Volterit nuk ishte vendosur në thonjëza, pra nuk ishte raportuar në mënyrë profesionale, aq më shumë në ishte dhënë në mënyrë të deformuar, dhe kjo nuk tregon nivel profesional. E kanë bërë shpejt e shpejt tekstin sikurse më kujtohet kur të vegjël nxitoheshim të bënim topa dëbore për t'i gjuajtur njeri -tjetrit.

Sepse Çim Peka është një gazetar opozitar dhe në çdo rast dhe me çdo qeveri, pavarësisht ngjyrave politike, Unioni i Gazetarëve duhet të ketë kujdes dhe t'i mbrojë e jo t'i sulmojë këta gazetarë sepse kjo është detyra e tij. Përpara se sa t'i kritikojë, mund ta nisë kritikën me mbrojtësit e pushtetit sepse atëhere tregon dinjitet dhe qytetari. Përndryshe duket si servil, edhe në mos qoftë, ose bën një shërbim zelli, që nuk do të doja ta shihja te Unioni duke pasur një përshtypje krejt tjetër për drejtuesit e tij.

Sepse Unioni ka bërë spektakël duke e publikuar qendrimin në media, spektakël i pastër, kurse mund t'a kishte këshilluar Çim Pekën me një letër personale, me një bisedë miqësore, etj., çka është një marrëdhënie e vërtetë profesionale. Si mund të ndodhesh brenda një institucioni, një fakulteti, një gilde, një familjeje, një rrjeti dhe kritikat brenda rrjetit t'i publikosh jashtë tij. Janë simptoma simbolike "vetvrasjeje".  Eshtë njësoj sikur unë kritikat ndaj Akademisë të Shkencave, që i formuloj brenda saj prej vitesh, të nis, pa shterruar mundësitë institucionale, të nis t'i nxjerr nëpër gazeta. Më ngjan pak me letrën e hapur që një "mik" i dërgon një "miku" tjetër duke botuar në gazetë. Vetëm qendrim miqësor, si baza e parë e marrëdhënieve mes gazetarëve, ky qendrim nuk mund të jetë.

Prandaj gjykoj se Unioni i Gazetarëve ka shkelur rëndë deontologjinë e profesionit. Por, na duhet tani një Union i Unioneve të gazetarëve për t'i hequr veshin Unionit të gazetarëve!!! Mos abuzojmë me emra agjencish për t'i dhënë kredibilitet një qendrimi që nuk ka pikën e moralit profesional.

Duke thënë këto, unë sigurisht nuk kam asgjë kundër Unionit të Gazetarëve, sikundër kundër çdo Unioni tjetër, as kundër drejtuesit të tij që e vlerësoj me sqimë personale si një pendë që shkruan me kulturë dhe ka stil të thantë kur dëshëron ta ketë atë, një nga gazetarët më me kulturë në Shqipëri, sipas meje,e vlerësoj pra fort, sikundër nga larg, pa e njohur fare personalisht më pëlqen gazetaria e formës të butë dhe të shtruar, por e vendosur dhe me logjikë mbërthyese e Çim Pekës.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.022566080093384
array(1) { ["section"]=> string(25) "une-jam-me-cim-peken-3818" }