Veneto Bank drejt falimentimit, i shet 100% aksionet Intesa San Paolo-s

Publikuar tek: ekonomi, më 12:03 04-09-2017 Veneto Bank drejt falimentimit, i shet 100% aksionet Intesa San Paolo-s

Veneto Bank, një nga më të mëdhatë në Itali, e pranishme në Shqipëri që në vitin 2009, dhe prej kohësh në qendër të polemikave dhe hetimeve gjyqësore, është shitur 100%. Boldnews.al mëson se situata e përkeqësuar financiare e kësaj banke, ka bërë që të shesë aksionet tek një tjetër bankë e nivelit të dytë në vendin tonë, Intesa San Paolo.

Për këtë shitje aksionesh është vënë në dijeni edhe Autoriteti i Konkurrencës, i cili deklaron se po inspekton një transaksion financiare të kryer mes Veneto Bank dhe Intesa San Paolo në Shqipëri.

Filiali shqiptar i Veneto Bank ishte së fundmi objekt i një hetimi nga Banka e Shqipërisë që kërkoi uljen e volumit të kredive dhe rritje të madhe kapitali. Problemet e Bankës kanë ardhur nga administrimi i diskutueshëm i saj, që kanë çuar në probleme, të cilat kanë filluar të hetohen si nga prokuroria, ashtu dhe autoritetet e mbikqyrjes financiare.

Gjithashtu më herët, Veneto Bank, ishte në qendër të akuzave për  përfshirjen në skemën gjigante të pastrimit të parave me organizator kryesor, biznesmenin kontrover Francesco Becchetti. Pas hetimeve të Prokurorisë, rezultoi se transfertat e paligjshme prej miliona eurosh janë kryer nëpërmjet Veneto Bank në Tiranë. Për këto veprime, u arrestua edhe drejtoresha e Veneto Bank në Shqipëri, Pranvera Gjika.

Por problemet e Veneto Bank nisin që nga origjina e saj, në Itali. Sot Veneto Group Bank në Itali, është nën hetim nga prokuroria e Romës për shkurtim të kapitalit rregullator, duke parë se mungojnë jo pak por plot 345 milionë euro. Po sipas akuzës, ka patur disbursim kredish të dyshuara pa masa mbrojtëse, që kanë cuar në një përkeqësim të cilësisë së portofolit të kredisë dhe humbje prej më shumë se 192 milionë eurosh. Efektivë të policisë tatimorë kanë bastisur zyrat e bankës dhe shtëpitë e 16 drejtuesve të Veneto Bank ndërsa janë arrestuar ish presidenti Flavio Trinca dhe drejtori i Përgjithshëm i Veneto Bank, Vincenzo Consoli.

Veneto Banka në Shqipëri ka një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Me gjithë problemet që mbart, ajo renditet e 12-a, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar. Megjithatë kapitali i Veneto Bank bashkë me problemet e së shkuarës duket se po transferohen tashmë tek një tjetër bankë e nivelit të dytë, Intesa San Paolo./ Bold News

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0072929859161377
array(1) { ["section"]=> string(75) "veneto-bank-drejt-falimentimit-i-shet-100-aksionet-intesa-san-paolo-s-91102" }