Verona çmendet pas shqiptarëve, kërkon në merkato tre lojtarë

Publikuar tek: sport, më 23:23 28-12-2015 Verona çmendet pas shqiptarëve, kërkon në merkato tre lojtarë

Skuadra e Veronës kërkon me çdo kusht që të afrojë një futbollist shqiptar gjatë merkatos së janarit. Përveçse një përmirësim i skuadrës në aspektin teknik sipas kërkesës së trajnerit, kjo është një dëshirë personale e presidentit të klubit, Mauricio Seti, i cili mban kontakte të vazhdueshme me drejtuesit më të lartë të FSHF-së, ndërsa ka vizituar disa herë Shqipërinë për qëllime biznesi. Prej rreth një viti, klubi italian ka monitoruar dhe ka kërkuar që të nënshkruajë me lojtarë të ndryshëm shqiptarë, ndërsa në janar ka piketuar tri syresh: Etrit Berishën, Shkëlzen Gashin dhe Bernard Berishën.

Para ndeshjes miqësore Itali-Shqipëri në nëntorin e vitit 2014, presidenti i Veronës, Mauricio Seti, organizoi një darkë punë me drejtuesit më të lartë të FSHF-së. Asokohe u fol për bashkëpunim të ndërsjellë mes palëve, pasi klubi italian kërkonte informacion për futbollistët e kombëtares që dëshironin të ndërronin ekip, ndërsa FSHF-ja synonte të kishte një klub partner në Itali, ku mund të dërgoheshin në të ardhmen futbollistë premtues. Darka e punës u shoqërua nga një vizitë zyrtare e presidentit Seti në zyrat e FSHF-së në prill, gjatë së cilës ai nuk ngurroi të theksonte se ishte gati të bashkëpunonte me një klub shqiptar për ta përdorur si satelit të Veronës në të ardhmen.

Por nëse gjatë pjesës së parë të vitit 2015 gjithçka shkonte mirë për këtë klub dhe nevoja e përforcimeve me futbollistë cilësorë shqiptarë nuk ishte edhe aq e madhe, në pjesën e dytë rendimenti i ekipit në fushë ka rënë ndjeshëm dhe tashmë Verona mbyll klasifikimin e Serisë A. Kjo ka shtyrë klubin italian që të hidhet në kërkim të përforcimeve me kosto të ulët në janar duke kthyer sytë nga lojtarët shqiptarë, me bindjen se lidhjet mes Setit dhe drejtuesve të FSHF-së mund ta bëjnë më të lehtë një transferim të mundshëm. Kësisoj, do të realizohej edhe dëshira e presidentit që të kishte një futbollist shqiptar në klubin e tij.

Brenda pak ditësh, klubi është interesuar zyrtarisht për tre futbollistë shqiptarë. I pari ishte Shkëlzen Gashi, të cilin klubi e projekton si partner në repartin e avancuar me sulmuesin e njohur italian, Luka Toni. Verona ka kërkuar të mësojë nga Bazeli çmimin e kartonit të lojtarit, por nuk ka bërë ende një ofertë zyrtare për golashënuesin më të mirë të kampionatit zviceran në dy sezonet e kaluara. Emri i dytë që figuron në listën e klubit është ai i Bernard Berishës, një prodhim i kampionatit shqiptar që ka shkëlqyer me fanellën e Skënderbeut edhe në Europa League. Bisedimet me klubin korçar kanë filluar dy ditë më parë, por për lojtarin ka një ankand të hapur, pasi janë të shumta klubet që janë gati të paguajnë rreth 1 milion euro për kartonin e tij. Emri i tretë i përket prapavijës dhe më saktësisht portës, pasi Verona është gati t’i ofrojë Etrit Berishës një vend si titullar në Serinë A. Dëshira e portierit shqiptar për të luajtur rregullisht dhe për të qenë në formë sa më të mirë për Euro 2016 ka shtyrë Veronën të besojë se mund të tërheqë futbollistin nga Lacio që lufton për një vend nderi në kampionatin italian, te klubi që si objektiv për pjesën e dytë të sezonit ka mbijetesën. Të tre këto lojtarë do të ishin të mirëpritur nga trajneri Luixhi Delneri, i cili ka marrë drejtimin e skuadrës pak javë më parë, me bindjen se mund ta largojë atë nga zona e ftohtë e klasifikimit. (Shqip)

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Bernard Berisha largohet nga Skënderbeu për 1 milion euro
Në Marsejë ‘të paduruar’ për ndeshjen Francë-Shqipëri »
Article Logic
Execution time: 0.022521018981934
array(1) { ["section"]=> string(66) "verona-cmendet-pas-shqiptareve-kerkon-ne-merkato-tre-lojtare-28757" }